Ivica Dacic merr mandatin për krijimin e qeverisë në Serbi
28 Qershor 2012Presidenti i Serbisë Tomislav Nikolić deklaroi se Ivica Dačić ka kërkuar mandat për formimin e qeverisë dhe e ka bindur se ka shumicën dhe mund të caktojë datën për vazhdimin e seancës konstituive të parlamentit të Serbisë. "Qeveria e Serbisë duhet të jetë e vogël në numër, efikase dhe e përgjegjshme, që me marrëveshje të vendosë për çështje të rëndësishme për qytetarët“, tha Nikolić pas takimit me Dačićin. Ai tha se çfarëdo qeverie që të zgjidhet, ajo duhet të jetë në rrugë evropiane dhe nuk të trembet nga qëndrimi i askujt.
Lëvizje e beftë
Socialistët serbë (SPS) kanë bërë një kthesë të habitshme në negociatat për koalicionin, njofton agjencia gjermane dapd. Kryetari i SPS-së Ivica Dačić njoftoi se partia Serbe e Progresit, SNS, parti proruse, i ka ofruar funksionin e kryeministrit. Para kësaj socialistët kishin negociuar me partinë Demokrate të ish-presidentit Boris Tadić. "Përse të jemi në qeverinë e dikujt, perderisa mund ta drejtojmë atë“, është shprehur Dačić.
Tadić kritikoi deklaratat e Dačićit dhe kërkoi prej tij të thotë shkaqet, që kanë çuar në pengimin e negociatave me demokratët. Dačić u shpreh se humbja e Tadićit në zgjedhjet presidenciale ka ndryshuar "skenën politike" në vend. Kështu që për socialistët është më mirë të bëjnë aleancë me nacionalistët. Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në maj, as demokratët e Tadićit dhe as partia e progresit e Nikolićit nuk morën votat e nevojshme, që të mund të qeverisnin të vetme. Që atëherë edhe njëra edhe tjetra palë luftojnë për mbështjetjen e socialistëve, që të mund të formonin koalicionin me to.
Qeveri proruse?
Me marrjen e pushtetit në Beograd nga „koalicioni zi-kuq“ i socialistëve dhe nacionalistëve në pushtet do të vijnë shumë ish-aleatë të ish-udhëheqësit serb Slobodan Milošević, vlerëson agjencia dapd. Milošević e krijoi SPS-në në vitet 90-të. Dačić ka qenë javët e fundit dy herë në Rusi dhe është shprehur se Kremlini ka bërë presion, që të formojë qeverinë me nacionalistët. Përfaqësuesit e vendeve perëndimore shpresonin se në krye të qeverisë do të vinte Tadići, për të kufizuar qëndrimin e presidentit prorus Nikolić.
sb/dapd