1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jep dorëheqjen mbrojtësi numër një i kushtetutës

Günther Birkenstock / Elert Ajazaj3 Korrik 2012

Zinxhiri i skandalit nuk ndërpritet. Mbrojtja e kushtetutës ka asgjësuar shkresa të rëndësishme mbi neonazistët dhe nuk ka regjistruar të dhënat italiane.

https://p.dw.com/p/15Q8e
Fotografi: dapd

Pas serisë së pashembullt të avarive në hetimet kundër celulës neonaziste të terrorit NSU presidenti i Entit për mbrojtjen e kushtetutës Heinz Fromm u largua të hënën (02.07.2012) nga posti. Me dëshirën e vet 63-vjeçari del në pension në fund të muajit, bëri të ditur Ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich. Fromm konsiderohet si një nga ekspertët gjermanë të sigurisë më me përvojë dhe ka qenë për 12 vjet në krye të shërbimit të fshehtë të brendshëm. Opozita bëri fjalë për një "kokë turku", që nuk do të kontribuojë në zbardhjen e serisë skandaloze të avarive. Partia Socialdemokrate, Të Gjelbrit dhe E Majta kërkuan një reformë themelore të shërbimeve të fshehta dhe të Mbrojtjes së kushtetutës.

Grupi neonazist i terrorit NSU, i zbuluar nëntorin e vitit të kaluar, jetoi për më shumë se një dekadë në ilegalitet, i pazbuluar prej organeve të sigurisë, dhe vrau në Gjermani dhjetë vetë. Të mërkurën e kaluar u bë e njohur se Mbrojtja e kushtetutës asgjësoi dosje me shkresa ende pa u zbuluar grupi i terrorit, shkresa nga të cilat dilte se si bashkëpunohej me informatorë në "Mbrojtjen e Atdheut në Turingji", një bashkim ky me qëndrim të afërt me atë të NSU-së. Ministria e Brendshme planifikon të shqyrtojë deri të enjten një raport të parë të Mbrojtjes së kushtetutës në lidhje me incidentin. Shefi i seksionit Friedrich do të informojë më pas parlamentin. Në të njëjtën ditë Fromm do të dëshmojë edhe para komisionit hetimor për NSU-në.

Rasti skandal i "bërjes fije-fije të shkresave" pasohet tani nga fakti që Mbrojtja federale e kushtetutës ka marë qysh në vitin 2003 të dhëna për një rrjet celulash terrori të djathta në Gjermani. Kjo del nga një shkresë e Mbrojtjes së shtetit italian AISI drejtuar Mbrojtjes së kushtetutës (në Gjermani) në dhjetor 2011, siç raporton gazeta „Berliner Zeitung“. Mbrojtja e shtetit italian i pati përcjellë Entit federal në Këln informacione mbi një takim neonazistësh evropianë në Waasmunster të Belgjikës në nëntor 2002. Në këtë takim raportohet të jetë folur për ekzistencën e një rrjeti neonazistësh militantë evropianë. Përveç kësaj neonazistë gjermanë dhe italianë kanë shoshitur atentate të mundshme mbi biznese shtetasish joevropianë.

Opozita parlamentare nuk është e kënaqur me dorëheqjen e presidentit të Mbrojtjes së kushtetutës Heinz Fromm. Ajo bën fjalë për një "kokë turku", që nuk kontribuon aspak në ndriçimin e serisë skandaloze të avarive. Partia Socialdemokrate, Të Gjelbrit dhe E Majta kërkojnë një reformë themelore të shërbimeve të fshehta dhe të Mbrojtjes së kushtetutës. Një ndriçim shterues e konsideron të domosdoshëm në bisedë me Deutsche Welle-n edhe eksperti për ekstremizmin e djathtë Klaus Schröder i Universitetit të Lirë të Berlinit. Në rast të kundërt, thotë ai, Mbrojtja e kushtetutës do të humbasë krejtësisht kredibilitetin e vet. Dorëheqja e presidentit Heinz Fromm është një hap i duhur, por nuk mjafton, mendon Schröder. Përveç kësaj duhen krijuar instanca kontrolli (thotë ai), të cilat bëjnë transparente për politikanët dhe për qytetarët punën e nëpunësve të Mbrojtjes së kushtetutës. Madje (vijon ai) mund të jetë e nevojshme ngritja e një komisioni vlerësues, i cili punon në mënyrë të fshehtë.

Schröder sheh si konsekuencë të domosdoshme nga "rasti NSU" një bashkëpunim më të ngushtë të policisë me Mbrojtjen e kushtetutës: "Ky bashkëpunim nuk ekzistonte në rastin NSU. Për arsye historike, në Gjermani kemi një ndarje midis policisë dhe Mbrojtjes së kushtetutës, kjo është e nevojshme për arsye historike, por kjo nuk lejohet të çojë në harxhim fuqie.“ Në të njëjtën kohë Schröder paralajmëron prej nxitimit në të gjykuar: "Kjo është një gjë shumë e ndërlikuar. Kush thotë tepër shpejt: Këtu ka terroristë të majtë apo të djathtë, pa pasur prova, skandalizon diçka të pabazë. Po qe se i mbyll sytë për kohë tepër të gjatë dhe lind diçka në fshehtësi, atëherë të gjithë thonë: Përse nuk e patë. Këtu nuk ka zgjidhje për të gjitha rastet. Nëpunësit e Mbrojtjes së kushtetutës dhe ata që bashkëpunojnë me ta duhet të jenë kualifikuar në mënyrë të tillë që të llogarisin me gjithçka."