1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jakupi: KSHZ implementon rekomandimet e OSBE-ODHIR-it

Me 13 prill në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Komisioni Shtetëror Zgjedhor në këtë proces zgjedhor për herë të parë do të inkormporojë edhe disa rekomanime të OSBE-ODHIR.

DW: Në këto zgjedhje presidenciale KSHZ për herë të parë do të implementojë disa rekomandime të OSBE-ODHIR, për të cilat është arritur edhe marrëveshje mes partive politike. A janë bërë me kohë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet presidenciale?

Jakupi: Ju e dini se në ciklet e fundit zgjedhorë në Maqedoni, rekomandimet e OSBE-ODHIR nuk kanë hasur në mirëkuptim nga partitë politike relevante në vend dhe janë miratuar pa konsensus. Tani kemi një situatë ndryshe, partitë politike miratuan një zëri rekomandimet e OSBE-ODHIR-it. KSHZ tani kryekëput është e angazhuar në organizimin e zgjedhjeve presidenciale, gjithnjë duke marrë parasysh edhe ndryshimet e fundit të Kodit zgjedhor, me qëllim që të njëjtat të gjejnë implementim të plotë. KSHZ deri më tani punon në harmoni me kalendarin e paraparë për organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe me plot përgjegjësi mund të konstatojmë se jemi në përgatitje të plotë.

DW: Në adresë të KSHZ-së kishte kritika për disa pengesa teknike, me të cilat u përballën kandidatët e pavarur në grumbullimin e nënshkrimeve për zgjedhje presidenciale. A janë mënjanuar këto probleme?

Jakupi: Kësaj radhe, që të jemi më afër votuesve, KSHZ përveç që hapi zyrat në 34 njësi rajonale permanente, hapi edhe zyra alternative në të gjitha komunat e vendit, ku ne mbulojmë 80 komuna me zyra tona, të cilat ofrojnë mundësinë e grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme nga votuesit për kandidatët e pavarur për president të shtetit. Nga asociacioni MOST në preskonferencën e tyre kemi qënë të potencuar se KSHZ ka vepruar mirë në këtë cikël zgjedhor për grumbullimin e nënshkrimeve.

DW: Lista zgjedhore është në shqyrtim publik. A keni raste, kur mungon emri i ndonjë votuesi?

Jakupi: Deri tani kemi mbi 100 kërkesa për regjistrim të votuesve dhe mbi 60 kërkesa për ndryshim të të dhënave, duke marrë parasysh numrin e ankesave mund të konstatojmë se kemi regjistër zgjedhor me evidencë të mirë, por e presim edhe përfundimin e afatit dhe atëherë do të kemi pasqyrë të saktë të evidencës të votuesve, vlerësoj se procesi është duke u realizuar mirë.

DW: Është ende aktual pastrimi i listës zgjedhore nga votuesit fiktivë. KSHZ, Ministria e punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë hedhin fajin njëri tjetrit se kush ka për obligim të bëjë pastrimin e listës zgjedhore nga votuesit fiktivë. Si do të tejkalohet kjo mosmarrëveshje?

Jakupi: KSHZ është kompetente për mbarëvajtjen administrative të listës zgjedhore, por është më se e vërtetë, që neve të dhënat na i dorëzon Ministria e Punëve të Brendshme, e Drejtësisë dhe Enti shtetëror për Statistikë. Të tri institucionet e lartëpërmendura janë në bashkëveprim për spastrimin e listës zgjedhore nga votuesit fiktivë.

DW: Partia opozitare shqiptare, PDSH, ka kërkuar rishqyrtimin e numrit të votuesve në njësinë numër 6, meqë sipas tyre numri aktual i votuesve kalon 5% nga njësitë e tjera. A ka kohë për redifinimin e kufive të njësisë zgjedhore 6?

Jakupi:vNë ndryshimet e fundit të Kodit zgjedhor ka pasur edhe ndryshime parciale në ridefinimin e njësive zgjedhore, sa i përket normës ligjore, që diferenca në mes njësive zgjedhore në numrin e votuesve mund të tolerohet në - 5% deri më + 5%, ku 9 vendvotime me numër të votuesve rreth 6 mijë e 500 që i përkisnin komunës së Dibrës kanë kaluar nga njësia numër 6 në njësinë numër 5. Vlerësoj se ky ndryshim është në harmoni me kodin zgjedhor. Meqë tani jemi në proces të organizimit të zgjedhjeve presidenciale dhe për këto lloj zgjedhjesh kemi vetëm një njësi zgjedhore, nuk kemi obligim ligjor për ndarjen e njësive zgjedhore.

DW: Z.Jakupi, në çfarë gjuhe do të jenë listat zgjedhore, sepse partitë politike shqiptare kanë kërkuar që gjuha shqipe të figurojë në listat zgjedhore në ato komuna, ku mbi 20% e qytetarëve flasin gjuhën tjetër nga ajo zyrtarja?

Jakupi: Materiali zgjedhor në komunat, që më së paku flasin mbi 20% gjuhë të tjera nga gjuha maqedone, përdoret dhe distribuohet në gjuhët, që plotësojnë kushtin ligjor. Listat zgjedhore, që janë pjesë e materialit zgjedhor, shtypen në harmoni me kodin zgjedhor, këtu kemi problem teknik, meqë Enti Shtetëror për Statistikë të dhënat i jep vetëm në gjuhën maqedone.

DW: Në këto zgjedhje presidenciale për herë të parë voton edhe diaspora. Ku dhe si do të votojnë ata?

Jakupi: Votimi i diasporës për zgjedhjet presidenciale në procedurë nuk ndryshon nga ato parlamentare, që u realizuan në vitin 2011. Ne në kohë kemi informuar për procedurat e votimit të diasporës dhe besoj se do të kemi sukses, që votimi i diasporës të realizohet pa asnjë mangësi.

DW: Në këto zgjedhje presidenciale për herë të parë do të përdoret ngjyra speciale e zezë e dukshme ,me të cilën do të shënohet gishti i votuesit. A është furnizuar KSHZ me këtë lloj të markeri?

Jakupi: Jemi në fazën e furnizimit të ngjyrës të dukshme, që do të evidentohet votuesi me këtë mjet, që për ne është risi. Nga vizita e delegacionit zyrtar të KSHZ-së, që kishte në KQZ-në e Shqipërisë, u njoftuam për se afërmi për mënyrën e përdorimit, përmbajtjes dhe çështjeve të tjera të stilolapsit me ngjyrë të dukshme dhe besoj se do të jemi efikas në këtë drejtim.

DW: Anëtarët e KSHZ-së kanë vizituar disa vende të rajonit për t'u njoftuar në praktikë me ndryshimet, që bëhen në procesin e zgjedhjeve. Cilat përvoja do të barten tek ne?

Jakupi: Ne jemi anëtar të Asociacionit të Komisioneve Zgjedhore për Evropën Juglindore me seli në Budapest. Këmbimi i përvojave me anëtarë të tjerë të komisioneve zgjedhore janë pjesë e pandashme e punës së këtij Asociacioni. Siç theksova edhe më lart nga vizita, që bëmë në KQZ-në e Shqipërisë dhe eksperiencën, që është treguar atje, ne për herë të parë në këto zgjedhje presidenciale do të përdorim ngjyrën e dukshme, që do të evidentohet votuesi.

DW: Ende nuk është definitive, por flitet se ka gjasa, që krahas zgjedhjeve presidenciale të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. A ka kapacitet KSHZ, që paralelisht të organizojë dy procese zgjedhore?

Jakupi: Sa i përket zgjedhjeve paralele, që mund të ndodhin, KSHZ ka kapacitet për organizimin e këtij procesi zgjedhor të komplikuar, por do të shtoja, që do të jetë shumë i vështirë organizimi tekniko-administrativ i zgjedhjeve eventuale paralele.