Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton viziton Kosovën
1 Nëntor 2009Në Kosovë po qëndron ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton. Ai mori pjesë në zbulimin e shtatores së tij vendosur në qendër të Prishtinës, në shenjë mirënjohje për rolin e tij në çlirimin e Kosovës nga forcat serbe. Disa mijëra qytetarë të ardhur nga të gjitha rajonet e Kosovës u mblodhën në sheshin që tashmë mban emrin Bill Clinton, për ta parë dhe përshendetur ish-presidentin amerikan. Clinton konsiderohet si miku më i madh i Kosovës, ai gëzon respekt të jashtëzakonshëm për rolin që ka pasur në fushatën ajrore të NATO-s, kundër forcave serbe të sigurimit në vitin 1999. Në fjalimin në kuvendin e Kosovës, Clinton, tha se edhe dhjetë vjet pas kujton fytyrat e refugjatëve kosovarë të shpërngulur në Maqedoni, ndërsa tani Kosova ka një pamje krejtësisht tjetër. “Ju keni ndërtuar institucionet tuaja, keni forcuar sigurinë tuaj dhe keni ndërmarrë hapat e duhur për ta bërë të qartë se toteranca që nuk ekzistonte para shumë kohësh. Tani toleranca ndërmjet grupeve të ndryshme etnike do të ketë vend në Kosovë dhe ju inkurajoj, që serbët dhe grupet tjera pakicë të jenë të sigurta dhe të integruara në shoqërinë kosovare”, tha Bill Clinton. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, vizitën e ish presidentit amerikan Bill Klinton, e cilësuan vizitë historike dhe thanë se kjo është një inkurajim i madh për Kosovën në udhën e saj drejt integrimeve euroatlantike.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora