1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çështja e Iranit

Lindita Arapi5 Mars 2012

Marrëdhëniet mes presidentit Barack Obama dhe kryeministrit izraelit Netanjahu nuk janë aq të ngrohta. Programi atomik iranian kthehet në mollë sherri për marrëdhënien SHBA-Izreal.

https://p.dw.com/p/14F17
Obama dhe Netanjahu në Uashington
Obama dhe Netanjahu në UashingtonFotografi: AP

Që në fillim marrëdhëniet midis Barack Obamës dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu nuk kanë qenë të mira. Menjëherë pas zgjedhjes si president i SHBA-së, Obama i kërkoi Netanjahut të ndalojë ndërtimin e ngulimeve të reja në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan. Por izraelitët nuk e mirëpritën kërkesën dhe pas pasigurisë së fillimit, marrëdhëniet nuk u përmirësuan aspak. Ndërkohë historitë për marrëdhëniet e ngrira midis Obamës dhe Netanjahut janë kthyer në legjendë.

Kështu vëzhguesit tregojnë gjithnjë këtë anektodë: Duke mos e marrë me mend që mikrofonët ishin të ndezur, presidenti francez i thotë Obamës gjatë një takimi, se nuk e duron dot Netanjahun, dhe se "ai është gënjeshtar". Obama i përgjigjet: "Ju jeni i mërzitur me të, kurse mua më duhet të përballem përditë me të." "Ekziston një mosbesim i madh midis të dy politikanëve", thotë James Davis, profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin St. Gallen në Zvicër.

SHBA - Iran
SHBA - IranFotografi: Fotolia/le0nmd

Diferenca personale dhe politike

Diferencat personale midis të dyve janë të pandara nga dallimet në pikëpamjet politike. "Presidenca e Obamës pati filluar me politikën e afrimit. Kjo u pa me sy shumë kritik në Izrael, si politikë pajtimi me armiqtë e Amerikës", mendon Efraim Inbar, drejtor i qendrës Begin-Sadat, qendër për studimet strategjike në Universitetin Bar-Ilan në Izrael. Shumë izraelitë mendonin se përpjekja e pajtimit me Iranin dhe Sirinë ka qenë e dënuar të dështojë që në fillim, thotë Inbar.

Sipas Inbar, administrata e Obamës, tregoi me dëshirën për t`i hyrë mes përmes procesit të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve, se sa pak njohuri dhe përvojë ka presidenti amerikan për konfliktin në Lindjen e Mesme. "Presidenti ishte shumë naiv, kur mendoi të sillte të dy palët në nënshkrimin e një marrëveshje paqeje. Natyrisht që kjo nuk mund të ndodhte."

Parë me sytë e izraelitëve, Obama mund të duket naiv dhe pa përvojë, por për sytë e amerikanëve ai është një politikan që nuk largohet nga pozicioni i tij. Ekzistojnë shumë arsye pse Obama nuk i beson Netanjahut, mendon Davis, por më e rëndësishmja është politika izraelite e ngulimeve. SHBA i janë lutur Netanjahut të ndalojë vazhdimin e ndërtimit të ngulimeve në Jeruzaelim lindor. Por ai nuk e respektoi këtë."

Programi atomik iranian i hedh benzinë zjarrit

Çështja e Iranit është një çështje tjetër që shton mospërputhjet. Hendeku mes qeverisë së Obamës dhe Izraelit nuk ka të bëjë me vlerësimin e progamit atomik irianian. Të dy palët janë të një mendimi se Irani është duke ndërtuar armë bërthamore. Efraim Inbar nga Universiteti Bar-Ilan, mendon se molla e sherrit në gjykimet e ndryshme duhet kërkuar në "shkallën e rrezikshmërisë". Izrali këmbëngul në qëndrimin se ka ardhur momenti që Irani të detyrohet të ndalojë. Kështu çështja kyç për marrëdhëniet izraelito- amerikane është çfarë do të ndodhë, nëse Izraeli i vë në jetë kërcënimet dhe sulmon i vetëm pajisjet iraniane atomike, sepse e sheh veten të kërcënuar. A do të mbushej kështu kupa për të prishur marrëdhëniet e mbushura me mosbesime personale dhe diferenca politike? Kjo varet, thonë ekspertët.

Netanjahu dhe Obama
Netanjahu dhe ObamaFotografi: dapd

Nëse sulmi ka sukses, atëherë gjithçka shkon mirë

"Kjo varet nga suksesi që do të ketë Izraeli," thotë James Davis nga Universiteti St. Gallen. "Nëse izraelitët arrijnë t`i shkatërrojnë impiantet, pa marrë si përgjigje kundërsulme masive nga Irani, atëherë të gjithë do të ishin të kënaqur".

Inbar nuk është i të njëjtit mendim: "Nëse sulmet do të kishin sukes, atëherë administrata e Obamës do të bënte gjithçka për të dënuar Izraelin, sidomos në një vit si ky, vit elektoral. Shumica e amerikanëve do të duartrokisnin fshehurazi, disa anëtarë të qeverisë madje në publik. Dhe pastaj do të vazhdojnë si dhe më parë, sikur të mos ketë ndodhur asgjë."

Por, nëse sulmet e Izraelit do të dështonin, ose prej saj do të kishte dëme të mëdha ekonomike, politike dhe të sigurisë, atëherë marrëdhëniet bilaterale mund të keqësoheshin shumë. Por, pas një farë kohe ato do të normalizoheshin sërish.

Autor: Michael Knigge/ Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi