1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140911 Italien China

15 Shtator 2011

Italia e zhytur në borxhe po përpiqet me sa duket për ndihmë nga Kina. Ministria e Financave në Romë konfirmoi se ka pasur bisedime midis ministrit të Financave, Tremonti dhe shefit të Fondit më të madh kinez, Jiwei

https://p.dw.com/p/12ZCo
Foto simbolike e monedhës së euros në Kinë
Foto simbolike e monedhës së euros në KinëFotografi: Gina Sanders/Fotolia.com

Italia është këto ditë një fuçi pa fund. Disa miliarda euro ka investuar Banka Qendrore Evropiane vetëm javët e fundit në hua shtetërore italiane. Por investuesit kjo duket se nuk i qetëson. Përkundrazi: bonde shtetërore italiane tani kërkohen pak. Ai që të martën blinte hua shtetërore italiane me një kohëzgjatje prej pesë vjetësh, tani merr 5,6 përqind interesa. Kjo shumë nuk ka qenë më parë kurrë e tillë, që prej ekzistencës së eurozonës.

Në krizën e borxheve Italia tani mbështetet në ndihmën nga Kina. Javën e kaluar, ministri italian i Financave, Giulio Tremonti u takua me shefin e Fondit më të madh shtetëror kinez të investimeve, Lou Jiwei. Përmbajtja e bisedës është e shkurtër, thotë Giuliano Noci, ekspert për Kinën i Universitetit Teknik të Milanos.

Kina jo si bamirëse, por për të përfituar

Kriza financiare në Itali: Ministri i Financave Giulio Tremonti
Kriza financiare në Itali: Ministri i Financave Giulio TremontiFotografi: picture-alliance / dpa

"Kina është aktualisht vendi që ka më shumë mjete financiare në dispozicion: 3.200 miliardë dollarë, një shifër impresionuese, dy herë më e lartë se produkti kombëtar bruto. Natyrisht që Kina e hedh vështrimin e interesuar nga Evropa dhe Italia dhe shikon çfarë mund të përfitojë."

Kjo do të thotë: Kina nuk vjen si bamirëse e Lindjes së Largët për të investuar në përmasa të mëdha në bonde shtetërore italiane. Shpresa të ngjashme u zhgënjyen tashmë në krizën e borxheve të Greqisë dhe Portugalisë. Kina kërkon të investojë, thonë ekspertët, dhe kjo në industritë kyçe të Italisë: teknologji, energji. Këto "margaritarë të Italisë" janë në pjesën më të madhe ende në pronësi shtetërore. Një pjesëmarrje e kinezëve do të sillte shumë para në arka.

"Kinezët kanë natyrisht interes në margaritarët tanë dhe veç kësaj ata janë të interesuar që të marrin mbështetje politike në rrafsh ndërkombëtar. Në këtë kuadër ata mund të blejnë një pjesë të huave tona shtetërore dhe të kërkojnë si shpërblim që Italia ta mbështesë në plan ndërkombëtar Kinën."

Pra kemi të bëjmë me një biznes reciprok.

 

Autor: Tilmann Kleinjung/Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi