1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Japin dorëheqje kryetarët e komunave në veri të Kosovës

Bekim Shehu
27 Nëntor 2018

Katër kryetarët e dorëhequr të komunave në veri, thonë se vendimi për dorëheqje vjen pasi që Prishtina vendosi taksë doganore për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Cilat do të jenë pasojat?

https://p.dw.com/p/38z4k
Protest in Rudare, Kosovo
Fotografi: Reuters/L. Hasani

Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës vendosën të shkëpusin të gjitha kontaktet me Prishtinën zyrtare, duke dhënë dorëheqje nga postet e tyre. Dorëheqjet e kryetarëve serbë të komunave në veri, pasojnë vendimin e qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës doganore100%, për të gjitha prodhimet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Në një konferencë për media pas një seance të jashtëzakonshme të kuvendit komunal të komunës së veriut të Mitrovicës, dorëheqjet i njoftuan kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, ai i Zveçanit, Vuçina Jankoviq, kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq. Ky i fundit, është edhe kryetar i Listës Serbe, që ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Shkaqet e dorëheqjes

Members of the KFOR peacekeeping force patrol outside the village of Rudare near Mitrovica
Fotografi: REUTERS

"Organet e administratës shqiptare të Prishtinës, në veri të Kosovës, nga sot nuk ekzistojnë. Funksionimi i mëtejmë i qeverisjes lokale përmes sistemit të Prishtinës është pezulluar. Autoritetet dhe shërbimet komunale nuk do të funksionojnë dhe kuvendet komunale nuk do të mbajnë më takime. Ky vendim është përfundimtar dhe do të mbetet në fuqi derisa Prishtina nuk i tërheqë të gjitha masat diskriminuese", tha Dejan Gureshiq, kryetari i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut. Katër kryetarët e komunave veriore nënshkruan një deklaratë të përbashkët ku thuhet se "vendimi për dorëheqje është marrë për shkak të ngritjes së taksës në 100% për mallrat serbe, përmes së cilës serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, për shërim dhe mbijetesë gjë që çon në krizë edhe më të thellë”.

Po ashtu në deklaratë thuhet se ”për shkak të dhunës së vazhdueshme, rrahjes së serbëve, arrestimeve të paligjshme dhe tentimit për të vrarë Milan Radojiçiqin (i dyshuar të ketë lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit vërejtje e autorit!) gjë që po ashtu rrezikon të drejtën për jetesë të serbëve në Kosovë”. Ndërsa, në pikën e fundit të deklaratës thuhet se "shkeljet e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, nga Rezoluta 1244, marrëveshjes së Brukselit, të CEFTA-s, pra të gjitha këto shkelje janë bërë nga Prishtina dhe vendimi për taksën është marrë duke u nisur nga mosrespektimi i të drejtave të serbëve të Kosovës.

Serbët e veriut të Kosovës sot, mbajtën edhe një protestë në sheshin kryesorë të veriut të Mitrovicës, kundër taksës së vendosur nga Prishtina për mallrat serbe.

Protestat paqësore

Protest in Rudare, Kosovo
Fotografi: Reuters/L. Hasani

Slavko Simiq, që është deputet i listës Srpska në kuvendin e Kosovës, tha se protesta e serbëve është paqësore, kundër institucioneve të Prishtinës të cilat sipas tij, "imponojnë taksat dhe kryen arrestime". "Kjo protestë është një nga hapat për të mbrojtur familjet tona, për të mbrojtur komunitetin tonë dhe interesat e popullit tonë. Nëse nuk ndryshon politika e qëndrimit të Prishtinës ndaj popullit serb, sigurisht se do të marrim hapa të mëtejshme për të qenë racional, por në pajtim me situatën", tha Sllavko Simiq.

Mediat lokale serbe në veri njoftojnë se edhe punëtorët e gjykatave në veri kanë ndërprerë punën, siç thuhet "në shenjë solidariteti me qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës”. Fotonet njofton se "kryetari i gjykatës në veri të Mitrovicës, Nikolla Kabashiq u ka dërguar letër shefave të misioneve ndërkombëtare dhe disa ambasadave me ndikim në Kosovë, nga të cilët kërkohet që të përdorin autoritetin e tyre dhe të ndikojnë në autoritetet e Prishtinës, që të ndryshojnë qëndrimin e vet në mënyrë që situata në Kosovë të normalizohet dhe ata të rikthejnë besimin ndaj popullatës serbe.

Sipas ligjeve të Kosovës, pas dorëheqjes së kryetarit të bashkisv, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 40 ditësh. Serbët në veri thonë se do të bojkotonin zgjedhjet e reja. Ndaj mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i autoriteteve në Prishtinë.