1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Iran: Policia e moralit në ofensivë ndaj modës

Ka disa kohë që bota e modës në Iran po përjeton një fazë hapjeje të lehtë. Por tani disa modele janë arrestuar, sepse kanë publikuar „foto jo konform islamit“. Stilistët iranianë i tremben represioneve.

Iran Sittenpolizei Kleidervorschriften bei Frauen

Policia e moralit kontrollon respektimin e kodit të veshjes tek femrat

Në tre dekadat e fundit është krijuar në Iran një botë e modës, relativisht e lirë. Pas shumë vitesh në ilegalitet, në vitet e fundit ajo ka filluar të veprojë hapur. Nga evenimenti zyrtar “Java e Modës në Teheran” deri në sfilatat ilegale. Evenimentet e modës gjallojnë si kërpudhat pas shiut. Por tani policia iraniane për internetin, pjesë e Gardës së Revolucionit, ka arrestuar nëntë persona, ndër ta shtatë femra. Akuza: Në Instagram ato kanë publikuar foto pa shami koke. Sipas njoftimit të autoritetit iranian, në kuadër të operacionit “Merimanga 2” janë identifikuar edhe 170 persona të dyshuar. Këtu nuk bëjnë pjesë vetëm modele, por edhe fotografë, stilistë dhe administratorë të internetit.

Operacioni „‘Merimanga 2' është rezultat i një lufte dyvjeçare kundër sfilimit dhe botës së modës“, thotë prokurori i Teheranit, Abas Dolatabadi në intervistë me agjencinë iraniane, ILNA. Aksioni „ka sjellë mbylljen e një sërë faqesh interneti“, konkludon Dolatabadi.

Në ilegalitet, por jo në zhdukje

Nasime, një stiliste thotë në intervistë me Deutsche Wellen, se „gjithçka ndodhi shumë papritur. “ Shoqja ime më telefonoi një mëngjes dhe më tha, unë duhet të ndërroj menjëherë statusin në Instagram nga publik në privat“, rrëfen 28 vjeçarja, që punon prej 5 vjetësh si stiliste.

Për shumë firma të vogla apo të vetëpunësuar të degës së modës në Iran, rrjetet sociale si Telegram apo Instagram janë mjetet e vetme në dispozicion për reklamim. Edhe Nasimja i ka gjetur klientët përmes Instagramit. „Kur profili im u bë publik, atëherë filluan të abonohen 100 përdorues të rinj në ditë.“ Por tani për tani kjo histori suksesi ka marrë fund për Nasimen. “As unë nuk do të ndiqja ndonjë kanal, ku nuk shoh gjë tjetër veç emrit”, thotë ajo. Megjithatë stilistja do ta vazhdojë punën.

Edhe Pouria, një fotograf nga qyteti i pelegrinazhit, Mashahd nuk do të lejojë frikësohet. Në vitin 2011 ai u arrestua në një valë arrestimesh kundër muzikantëve dhe prodhuesve të videoklipeve. Vetëm pas 100 ditësh ai u lirua. Megjithë këtë përvojë, Pouria e sheh si shumë të vogël efektin që kanë aksione të tilla. “Një ditë pas lirimit unë kisha kërkesa për disa seanca fotografimi”, kujton ai. “Nuk mund ta dorëzosh nga sot me nesër profesionin dhe pasionin”, thotë ai.

Demonstrim pushteti i konservatorëve

Skena artisike në Iran i njeh prej kohësh situata të tilla. Pas një tronditjeje shokuese, projektet vazhdojnë. Pouria i shikon këto aksione më shumë si demonstrim pushteti të forcave konservatore, në një kohë që në Teheran kanë marrë hov forcat e orientuara nga reformat. „Këtë e përjetuam edhe pas mandatit të parë të Mohamad Khatamit si president“, sqaron fotografi tezën e tij. „Pas çdo suksesi të reformistëve, konservatorët në Iran reagonin me një kundërgoditje. Me këtë vihet sidomos nën presion gjenereta e re“, thekson Pouria.

Aksioni „Merimanga 2“ nuk është masa e vetme e forcave konservatore në kohët e fundit. Pas suksesit të forcave të orientuara nga reformat në zgjedhjet parlamentare në shkurt 2016, u forcuan patrullat e policisë së ashtuquajtur, policia e zakoneve. Ndërsa mbikqyrësit e moralit, të veshur civilë vëzhgojnë tani me shumë vëmendje respektimin rregullave të sjelljes dhe veshjes në publik. Rinia iraniane e sheh këtë me qetësi. Me një app të ri anonym, të zhvilluar për smarphone, iranianët e rinj reaguan ndaj përpjekjeve kufizuese të forcave konservatore. “Gershad” u mundëson përdoruesve të japin apo të shohin në app vendndodhjen reale të policëve të moralit në një hartë të posaçme.

„Edhe kjo do të marrë fund“, thotë Pouria lidhur me valën aktuale të arrestimeve. “Normalisht lirohesh pas një numri të caktuar ditësh në arrest.” Dhe me pak ironi ai shton: “Kështu ke një arsye të mirë për të bërë kërkesën për azil jashtë vendit.”