1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Itali: Renzi lëkundet pak

Bernd Riegert20 Qershor 2016

Shkurajim i madh për reformatorin Renzi në Itali. Pas zgjedhjeve komunale atij i duhet të përballojë një referendum.

https://p.dw.com/p/1JABs
Russland Wirtschaftsforum SPIEF 2016 in St. Petersburg
Fotografi: picture-alliance/dpa/V. Astapkovich

Pak para raundit të dytë të zgjedhjeve komunale, kryeministri Matteo Renzi u përpoq ta minimizonte rëndësinë e votimit. Këto zgjedhje nuk janë test për koalicionin e tij socialdemokrat-konservator, por vetëm një çështje me rëndësi lokale, tha ai.

Por mendimi i medieve dhe i shumë italianëve megjithatë ishte tjetër: për banorët e Romës, Torinos, Milanos dhe Napolit ishte e qartë se vota e tyre pro ose kudër mund të vendoste edhe për fatin e shefit të partisë socialdemokrate (PD) dhe të kryeministrit. Të paktën ta paravendosë. Sepse testi i vërtetë do të vijë në tetor.

Në tetor Renzi do ta riorganizojë rrënjësisht sistemin parlamentar të Italisë dhe do të ndryshojë për këtë kushtetutën. Populli do të vendosë atëherë vetë, në një referendum. Italianët do të vendosin jo vetëm për dobësimin e dhomës së dytë të Parlamentit, por edhe për Matteo Renzin vetë. Të ardhmen e tij politike ai e ka lidhur me rezultatin e referendumit. Një çështje besimi. A e ka ai akoma besimin e popullit?

Lëvizja protestuese triumfon

Jo thonë "Grillini" mbështetësit e opozitarit fondamentalist Beppe Grillo. "Zgjedhjet komunale qenë vetëm antipasta për një qeveri nacionale" deklaroi triumfuese të dielën (19.06) në mbrëmje në darkën elektorale të Grillinit një anëtar drejtues i lëvizjes Pesë Yje (Cinque Stelle). Kandidatja e Pesë-Yjeve, Viginia Raggi e fitoi postin e kryetares së bashkisë me një përparësi të madhe.

Edhe në Torino zgjedhëset dhe zgjedhësit i besuan lëvizjes së ish-komedianit më shumë se kampeve tradicionale politike. Në Milano dhe në Bolonjë arriti të fitonte partia socialdemokrate e Renzit. Po ta kishte humbur Milanon, zemrën ekonomike të Italisë, përballë Aleancës së Lega Nord dhe Silvio Berluskonit, Renzit do t'i ishte dashur me siguri të largohet.

Italien Rom Senat Gleichberechtigung Homo-Ehe
Senati në RomëFotografi: Getty Images/F.Monteforte

Gjakrat në partinë e Renzit janë ende të nxehta

Shuplaka në zgjedhje veçanërisht në Romë, ku vjeshtën e kaluar një socialdemokrati iu desh të jepte dorëheqjen pas skandaleve të korrupsionit, vazhdon ta përçajë PD. Ajo është përçarë në të paktën tri krahë. Veçanërisht të majtët nën ish-komunistin Massimo D'Alema duan të shpëtojnë sa të jetë e mundur më shpejt nga Renzi, nga pragmatiku reformator socialliberal. Në vitin 2014 Renzi arriti t'i fitojë zgjedhjet evropiane me 41 përqind të votave qartësisht. Por nga ky rezultat ai për momentin është shumë larg. Grillinit i janë qepur atij pas, ndërsa konservatorët dhe populistë e djathtë vijnë në sondazhe pas Grillinit. Pjesë të tyre qeverisin me Matteo Renzin në një koalicion të vështirë.

Renzi vetë nuk duhet të presë keqardhje nga shokët e tij të partisë, të cilët po mendojnë për alternativa ndaj shefit. Sepse Matteo Renzi, ish-kryetari i bashkisë së Firences nuk e mori pushtetin me zgjedhje, por e largoi në 2014-ën me një puç nga kreu i partisë, parardhësin e tij Enrico Letta dhe mori edhe postin e kryeministrit. Ky fat mund ta presë tani edhe atë vetë.

Ekonomia ajo që ka rëndësi

Matteo Renzi ka nisur një sërë reformash në strukturat e sklerotizuara të Italisë. Reforma e ligjit të zgjedhjeve, riorganizimi i parlamentit, riorganizimi i drejtësisë dhe reforma e diskutueshme e tregut të punës janë vetëm disa nga shembujt. Renzi tepër dinamik u premtoi italianëve një reformë të re në çdo muaj. Këtë ritëm ai vërtet që nuk e ka mbajtur dot, por bashkëatdhetarët e tij ka arritur që më tepër t'i frikësojë se sa t'i impresionojë.

Problemi më i madh për qeverinë është që ekonomia rritet me ritme të ulëta, papunësia vërtet që gradualisht po ulet, por ajo vazhdon të jetë e lartë para së gjithash tek italianët e rinj. Numri i "working poor" po rritet, pra i njerëzve që megjithëse kanë një vend pune arrijnë të mbijetojnë vetëm me mundim.

Para së gjithash italianët e rinj, që nuk gjejnë punë fikse dhe që nuk janë në gjendje të blejnë një banesë janë kaq të zhgënjyer nga partitë e vjetra, sa votojnë për Grillinit. Bindja "më keq nuk mund të bëhet" luan një rol. Argumentat racionale hidhen pas krahëve.

Ndikim në Itali mund të kenë edhe ngjarjet në vendet e tjera. Nëse britanikët do të votojnë për dalje nga BE, kjo e rrit kundërshtimin ndaj Renzit. Po të triumfojnë populistët në ishull, populistët e Italisë do të marrin krahë.