1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IPCC: Bota duhet të përgjysmojë emisionet deri më 2030

Stuart Braun
6 Prill 2022

Prodhimi i energjisë duke hequr shumë shpejt nga përdorimi qymyrin është një çështje e padiskutueshme, nëse duam të shmangim ngrohjen katastrofale globale, thotë raporti i fundit i OKB për klimën.

https://p.dw.com/p/49Vyz
Deutschland | Schornsteine und Kühltürme in Wesseling
Fotografi: Oliver Berg/dpa/picture alliance

Në pjesën e fundit të vlerësimit të gjashtë të Panelit Ndërqeveritar për ndryshimin e klimës (IPCC) mbi gjendjen e ngrohjes globale - me temë zbutjen e ndryshimit të klimës- mesazhi është i qartë: Hapësira për ta mbajtur ngrohjen globale nën 1,5 grad Celsius, dhe për të kufizuar ndikimin katastrofal mbi klimën, përfshirë përkeqësimin nga zjarret dhe përmbytjet, është zvogëluar shumë. 

Pas raporteve të mëparshme të OKB për shkencën e ndryshimit të klimës, dhe ndikimeve e përshtatjes, raporti i fundit tregon me hollësi rrugët për të zgjidhur problemin. Raporti shënon se kryesorja është përcaktimi më ambicioz i një afati për heqjen dorë nga lëndët djegëse fosile, të cilat janë përgjegjëse për emetimin e dy të tretave të dioksidit të karbonit, që ka shkaktuar ngrohjen e planetit që nga viti 1850; dhe në të njëjtën kohë një rrjet sistemi global energjie mbështetur kryesisht tek dielli dhe era - kostoja e energjive të rigjenerueshme ka rënë që nga viti 2010 mbi 85 përqind.

"Nuk na duhet një shkop magjik për të gjetur zgjidhjen, zgjidhjen e kemi në dorë, lënda djegëse fosile," thotë Nikki Reich, drejtor programit për Klimën & Energjinë në Uashington, selinë qendrore të Qendrës Ndërkombëtare për Avokatët e Mjedisit (Center for International Environmental Lawyers).

IPCC tregon rrugët për të arritur "reduktimin e shpejtë dhe të madh të emisioneve të dioksidit të karbonit në të gjithë sektorët,” që do të thotë uljen deri në fund të kësaj dekade me 50 përqind të gazrave që shkaktojnë efektin serë (GHG), krahasuar me nivelin e 2019.

Aktivistët e klimës shpresonin që raporti të refuzonte promovimin e teknologjive për zhvendosjen e dioksidit të karbonit (CDR), për të mos rritur kostot. Sidoqoftë, kapja dhe magazinimi i karbonit (CCS), megjithëse i paprovuar sa duhet, mbetet një opsion i hapur.

Mbrojtja e pyjeve dhe diversiteti, që ulin në mënyrë jetike CO2, eficienca e përmirësuar e ndërtesave dhe elektrifikimi i transportit janë pjesë të rëndësishme të rrugës për lehtësimin e klimës, thuhet në raportin 3000 faqesh.

Rritja e sasisë së parave që jepen për klimën në sektorin publik dhe një tranzicion i drejtë dhe i barabartë në vendet e varfëra, që kanë emëtime të ulta dioksidi karboni për frymë, janë jetike për arritjen e synimeve të zbutjes së ngrohjes globale.

Deutschland Windräder nahe Garzweiler
Energjia e erës një nga mundësitë për largimin nga energjitë e lëndëve fosileFotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopress/picture alliance

Qeveritë duhet të caktojnë afatet e shkëputjes nga lëndët djegëse fosile 

Asnjë nga vendet nuk ndodhet aktualisht në rrugën e duhur për të arritur synimet e marrëveshjes së Parisit, për ta mbajtur ngrohjen nën 2 grad Celsius, ose ideale do të ishte nën 1,5 grad Celsius. 

