1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Janë gjetur zgjidhje shumë të mira për pakicat dhe grupet etnike.'

Bahri Cani9 Prill 2008

Intervistë me profesorin gjerman për të drejtën kushtetuese dhe civile, Christian Tomushat

https://p.dw.com/p/Df4W
Flamuri i KosovësFotografi: picture-alliance/ dpa

Parlamenti i Kosovës miratoi kushtetutën e re, e cila e definon atë si një shtet të të gjithë qytetarëve ku respektohen të gjitha parimet e shtetit juridik dhe barazia etnike. Në pyetjen se a i plotëson kjo kushtetutë të gjitha standardet e një vendi demokratik, profesori gjerman i së drejtës kushtetuese dhe civile, Christian Tomuschat, përgjigjet:

'Mendoj se po. Mendoj se është shumë me rëndësi që kushtetuta që në premabulë e thotë se Kosova do të jetë vendi i të gjithë qytetarëve të saj. Në shumë vende thuhet qartë, se të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe se Kosova do të jetë shtet shumëetnik, e jo vetëm shtet i shqiptarëve, dhe se nuk do të ketë të diskriminuar. Janë këto edhe bazat themelore të një kushtetute, të cilat janë përfshirë edhe në tekstin e kushtetutës së Kosovës."

Një prej çështjeve më deliakte me siguri që është përkufizimi i pozitës dhe i të drejtave të minoriteteve, jo vetëm të serbëve por edhe i minoriteteve të tjera.

'Me rëndësi është që serbët të mos e ndiejnë veten si qytetarë me më pak të drejta dhe të kenë një shkallë autonomie. Nuk e kam lexuar kushtetutën e plotë dhe nuk e di nëse u ofrohet ndonjë autonomi politike, por që në parimet bazë thuhet se kushtetuta bazohet mbi parimet e akteve ndërkobëtare për minoritetet. Në kushtetutë i jepet madje përparësi institucioneve ndërkombëtare në krahasim me ato vendore, prandaj mund të thuhet se në letër është kjo një kushtetutë shumë e mirë.'

Serbët e Kosovës si bashkësia më problematike etnike gjenden nën presionet e përhershme të Serbisë, e cila thotë se Kosova edhe më tej është pjesë e saj. Ndërkohë që institucionet e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar kërkon prej tyre respektimin e realiteitit të ri. Pra çfarë duhet të bëjnë ata?

'Mendoj se për serbët do të ishte më së miri sikur të jenë lojalë dhe të bashkëpunojnë me qeverinë në Prishtinë, me synim që të arrijnë zgjidhjet më të mira. Unë e kuptoj se serbët e veriut të Kosovës më me dëshirë do të mbeteshin në Serbi, por tani është marrë një vendim politik lidhur me këtë çështje. Mendoj se në një Kosovë tolerante ku nuk ka diskriminime serbët mund të jetojnë shumë mirë, e madje edhe më mirë se në Serbi, sepse si pakicë do të kenë më shumë të drejta se ndonjë grup në periferi.'

Serbia pohon se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Prej vendeve që e kanë njohur pavarësinë kërkon madje që të heqin dorë nga kjo njohje. Sa reale është kjo kërkesë dhe a mendoni se është reale që shtetet ta tërheqin vendimin për njohjen e një vendi tjetër?

'Diçka e tillë do të ishte shumë, shumë e pazakonshme. Njohhja e një shteti mund të tërhiqet vetëm në qoftë se ky shtet shkel bazat dhe premtimet themelore. Unë nuk e besoj se asnjë prej këtyre 38 shteteve që e kanë njohur pavarësinë do ta tërheqin atë. Mundësia ekzitson por një gjë e tilë mund të ndodhë vetëm në qoftë se Kosova i trajton serbët si qytetarë të rendit të dytë, e nuk e besoj se një gjë e tillë mund të ndodhë.'