1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ishinger: Statusi i Kosovës është zgjidhur, por dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është i domosdoshëm

Bahri Cani31 Tetor 2008

Me Serbinë duhen vazhduar negociatat për çështjet konkrete, shprehet ish-ndërmjetësuesi gjerman në negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës, diplomati Volfgang Ishinger. Ai përjashton mundësinë e ndarjes së Kosovës

https://p.dw.com/p/Fl3W
Diplomati gjerman dhe ish-ndërmjetësues në negociatat shqiptaro-serbe, Volfgang Ishinger (Wolfgang Ischinger)Fotografi: AP

DW: Z. Ishinger para pak kohësh ju jeni cituar se Kosova dhe Serbia duhet të rifillojnë procesin e negociatave. Për çfarë negociatash e keni fjalën?

Ishinger: Nuk e di si më kanë cituar, por shpresoj se në afat të shkurtër apo më të gjatë do të ketë negociata mes shqiptarëve dhe serbëve. Mirëpo në diplomaci iniciativat kanë gjithmonë një kohë të përshatshme dhe të papërshtatshme. Presidentët Tadiq dhe Sejdiu, si dhe dy kryeministrat janë ata që duhet të gjejnë momentin më të mirë për rifillimin e negociatave. Vendimi nuk është i lehtë për asnjërën palë. Prandaj duhet të presim edhe ca kohë, por mendoj se ne perëndimorët duhet të kërkojmë nga palët që t'i rikthehen linjës të bisedimeve, siç ishte në kohën e ndërmjetësimit të trojkës, dhe të bisedojnë se si të jetojnë njëri pranë tjetrit. Për mua nuk është me rëndësi nëse bisedimet fillojnë vitin e ardhshëm, por që ky duhet të jetë objektivi, të cilin e pranojnë të dyja vendet.

DW: Kosova ka shpallur pavarësinë me 17 shkurt. Këtë pavarësi e kanë njohur 51 vende, ndër të cilat edhe Gjermania, vende të tjera të rëndësishme perëndimore dhe të gjitha shtetet fqinje, përveç Serbisë natyrisht. Pas deklarimeve të fundit nga ana juaj nuk ishte e qartë nëse çështja e statusit të Kosovës për ju është punë e përfunduar, apo nëse mendoni se duhet të bisedohet ende për statusin?

Ishinger: "Jo, jo. Çështja e statusit sipas mendimit tim është sqaruar. Tani duhet sqaruar çëshjtet e qarkullimit të qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës, nga të dyja anët e kufirit, duhen shikuar mundësitë e organizimit më të mirë të tregtisë, komunikacionit dhe bashkëpunimit mes njerëzve. Fjala është pra për çështjet praktike me interes për të dyja palët. E përsëris edhe një herë: Për shqiptarët dhe serbët ekziston edhe një shembull shumë i mirë i zgjidhjes së problemeve praktike. Është ky modeli i raporteve mes Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. Në vitin 1973 është nënshkruar një marrëveshje mes këtyre dy shteteve, të cilat kishin një përfytyrim plotësisht të kundërt për ardhmërinë e tyre kombëtare dhe rregullimin e shtetit. Marrëveshja mundësonte qarkullimin e njerëzve, vizitat e familjarëve nga të dyja anët e kufirit dhe lehtësime të tjera të shumta. Këtë ëndërroj kur mendoj për Serbinë dhe Kosovën, që njerëzve t'u lehtësohet gjendja, të ketë tregti të lirë dhe investime, që do të ishte në interes jo vetëm të Serbisë dhe Kosovës, por edhe tërë rajonit."

DW: Zoti Ishinger, ju ishit pjesë e trojkës ndërmjetësuese dhe jeni njohur me qëndrimet e palëve dhe mungesën e gadishmërisë për kompromise. Mendoni se ekziston mundësia për marrëveshje rreth çështjeve konkrete?

Ishinger: "Nuk shoh asnjë problem për arritjen e marrëveshjeve për çështje konkrete, në qoftë se nuk bëhet fjalë për statusin. Unë e kuptoj se për Qeverinë serbe, të cilën e adhuroj për shkak të vendimeve të guximshme në muajt e fundit, është e pamundur që sot publikisht të kumtojë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, pasi që me kaq ngulm ka luftuar kundër kësaj pavarësie. Ajo ka pengesë edhe kushtetutën e Serbisë, ku shkruan se Kosova është pjesë e saj. Pra duhet të pajtohemi me faktin se Serbia edhe më tej do ta kontestojë pavarësinë e Kosovës. Në anën tjetër, udhëheqja në Prishtinë, plotësisht me të drejtë, thotë se Kosova është një shtet i pavarur. Përkundër dallimeve për statusin, tani duhet gjetur një rrugë për vendosjen e bashkëpunimit dhe zgjidhjen e çështjeve konkrete. Në qoftë se marrëveshja ishte e mundur mes dy Gjermanive, nuk shoh ndonjë shkak pse të mos jetë e mundur edhe mes serbëve dhe shqiptarëve."

