1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

IS-i dhe nevoja e reformimit të islamit

Vërtet që myslimanët e dënojnë „Shtetin Islamik“ si jo-në përputhje me islamin. Megjithatë shumë myslimanë identifikohen me imazhin e islamit të xhihadistëve. Hakim Khatib kërkon kritikë që vjen nga brenda fesë islame.

I ashtuquajturi „Shteti Islamik“ (IS) nuk ka sjellë asgjë tjetër deri më tani veç shkatërrimit, kaosit dhe sektarianizmit. Me strategjinë e terrorit, xhihadistët janë shtrirë shpejt në territore të mëdha të Sirisë Lindore dhe Irakut verior e qendror.

Ata rekrutojnë njerëz nga të gjitha vendet e botës, edhe nga Europa, por më shumë nga vendet myslimane - sidomos ato të botës arabe. Në një kohë që IS-i kërkon simpatizantë dhe mbështetës, klerikë sunitë bëjnë thirrje për „mbështetje materiale e morale“ për rebelët në Siri. Mijëra luftëtarë të huaj kanë shkuar në Siri.

Pjesë e patundshme e shoqërive

„Shteti Islamik“ duket se po ndjek një strategji ideologjike të mirëmenduar. Për myslimanët duhet të jetë e ditur, sidomos për elitat fetare, se mësimet që ata predikojnë gjenden në librat islamikë, predikohen në faljet e së premteve dhe madje ofrohen në libra shkollorë. Ideologjia e IS-it është njëra nga disa mënyrat e leximit të dy teksteve më të rëndësishme të islamit, pra të të kuranit dhe transmentimit të thënieve e veprave e veprimeve të profetit Mohamed. Por një interpretim kaq arkaik i islamit nuk është i pranueshëm për shumicën e myslimanëve. Kryeimami i Universitetit Al-Azhar të Kairos, Ahmed al-Tayeb, thotë se grupet ekstremiste që vrasin e therin njerëz në emër të „Shtetit Islamik“ as nuk përfaqësojnë islamin dhe as profetin Muhamed. Aktet e përbuzshme të këtyre grupeve e prishin mesazhin e vërtetë të islamit.

Pakistan Bibliothek Islamische Universität Peschawar

Biblioteka e Universitetit Islamik, Pakistan

Myftiu i madh i Egjiptit, Shavki Alam thekson se është gabim i madh ta quash një organizatë terroriste si “Shteti Islamik”. Kjo organizatë vepron kundër mësimeve dhe ligjeve të islamit.

IS-i jo-islamik

Në të gjithë botën arabe mediat ofrojnë informacione që e damkosin „Shtetin Islamik“ si jo-islamik. Studiues të njohur të islamit nga shumë vende të botës i dënojnë veprimet e IS-it dhe e mbështesin mesazhin se “Shteti Islamik” nuk ka të bëjë aspak me mësimet e islamit, përkundrazi po e shkatërron atë. Por po qe se anëtarët e „Shtetit Islamik“ nuk janë njerëz të islamit, dhe myslimanë të vërtetë, atëherë çfarë janë ata? Të gjitha parrullat e xhihadistëve mbështeten tek islami ashtu si edhe interpretimet e tyre. Në flamurin e tyre qëndron „Nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe profeti Mohamed është i dërguar i tij.“

IS-i mund të hapë vërtet mundësinë për një reformim të vërtetë të besimit mysliman –përtej përpjekjeve për të përjashtuar një organizatë të tillë terroriste nga sfera e islamit. Në fund të fundit shumica e rekrutëve të tij janë myslimanë nga vendet arabe. Ata janë rritur në këto shoqëri myslimane dhe kanë mësuar në të njëjtat shkolla e universitete me të njëjtat libra. Ata kanë vizituar të njëjtat xhami, dhe kanë dëgjuar të njëjtat mesazhe si pjesa tjetër e komunitetit. Ata mund të jenë djem, vëllezër, motra dhe nëna të të ashtuquajturve myslimanë të moderuar.

Symbolbild - Ahmed al-Tajib

Dijetari i Islamit, Ahmed Al-Tayeb

Pamjet shokuese dhe orgjitë e dhunës e brutalitetit pa skrupuj të përkrahësve të IS-it nuk duhet të na bëjnë të harrojmë problemin fillestar: Islami ka nevojë për një reformim bazik dhe rinovim! Nuk bëhet fjalë të mbrosh besimin me çdo çmim, por për një kritikë të vërtetë. Ky reformim duhet të fillojë herët – në arsim, në shkollën fillore, në librat fetarë për fëmijë, deri në formën më të lartë teologjike. Një reformim i tillë mund të fillojë në xhami, në faljet e së premtes për të forcuar tolerancën dhe paqen. Një tjetër hap do të ishte që institucionet fetare të botës arabe të fillojnë të mos përzihen më në politikë. Edhe institucionet politike duhet të ndalin instrumentalizimin e fesë për qëllime të ruajtjes së pushtetit.

Apele për reformim

Ngjitja e „Shtetit Islamik“ duhet të jetë zile alarmi për myslimanët kudo në botë. Vërtet që myslimanët e përcaktojnë IS-in si jo-konform islamit, por ky përcaktim është thjesht një gjest i justifikimit dhe nuk ka lidhje me realitetin. Ai nuk ndal krijimin e organizatave të tjera terroriste, as nuk përmirëson imazhin e islamit dhe myslimanëve. Reforma duhet të fillojë me rrënjë. Të gjitha burimet duhet t'i nënshtrohen një studimi kritik dhe themeltar. Fakti që „Shteti Islamik“ ka buruar nga një konflikt arab dhe e përdor islamin për qëllime politike, duhet të zgjojë të gjithë ata që besojnë në përputhshmërinë e shtetit dhe politikës. Shkrirja e dogmës fetare me atë politike ka si pasojë shkatërrimin e njërës: Ose politika dominon dhe e shkatërron fenë, ose është feja ajo që shkatërron politikën.

Në rastin e „Shtetit Islamik“ është politika ajo që sundon fenë. Por shfaqja e fesë i shërben qëllimit politik. – pushtetit, legjitimitetit dhe dominancës. T'i shërbesh një forme të tillë të ekstremizmit e izolon plotësisht „Shtetin Islamik“, por as nuk e ndal atë që të kryejë gjenocid për të eliminuar kundërshtarët. Dijetarët e islamit duhet të dalin në krye të reformimit të besimit mysliman- jashtë politikës dhe linjës ndarëse mes besimit të “duhur” e “të gabuar”. Sigurisht për këtë është e nevojshme krijimi i një kuadri të caktuar, edhe liderët politikë e shtetet duhet ta ndjekin me vëmendje këtë proces. Nuk mjafton të dënosh aktet terroriste. Duhet një transformim i vërtetë – dhe ai duhet të fillojë që këtë çast.

Hakim Khatib është me origjinë nga Siria dhe është docent i gazetarisë, komunikimit ndërkulturor dhe politikës për Lindjen e Mesme në Universitetin Fulda për Shkencat e Aplikuara dhe Universitetin Philipps në Marburg. Ai është kryeredaktor i gazetës online "Mashreq Politics and Culture".

Komenti është ofruar fillimisht për platformën e dialogut të Deutsche Welle-s me botën arabe, Qantara.de