1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Java për Kosovën në Regensburg

22 Prill 2009

Në Regensburg të Gjermanisë filloi mbrëmë java shkencore me temë “Kosova – një vit pas pavarësisë”. Aktiviteti përmban një sërë referatesh dhe seminaresh rreth problemeve aktuale politike dhe shoqërore të Kosovës.

https://p.dw.com/p/Hbuq
Ura gotike, Regensburg
Ura gotike, RegensburgFotografi: AP

Në analizën që i bënë gjendjes aktuale në Kosovë, dy referuesit e mbrëmjes hapëse Johanna Deimel dhe Michael Martens, theksuan përgjegjësinë e BE-së ndaj Kosovës. Problemi i Kosovës duhet zgjidhur mundësisht brenda vitit, para se të vijë Spanja në krye të BE-së, argumentoi Johanna Deimel, e cila vitin e kaluar ka punuar në Zyrën Ndërkombëtare Civile të holandezit Peter Feith. “Bashkimi Evropian duhet të jetë me mendim unik në lidhje me të ardhmen e Kosovës dhe duhet të zgjedhë një rrugë sa më pragmatike për ta shoqëruar atë drejt pavarësimit. Por, unë shoh një problem të madh tek Spanja, e cila nuk i kursen fjalët kundër pavarësisë së Kosovës. Një shembull në këtë drejtim ishte edhe paralajmërimi i nxituar për tërheqjen e trupave”, tha Deimel.

Gzetari i "Frankfurter Allgemeine Zeitung", Michael Martens
Për gazetarin e "Frankfurter Allgemeine Zeitung", Michael Martens, problemi kryesor i Kosovës është mospërfshirja në politikat e liberalizimit të vizave të BE-së.Fotografi: FAZ

Për gazetarin e së përditshmes gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", Michael Martens, problemi kryesor i Kosovës është fakti, që ndryshe nga Serbia, ajo është përjashtuar nga politika e liberalizimit të vizave: “Kosova ka një gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe kjo është shumë e lidhur me mungesën e liridaljes. Emigracioni ka shërbyer prej qindra vjetësh si ventil për daljen nga kriza ekonomike”, arsyetoi korrespondenti nga Beogradi.

Arsimi në fokus

Një rrugë tjetër afatgjate për përballjen e problemeve ekonomike është investimi në kapitalin njerëzor, është i mendimit Conrad Clewing, organizator i javës shkencore. Prandaj edhe ai ka ftuar dy referues që do ta cekin këtë temë: Patër Walter Happel, themeluesin e shkollës së Prizrenit dhe ministrin e arsimit, Enver Hoxhaj. “Në javën tonë ne jemi fokusuar në çështjet e arsimit, sepse të rinjtë e Kosovës janë rritur me një sistem shumë të vështirë arsimor, i cili nuk u stabilizua as në kohën e UNMIK-ut," argumenton Clewing. Në kuadër të fundjavës do të zhvillohet edhe një simpozium me temë “Politika dhe korrupsioni” ku do të referojnë 15 shkencëtarë nga Varshava, Prishtina, Londra e Roma, mes tyre edhe profesori nga Vjena, Oliver Jens Schmitt.

Instituti Juglindje ekziston që nga viti 1930, nga koha e Vajmarit dhe merret me studimin e historisë dhe të tashmes së Evropës Juglindore. Deri para dy vjetësh ai e kishte selinë në Mynih, tani është transferuar në një qendër të re shkencore në Regensburg, të cilën e financon landi i Bavarisë: “Synimi ynë është që Regensburgu të shndërrohet në qendrën kryesore të Gjermanisë për studimet e Evropës Juglindore,” thotë Clewing.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama