1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli zbut bllokadën në Rripin e Gazës

AG/Lindita Arapi27 Dhjetor 2012

Zbutja e bllokadës është pjesë e armëpushimit mes Izraelit dhe Rripit të Gazës të arritur në nëntor. Izraeli sinjalizon zbutje të mëtejshme në rast se respektohet armëpushimi.

https://p.dw.com/p/179L0
Tuneli i njohur si tuneli i kontrabandës në GazaFotografi: DW/S. Al Farra

Izraeli ka vendosur të lehtësojë kufizimet e hyrjes së mallrave në Rripin e Gazës. Për herë të parë pas pesë vjetësh, të dielën do të lejohet hyrja e 20 mauneve me mall ndërtimi të sektorit privat në territorin palestinez, ka njoftuar radioja izraelite. Lajmi u konfirmua edhe nga funksionari palestinez, Raed Fattuh, i cili foli me agjencinë e lajmeve, AFP.

Zbutja e bllokadës është pjesë e armëpushimit mes Izraelit dhe Rripit të Gazës të udhëhequr nga Hamasi dhe e ndërmjetësuar nga Egjipti, marrëveshje kjo që në nëntor çoi në ndalimin e luftimeve dhe ndërprerjen e sulmeve nga ajri. 

Palästina Gaza Schmuggeltunnel
Tuneli i kontrabandës në Gaza ka shërbyer për t'iu kundërpërgjigjur bllokadës izraeliteFotografi: DW/S. Al Farra

Sinjalizohet zbutje e mëtejshme e bllokadës

Sipas palës izraelite, nëse Hamasi dhe grupe të tjera radikale palestineze do të vazhdojnë të respektojnë marrëveshjen, bllokada e Izraelit do të vazhdojë të zbutet edhe më tej. Një zëdhënës i zyrës izraelite të koordinimit pohoi se nëse armëpushimi do të jetë i qëndrueshëm si hap tjetër pritet edhe përmirësimi i furnizimit me energji elektrike në Veriun e Rripit të Gazës.

Izraeli e izoloi Rripin e Gazës në vitin 2006 si pasojë e sulmeve me raketa dhe rrëmbimit të ushtarit izraelit, Gilad Shalit. Pas ardhjes në pushtet të Hamasit, bllokada në Rripin e Gazës u ashpërsua edhe më tej.  Por vetëm si reagim ndaj kritikave ndërkombëtare, nga viti 2010 është lejuar vetëm kalimi i mallrave të ndërtimit për projekte ndërtimi të organizatave humanitare.