1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010310 Janukowitsch Brüssel

2 Mars 2010

Presidenti i ri i Ukrainës, Viktor Janukoviç ka vendosur që të vizitojë fillimisht Brukselin e më pas Moskën. Në këtë mënyrë ai sinjalizon se është i interesuar për një balancim mes Lindjes dhe Perëndimit

https://p.dw.com/p/MHYJ
Janukoviçi në Bruksel - BE parashikon lehtësimin e vizave
Janukoviçi në Bruksel - BE parashikon lehtësimin e vizaveFotografi: AP

Së pari erdhi në Bruksel e më pas do të shkojë në Moskë. Me këtë renditje të udhëtimeve të tij të para, presidenti i ri i Ukrainës Viktor Janukoviç ka befasuar shumëkend. Me këtë ai përcaktoi prioritetet kryesore. Por partnerët evropianë nuk kërkojnë prej tij ndonjë përcaktim të qartë: ose BE-ja ose Rusia. Përkundrazi, presidenti i Komisionit José Manuel Barroso sheh një përparësi pikërisht në faktin që Ukraina mund të luajë rolin e një ure mes Brukselit dhe Moskës. „Ukraina ka një potencial të jashtëzakonshëm. Ukraina mund të profitojë shumë, pikërisht për shkak se është e afërt me BE-në dhe Rusinë. Ne nuk besojmë se atë e dëmton zhvillimi i raporteve me BE-në dhe me Rusinë njëkohësisht. Ne po përpiqemi po ashtu që të zhvillojmë raportet me Rusinë."´

Presidenti i ri i Ukrainës, Viktor Janukoviç
Presidenti i ri i Ukrainës, Viktor JanukoviçFotografi: AP

BE kërkon raporte të mira Ukrainë- Rusi

BE-ja shpreson zhvillimin e raporteve të mira mes Rusisë dhe Ukrainës, sepse kjo do t'i jepte fund edhe grindjeve rreth gazit. Vet BE-ja para një viti ishte shumë e prekur nga këto grindje. Ajo shpreson tani se Janukoviçi do të bëjë reforma, të cilat deri tani ishin bllokuar për shkak të grindjeve të brendshme politike. Në qoftë se Ukraina përparon në këtë drejtim, Brukseli do të ofronte një varg lehtësimesh dhe përmirësimesh në raporte.

Përveç Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit si dhe tregtisë së lirë, në horizont ofrohet edhe mundësia e liberalizimit të vizave. Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy, pas bisedimeve me Janukoviçin ishte optimist. „Negociatat për Marrëveshjen e stabilizim-asociimit mes Ukrainës dhe BE-së si dhe Marrëveshja e tregtisë së lirë, janë temat kryesore për thellilmin e partneritetit mes tyre."

BE pret reforma

Një marrëveshje e asociimit është shkalla e parë në rrugën drejt anëtarësimit të mëvonshëm. Por a është ky qëllimi i Janukoviçit? „Ne e kemi të qartë se çfarë pret BE-ja prej nesh. Pret reforma. Kur të vjen koha, rezultatet do të jenë të dukshme. Sot ato nuk mund të parashikohen."

Në Moskë nënshkruhet marrëveshja Rusi - Ukrainë, janar 2009
Në Moskë nënshkruhet marrëveshja Rusi - Ukrainë, janar 2009Fotografi: Olexander Prokopenko

Ndryshe qëndron puna me anëtarësimin në NATO. Përderisa ish-presidenti Viktor Jushçenko angazhohej shumë për anëtarësim, Janukoviçi nuk vizitoi asnjëherë qendrën e NATO-s në Bruksel. Po cila është perspektiva ushtarake e Ukrainës? „Sa i përket bashkëpunimit me NATO-n tani jemi në nivelin e asaj që ka bërë paraardhësi im. Negociatat do të tregojnë nëse ky status do të ndryshojë, por tani për tani statusi mbetet i njëjtë. Ukraina do t'i përmbahet marrëveshjes për bashkëpunim me NATO-n. Raportet e partneritetit vazhdojnë të zhvillohen.“

Duket se Janukoviçi po mban të hapura shumë mundësi. Por me vizitën e tij në Bruksel ai është çliruar nga imazhi se është shërbëtor i Kremlinit.

Autor: Christoph Hasselbach/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama