1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jahjaga: KQZ-ja të gjejë zgjidhje të qendrueshme për zgjedhjet lokale

Bekim Shehu2 Shtator 2013

Presidentja e Kosovës për zgjedhjet lokale inkurajon KQZ për gjetjen e një zgjidhjeje të qendrueshme. Ndërsa kryeministri i Serbisë kërkon, zgjedhje lokale neutrale ndaj statusit dhe pa simbole shtetërore.

https://p.dw.com/p/19a9x
Fotografi: DW

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, inkurajon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që në përputhje me mandatin e tij, të gjejë një zgjidhje ligjore që respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës dhe siguron pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit. Këtë deklaratë, presidentja Jahjaga e bëri nëpërmjet në komunikate të shkruar, në kohën kur akoma po zhvillohen debate se a duhet të ketë logo të Republikës së Kosovës në fletëvotime apo ajo. "Pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb në komunat veriore të vendit, në zgjedhjet e 3 nëntorit ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e tyre dhe proceset demokratike të Kosovës", thotë presidentja Jahjaga.

Ajo thekson gjithashtu se "këto zgjedhje duhet të jenë demokratike, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse", duke inkurajuar KQZ-në "që të gjejë zgjidhje, të cilat do të jenë të përshtatshme për të gjithë qytetarët, për të siguruar pjesëmarrjen masive në zgjedhje".

Ivica Daciq
Fotografi: AP

Ndërkohë, mediat lokale serbe shkruajnë se kryeministri i Serbisë, Ivica Daciq, ka theksuar se "mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është e pranueshme vetëm nëse ato janë neutrale ndaj statusit, pra zgjedhje pa simbole shtetërore.”Daciq thotë se "Beogradi po kërkon që serbët të kenë përfaqësuesin e vet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, gjë deri tani nuk ekziston, në mënyrë që materiali zgjedhor të jetë neutral ndaj statusit duhet të mos ketë stemë të Republikës së Kosovës në fletëvotimet."

Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daciq do të zhvilliohet më 08.09, ku çështja e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit do të jetë sërish temë diskutimi, krahas çështjes së energjisë dhe telekomunikacionit.