Izraeli vazhdon ndërtimet - cënohen negociatat
27 Shtator 2010Kolonët e kremtuan fundin e moratoriumit të ndërtimeve në Kiriat Netafim, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të Jordanit. Ata afruan kamionë si dhe gatuesit e betonit dhe vunë gurin e parë për një kopsht të ri fëmijësh. Gershon Mesika, kryetari i këshillit të zonës Samaria, e quajti presidentin Barack Obama, i cili qe angazhuar për një vazhdim të moratoriumit të ndërtimeve me emrin e tij të dytë, arab: "Që nga kjo skenë", tha Mesika, "unë i drejtohem Husein Obamas dhe i them: vendi Izrael i përket popullit të Izraelit".
Leja për ndërtime
Ministri i Transportit, Jisrael Katz tha në fjalën e tij solemne me rastin e përfundimit të moratoriumit të ndërtimeve: "Që prej mesnatës, banorët, që kanë marrë leje të rregullta ndërtimi, kanë mundësi të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të tyre. Unë dëshiroj ta falenderoj kryeministrin Netanjahu, kryetarin e Likudëve, i cili iu përmbajt detyrimeve të tij dhe parimit të bisedimeve të paqes."
Kryeministri izraelit, Netanjahu telefonoi të dielën disa herë me ministren e Jashtme të SHBA, Clinton, me presidentin egjiptian, Mubarak dhe me mbretin e Jordanisë, Abdullah. Kryeministri shpreson se palestinezët do të marrin sërish pjesë në bisedimet e paqes. Presidenti palestinez, Mahmud Abas pati bërë të ditur se do t'i ndërpriste negociatat, nëse Izraeli nuk do ta zgjaste moratoriumin e ndërtimit të kolonive të reja.
Netanjaju synon "bisedime të ndershme"
Në një deklaratë të tij, Netanjahu i bëri thirrje presidentit Abas, që t'i vazhdojë "bisedimet e mira dhe të ndershme", për të arritur një marrëveshje historike paqeje. Izraeli është i gatshëm, tha kryeministri, që në ditët e ardhshme të gjejë së bashku me SHBA dhe palestinezët një rrugë, për t'i vazhduar negociatat. Netanjahu theksoi se synimi i tij për të lidhur një marrëveshje paqeje, ishte "serioz dhe i ndershëm".
Sipas informacioneve të kanalit të parë televiziv izraelit, izraelitët, palestinezët dhe negociatorët amerikanë do të kërkojnë javën e ardhshme një kompromis të ri. Dakordimi do të jetë pastaj baza për bisedime të reja paqeje. Bisedat për një kompromis të tillë nisën, sipas të dhënave të gazetës izraelite "Ha'aretz", që natën e kaluar.
Autor: Sebastian Engelbrecht/Auron Dodi
Redaktoi: Bahri Cani