1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Itali: Asfalt prej mbeturinave urbane

Rrugë prej mbeturinash - kjo nuk tingëllon mjaft tërheqëse. Megjithatë, kryeqyteti i Italisë Roma shpreson në një ide të tillë.

Italia ka një problem me mbeturinat. Vetëm në kryeqytet, në Romë, prodhohen çdo vit rreth dy milion ton mbeturina. Prandaj patenta për prodhimin e eko-asfaltit nga mbeturinat është mjaft e mirëpritur. Alessandro Filippi shefi i ndërmarrjes së mbeturinave urbane të Romës AMA, e cila ka patentuar procedurën për eko-asfaltin, është i bindur se kjo mund të shërbejë për pakësimin e maleve me mbeturina dhe për mbrojtjen e ambientit. Eko-asfalti nuk prodhohet nga zalli dhe bitumet që përmbajnë naftë, prandaj ai nuk shërben vetëm për pakësimin e plehërave dhe të mbeturinave, por edhe për ruajtjen e rezervave të lëndëve të para.

Mbetjet urbane si material fillestar

Edhe drejtoresha e Drejtorisë së Ambientit për Romën, Estella Marino, thotë se ky lloj asfalti që mund të përdoret për të shtruar rrugë apo trotuare, është mjaft premtues, sepse në vend që mbeturinat të përfundojnë në depozitat e plehërave ato mund të shfrytëzohen si material ndërtimi.

Prodhimi i asfaltit është relativisht i thjeshtë. Si material fillestar shërbejnë mbetjet urbane, të cilat seleksionohen për të veçuar prej tyre ndër të tjera një pjesë organike. Ky material përzihet pastaj me materiale të tjera, me hi, për shembull. Përzierja është një proces thjesht mekanik, thotë Alessandro Filippi. Ai sqaron se gjatë procesit nuk krijohen aspak lloje lëndësh të rrezikshme apo të dëmshme.

Patentë mjaft e thjeshtë

Roma mund të shndërrojë rreth një të gjashtën e mbeturinave të saj në asfalt. Kjo do të thotë rreth 300 mijë ton në vit. Italia nuk është i vetmi vend që dëshiron të përdorë mbeturinat për ndërtimin e rrugëve dhe që po eksperimenton me këtë gjë. Drejtoresha e Drejtorisë së Ambientit për Romën, Estella Marino, thotë se patenta është mjaft e thjeshtë dhe se Italia mund të tregojë tani që edhe këtu po ndërmerren hapa drejt teknikave ekologjike të prodhimit.

Roma shpreson që vitin e ardhshëm të dalë në treg me eko-asfaltin e prodhuar nga mbeturinat. Lëndë të parë për këtë ka mjaft.