DW: Por tani duket plotësisht qartë se pa sqarimin e pozicioneve rreth statusit të Kosovës, Serbia dhe Kosova nuk mund të bëhen pjesë e BE, që është një prej synimeve të tyre krysore…

Ishinger: "Një gjë më duket shumë e rëndësishme dhe këtë duhet ta dinë politikanët në Beograd dhe Prishtinë: Në kuadër të procesit të zgjerimit, BE ka bërë disa herë gabime dhe ka pranuar vende pa i zgjidhur përfundimisht problemet me shtetet fqinje. Ne e kemi pranuar Greqinë, e cila për shkak të Qipros, ende ka probleme me Turqinë. Tek kandidatët e tjerë kemi pasur shumë kujdes, që para pranimit në BE, t'i zgjidhin problemet me vendet fqinje. Pra, nuk mund ta paramendoj fare që Serbia dhe Kosova, apo Serbia ose Kosova ndarazi të anëtarësohen në BE, pa arritur marrëveshje për statusin. Por nuk dyshoj aspak se marrëveshja do të arrihet brenda disa viteve, sepse as nuk bëhet fjalë që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në BE brenda dy tri apo katër vitesh. Anëtarësimi duhet të shikohet si një perspektivë afatgjatë. Përgjegjësit politik në Prishtinë dhe Beograd duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë për fillimin e bisedimeve dhe zgjidhjen e çështjeve praktike."

DW: Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, humnera mes serbëve të Kosovës dhe qeverisë në Prishtinë është bërë edhe më e thellë. Institucionet kosovare ende nuk e kanë shtrirë pushtetin në veri, prandaj shpesh shtrohet pyetja: A do të ishte ndarja e Kosovës një zgjidhje e arsyeshme?

Ishinger: "Personalisht as në kohën e negociatave me ndërmjetësimin e trojkës nuk kam menduar se ndarja është ndonjë zgjidhje e mirë. Në fillim të dy palët i kemi pyetur nëse kanë ndonjë propozim për ndarjen e Kosovës. Beogradi dhe Prishtina kanë refuzuar dhe nuk kanë dashur as të flasin për planet e ndarjes. Për mendimin tim kjo ishte e drejtë. Personalisht mendoj se me ndarjen e Kosovës në pjesën veriore të Ibrit, nuk zgjidhet asnjë problem. Enklavat tjera serbe do të mbeteshin sërish problem. Mendoj se Evropa do t'a humbte shpirtin dhe vlerat e saj sikur të mbështeste ndonjë zgjidhje tjetër, përveç bashkëpunimit multietnik. Ky duhet të jetë qëllimi që duhet të mbështesim ne evropianët, edhe pse do të jetë vështirë dhe do të kushtojë shumë kohë. Njeriu nuk duhet të frikësohet nga objektivat e drejta, edhe në qoftë se ato kërkojnë shumë energji, kohë dhe angazhim.

DW: Zoti Ishinger, a kam të drejtë në qoftë se them: Statusi i Kosovës është zgjidhur, ndarja nuk është e mundur ndërsa dialogu është i domosdoshëm?

Ishinger: Pikërisht ashtu, më keni kuptuar plotësisht drejt.

DW: A ishte i mirë vendimi i Serbisë që çështja e pavarësisë së Kosovës të nxirret para Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë dhe çfarë mund të pritet nga kjo Gjykatë?

Ishinger: Mendoj se shumë rajone të Evropës Perëndimore nuk ishte tepër të lumtura me këtë iniciativë të Serbisë. Mirëpo kjo iniciativë ka edhe anën pozitive të saj. Me dërgimin në Gjykatën e Hagës është hequr nga rendi i ditës çështja kontestuese e statusit të Kosovës dhe dilemat nëse ky vendim ishte i drejtë apo jo, nëse ajo ishte e njëanshme apo jo. Shpresoj se ky proces nuk do të keqpërdoret as në skenën e brendshme politike në Serbi. Kjo çështje për momentin është shtyrë, sepse do të zgjasë edhe shumë muaj derisa të merret një vendim lidhur me këtë çështje pak të rëndësishme rreth ligjshmërisë së pavarësisë. Ndryshe unë mendoj se nuk ka kurfarë shkaku të mendohet se Gjykata do të vendos që pavarësia ishte e paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkokbëtgare. Prandaj besoj se këtë vendim mund ta presim plotësisht të relaksuar. Kjo do të zgjasë edhe shumë muaj, dhe shpresoj që kjo kohë do të shfrytëzohet jo vetëm për të mbajtur pozicionet e kundërta po të hapen mundësitë për negociatat e para rreth çështjeve praktike.

DW: Zoti Ishinger, nuk mendoni se kjo iniciativë mund të jetë një thikë me dy presa për Serbinë? Më konkretisht, çfarë duhet të bëjë ajo në qoftë se Gjykata thotë se shpallja e pavarësisë nuk ishte e paligjshme?

Ishinger: As kjo nuk do të ndryshonte shumë. Ky është vetëm një opinion juridik. Pozicionet serbe do të dobësoheshin paksa ndërsa ato kosovare do të forcoheshin. Nuk mendoj se qëndrimi i Gjykatës do të ketë një domethënie esenciale për zhvillimet e mëtejshme. Shumë më e rëndësishme është që udhëheqjet në Beograd dhe Prishtinë të rifillojnë negociatat për ardhmërinë e përbashkët se sa para gjykatës të dëshmojnë se pala tjetër nuk ka të drejtë. Ky është një konflikt që nuk na çon përpara. Ne kemi nevojë që për shkak të prosperitetit të njerëzve në Kosovë, por edhe për ardhmërinë e mirë evropiane të Serbisë, të kërkojmë rrugën e arsyes, të bisedimeve dhe hapave praktikë. Kjo nuk do të thotë se Serbia nesër apo pasnesër duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, por Serbia dhe Kosova duhet të jenë në gjendje të bashkëjetojnë në paqe, të kenë komunikim normal përmes kufijve, të zhvillojnë tregti normale dhe të japin një kontribut për ardhmërinë e rajonit.

DW: Si mendoni ju, kur do të ishte momenti më i përshtatshëm për vazhdimin e dialogut dhe a jeni ju të gatshëm të ndihmoni në këtë drejtim?

Ishinger: Besoj se i tërë Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë një proces të tillë. Ndëra unë personalisht nuk do të doja asgjë më shumë se sa të mund ta ndihmoja këtë proces. Nuk dua të flas për afate, sepse e di që ka shumë probleme serioze. Në Beograd dhe Prishtinë ka probleme të mëdha, të cilat nuk mund të injorohen, por shpresoj se qeveria në Beograd do të forcohet aq shumë sa që mund të ndërmarrë hapa të tjerë dhe të ofrojë dialog për zgjidhjen e çështjeve konkrete. Shpresoj se për qeverinë e Prishtinës do të ishte më e lehtë të pranojë dorën e shtrirë dhe të arrihen marrëveshje të mira për qytetarët nga të dyja anët e kufirit.

DW: Zoti Ishinger, si e vlerësoni gjendjen në Kosovë, prej shpalljes së pavarësisë e deri më sot, a janë zhvilluar gjërat ashtu siç keni shpresuar apo në Kosovë ka edhe më tej tepër deficite?

Ishinger: Në përgjithësi jam shumë i kënaqur me gjërat që kanë ndodhur prej fillimit të vitit. Nastyrisht që disa gjëra kanë mundur të jenë më mirë, por jam shumë i gëzuar për faktin se pas pavarësisë në Kosovë nuk kemi pasur konflikte dhe incidente ndëretnike. Ndërkohë që as KFOR-i nuk është dashur të intervenojë, me përjashtim një herë për shkak të problemeve të pazgjidhura në veri. Zhvillimet kanë qenë pozitive. Prandaj uroj përgjegjësit nga të dyja palët që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim. Natyrisht është për të ardhur keq që në KS të OKB nuk është arritur një marrëveshje për kalimin e kompetencave nga OKB në BE. Tani kemi dy misione që gërshetohen mes vete dhe kjo krijon problem, por këto janë çështje të zgjidhshme politike. Në përgjithësi, parë nga aspekti politik dhe strategjik: Kosova, Serbia dhe i tërë rajoni janë në rrugën e drejtë.