Synimet në Planet aktuale Kombëtare për Klimën (NDC) janë ekuivalente me ngrohjen rreth 3,2 gradë celsius që këtë shekull. Moti ekstrem dhe shkrirje akulli përgjatë Arktikut kanë ndodhur tashmë që kur ngrohja që nga periudha paraindustriale ka qenë 1,2 grad Celcius. Raporti thotë se ngrohja nuk mund të kufizohet deri në 1,5 grad celsius nëse emisionet nuk fillojnë të bien pas 2025.

Emisionet globale neto zero CO2, pra sasi emisionesh që nuk shkaktojnë ngrohjen e klimës, duhen arritur të paktën më 2050.

Raporti i fundit i IPCC synon t`u japë qeverive justifikimin për të vendosur synimet e duhura në reduktimin e emisioneve. 32 vjet kanë kaluar që kur IPCC publikoi raportin e parë për klimën dhe që nga ajo kohë emisionet janë rritur 54 përqind, thotë organizmi që merret me klimën.

"Ky raport i IPCC i tërheq edhe një herë vëmendjen politik-bërësve, duke u thënë se trajektorja aktuale globale e emisioneve që shkaktojnë ngrohjen ka dalë nga shinat në mënyrë alarmuese,” thotë Rachel Cleetus, drejtoreshë e politikave dhe ekonomiste drejtuese e Programit për Klimën dhe Energjinë në Union of Concerned Scientists, me seli në Uashington, dhe vëzhguese zyrtare e raportit për zbutjen e klimës. "Mosveprimi i vazhdueshëm nga ana e tyre është përgjegjës direkt për krizën aktuale të klimës dhe ka vënë në rrezik arritjen e synimeve të Marrëveshjes së Parisit,” shton ajo.

"Duhet vendosur shpejt koha e heqjes dorë nga lëndët djegëse fosile,” thotë Linda Schneider, drejtuese e programit për politikat ndërkombëtare të klimës në Fondacionin Heinrich Böll, në Berlin. Energji 100 për qind nga era dhe dielli, kombinuar me rikthimin e diversitetit dhe marrjen e masave "sipas kërkesave” të përfshira në raport, si për shembull dieta vegjetariane që prodhojnë pak dioksid karboni dhe ulje e konsumit në veriun global, duhet të bëhen pjesë e politikave qeveritare për zbutjen e klimës, thotë Schneider.

IPCC - Intergovernmental Panel on Climate Change
Takim i IPCCFotografi: Getty Images/AFP/H. Guerrero

Emisionet negative dhe frika nga 'tejkalimi' 

Disa nga rrugët për zbutjen e ngrohjes së klimës, përfshirë në raport marrin parasysh teknologjitë "e emisioneve negative” si për shembull bioenergjinë, e cila lidh dhe konservon dioksidin e karbonit (BECCS) - gjatë të cilave pemët ushqejnë bimët që prodhojnë energji, emisionet e të cilave do të kapen dikur kur të jetë në dispozicion teknologjia përkatëse.

Kjo praktikë konsiderohet nga IPCC dhe BE si me karbon negativ, sepse pemët që ushqejnë bimët bioenergjetike gjykohen si të qendrueshme- megjithëse një sipërfaqe e madhe pyjesh dhe toke agrikulture do të përdoret për të bërë mbjelljen e pemëve të nevojshme. 

Për më tepër, teknologjitë që lidhin dioksidin e karbonit ndodhen në fazën pilot dhe "nuk janë vërtet zgjidhje reale,” thotë Schneider.

"Strategjisë kryesore të raportit për zbutjen e ngrohjes së klimës, që është fillimi menjëherë i fazës së mospërdorimit të asnjë lënde djegëse fosile, i bie shpesh rëndësia kur bëhen referime për zgjidhje teknologjike, të cilat mbajnë gjallë industrinë e lëndëve djegëse fosile," shton ajo.

Varësia nga teknologjitë e paprovuara CDR rrezikojnë "tejkalimin " e përkohshëm të kufirit të ngrohjes prej 1.5 grad Celcius.

Pasoja do të jetë që temperaturat do të bien sërish sapo të përdoren teknologjitë CDR. Por, mund të jetë tepër vonë nëse është arritur "pika kulminante” e pakthyeshme, shpjegon Schneider, përfshirë shkrirjen e rajoneve me ngrirje përmanente që e ulin masivisht dioksidin e karbonit, duke shkaktuar emisione shtesë që mund të përshpejtonin shumë krizën e klimës. Ekziston shqetësimi se CDR mund të thotë që të shtyhen synimet e reduktimit të menjëhershëm të emisioneve të dioksidit të karbonit.

"Për të shmangur skenare më të këqija dhe ndikime të pamanexhueshme, nuk duhet që premtimi i emisioneve negative dikur në të ardhmen të përdoret për të kërkuar falje për shtyrjen e marrjes së masave për arritjen e eficiencës dhe përdorimin që tani të energjive të rinovueshme,” thotë Taylor Dimsdale, drejtor për çështjet e rrezikut dhe qëndresës në institutin botëror për klimën, E3G.

"Është krejt e pasigurt a do të jemi në gjendje të kthehemi ndonjëherë tek 1,5 gradë Celsiusi,” thotë Schneider lidhur me skenarët e tejkalimit, duke theksuar se "kthime mbrapa dhe rënie të papritura mund të ndodhin edhe para arritjes së 1,5 grad Celsiusit.”

Bangladesch Klimaflüchtlinge Slum Dhaka
Refugjatë për shkak të ndryshimeve të klimës - Një vajzë nga BangladeshiFotografi: Getty Images/AFP/M. uz Zaman

'Bashkëpërfitimet' nga zbutja

Për Alexandre Köberle, punonjës shkencor në Institutin Grantham të shkollës së lartë, Imperial College London, dhe autor kryesor i raportit të fundit të IPCC, kostot për zbutjen e ndryshimit të klimës të llogaritura në raport duhet të marrin parasysh "efektet që mund të shmangen nëse luftojmë ndryshimet e klimës.”

Kostot e zbutjes së ndryshimit të klimës vlerësohen sërish me termat e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) në nivel global- një instrument matës për të cilin një nga bashkëkryetarët e grupit III të punës së IPCC, Priyadarshi Shukla pranon se nuk merr parasysh "dobinë ekonomike të uljes së kostove të përshtatjes ose efekteve të shmangura në ndikimin e klimës.”

Megjithatë, GDP "do të ishte vetëm disa përqind më pak në vitin 2050 nëse ne bëjmë atë që duhet për të kufizuar ngrohjen me 2 gradë Celsius,” thotë Shukla. Por Köberle thotë se GDP është "një sistem i tmerrshëm matës" që nuk jep qartësinë e duhur për politikanët që duan të bindin publikun për përfitimet nga tranzicioni në fushën e energjisë.

"Bashkëpërfitimet" nga politika e zbutjes së ndryshimit të klimës si reduktimi i ndotjes së ajrit dhe përmirësim i frymëmarrjes nuk janë marrë parasysh, thekson ai: as pavarësia në fushën e energjetikës dhe varësia në ulje nga furnizuesit e tjerë me energji, sidomos në kohëra si këto kur Europa është duke u munduar të ulë varësinë nga gazi dhe nafta ruse.

IPCC do të finalizojë vlerësimin e gjashtë voluminoz të saj, për herë të parë që nga viti 2014, për ta shpërndarë në muajin shtator në prag të COP27 - kur qeveritë pritet të aktualizojnë planet e tyre kombëtare për klimën, NDC, dhe të angazhohen për një datë më ambicioze për shkëputjen nga lëndët djegëse fosile.