010310 Janukowitsch Brüssel
2 Mars 2010Së pari erdhi në Bruksel e më pas do të shkojë në Moskë. Me këtë renditje të udhëtimeve të tij të para, presidenti i ri i Ukrainës Viktor Janukoviç ka befasuar shumëkend. Me këtë ai përcaktoi prioritetet kryesore. Por partnerët evropianë nuk kërkojnë prej tij ndonjë përcaktim të qartë: ose BE-ja ose Rusia. Përkundrazi, presidenti i Komisionit José Manuel Barroso sheh një përparësi pikërisht në faktin që Ukraina mund të luajë rolin e një ure mes Brukselit dhe Moskës. „Ukraina ka një potencial të jashtëzakonshëm. Ukraina mund të profitojë shumë, pikërisht për shkak se është e afërt me BE-në dhe Rusinë. Ne nuk besojmë se atë e dëmton zhvillimi i raporteve me BE-në dhe me Rusinë njëkohësisht. Ne po përpiqemi po ashtu që të zhvillojmë raportet me Rusinë."´
BE kërkon raporte të mira Ukrainë- Rusi
BE-ja shpreson zhvillimin e raporteve të mira mes Rusisë dhe Ukrainës, sepse kjo do t'i jepte fund edhe grindjeve rreth gazit. Vet BE-ja para një viti ishte shumë e prekur nga këto grindje. Ajo shpreson tani se Janukoviçi do të bëjë reforma, të cilat deri tani ishin bllokuar për shkak të grindjeve të brendshme politike. Në qoftë se Ukraina përparon në këtë drejtim, Brukseli do të ofronte një varg lehtësimesh dhe përmirësimesh në raporte.
Përveç Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit si dhe tregtisë së lirë, në horizont ofrohet edhe mundësia e liberalizimit të vizave. Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy, pas bisedimeve me Janukoviçin ishte optimist. „Negociatat për Marrëveshjen e stabilizim-asociimit mes Ukrainës dhe BE-së si dhe Marrëveshja e tregtisë së lirë, janë temat kryesore për thellilmin e partneritetit mes tyre."
BE pret reforma
Një marrëveshje e asociimit është shkalla e parë në rrugën drejt anëtarësimit të mëvonshëm. Por a është ky qëllimi i Janukoviçit? „Ne e kemi të qartë se çfarë pret BE-ja prej nesh. Pret reforma. Kur të vjen koha, rezultatet do të jenë të dukshme. Sot ato nuk mund të parashikohen."
Ndryshe qëndron puna me anëtarësimin në NATO. Përderisa ish-presidenti Viktor Jushçenko angazhohej shumë për anëtarësim, Janukoviçi nuk vizitoi asnjëherë qendrën e NATO-s në Bruksel. Po cila është perspektiva ushtarake e Ukrainës? „Sa i përket bashkëpunimit me NATO-n tani jemi në nivelin e asaj që ka bërë paraardhësi im. Negociatat do të tregojnë nëse ky status do të ndryshojë, por tani për tani statusi mbetet i njëjtë. Ukraina do t'i përmbahet marrëveshjes për bashkëpunim me NATO-n. Raportet e partneritetit vazhdojnë të zhvillohen.“
Duket se Janukoviçi po mban të hapura shumë mundësi. Por me vizitën e tij në Bruksel ai është çliruar nga imazhi se është shërbëtor i Kremlinit.
Autor: Christoph Hasselbach/ Bahri Cani
Redaktoi: Aida Cama