1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Amt gegen den Terror

21 Korrik 2011

Lufta kundër terrorizmit islamist nxiti BE-në për bashkëpunim në sektorin e sigurisë politike, por edhe për rritjen e kontrollit ndaj qytetarëve të vet. Një i ngarkuar për luftën kundër terrorizmit koordinon aktivitetin.

https://p.dw.com/p/120GH
Fotografi: picture-alliance/ZB

Bashkëpunimi në nivel evropian për luftimin e terrorizmit mbeti më tepër dëshirë se sa realitet edhe disa vite mbas 11 shtatorit 2011. Por pastaj ndodhën atentatet e marsit 2004 në trenat e periferisë së Madridit ku gjetën vdekjen mbi 200 vetë. BE-ja e pa të nevojshme të ngarkonte një koordinator për luftën kundër terrorizmit. Ky ishte në fillim holandezi Gijs de Vries. Shtatë vjet më parë ai do ta përmblidhte detyrën e tij si më poshtë: «Këmbimi i informatave është shumë i rëndësishëm. Nëpërmjet Europol-it ne u krijojmë mundësi policëve që të këmbejnë të dhëna. Prokurorët tanë mund të këmbejnë gjithashtu të dhënat mes tyre nëpërmjet organit evropian të drejtësisë 'Eurojust'. Përveç kësaj, duhen hartuar ligjet për luftimin e financimit të terrorizmit. Edhe për këtë nevojitet një bashkëpunim ndërkombëtar».

Nuk mbetet pa punë: Koordinatori i luftës kundër terrorizmit Gililes de Kerchove
Nuk mbetet pa punë: Koordinatori i luftës kundër terrorizmit Gililes de KerchoveFotografi: picture-alliance / dpa

Vdekja e bin Ladenit nuk ndryshon shumë

Bashkëpunimi dhe rritja e përgjimit nuk arritën ta shmangin një tjetër sulm të rëndë terrorist, atë në metronë londineze, në korrik 2005, me mbi 50 të vrarë. Por, që atëherë të paktën Evropa ka rënë në qetësi dhe policia e shërbimet e fshehta besojnë se kanë shmangur një seri të tërë atentatesh. Një qendër speciale operacionale në Paris koordinon aktivitetet e shërbimeve të mëdha evropiane me ato të CIA-s. Një nga detyrat kryesore të saj është këmbimi i informacionit për islamistët fanatikë me shtetësi të BE-së.

Pasardhësi i De Vries-it në detyrën e të ngarkuarit për luftën kundër terrorizmit, belgu Gilles de Kerchove, megjithatë ka paralajmëruar vazhdimisht nga ndjenja e gabuar e sigurisë, edhe mbas vdekjes së shefit të Al Kaidës, Osama Bin Ladenit. «Bërthama e Al Kaidës gjatë këtyre viteve ka humbur shumë influencë. Tani ajo është dobësuar edhe më shumë. Por edhe nëse Osama bin Ladeni nuk e ka më në dorë komandon e organizatës, ai vazhdon të jetë një simbol. Dhe ky simbol nuk do të zhduket aq shpejt.»


A çon lufta kundër terrorizmit në mbikëqyrjen totale të qytetarëve?

Që në fillim masat anti-terror hasën në kritika të ashpra. Në qendër të tyre ishin si kamerat në vendet publike, ashtu edhe kontrollet e forcuara nëpër aeroporte, por, para së gjithash, përgjimi dhe regjistrimi i të dhënave të telekomunikacionit - shumë njerëz i konsideronin ato të tepërta. Jan-Philipp Albrecht është deputet i të Gjelbërve gjermanë në Parlamentin Evropian. Ai kërkon një rishikim të përgjithshëm: «Ne duhet të shohim se sa efektive janë masat Bashkimit Evropian kundër terrorizmit dhe njërën apo tjetrën masë që ndoshta del që ka qenë e tepërt ose e nxituar ta korrigjojmë, ose ta heqim fare. Për shembull atë të regjistrimit paraprak të të dhënave të telekomunikacionit.»

në parim kushdo është i dyshimtë .... - kamera përgjimi në stacione trenash/qendra tregtare/...
në parim kushdo është i dyshimtë .... - kamera përgjimi në stacione trenash/qendra tregtare/...Fotografi: dpa - Fotoreport

«Sa më shumë të dhëna, aq më shumë mbrojtje të dhënash»

Argumentet zakonisht rrotullohen rreth peshimit të sigurisë kundrejt ruajtjes së fshehtësisë së të dhënave personale. Por këto nuk janë të kundërta me njëra-tjetrën, thotë Kerchove. «Meqenëse kërcënimi ka ndryshuar, ne duhet të mbledhim gjithmonë e më shumë të dhëna.» Problemi është se personat e dyshimtë gjithmonë e më shpesh janë të panjohur për policitë dhe shërbimet e fshehta. Prandaj edhe duhen kontrolluar udhëtimet e dyshimta, sjelljet e dyshimta, pagesat e dyshimta, bisedat e dyshimta telefonike. «Por në të njëjtën kohë, ne duhet të përmirësojmë ruajtjen e fshehtësisë së të dhënave. Pra, ne duhet të bëjmë më shumë nga të dyja.»


Mbetet i nevojshëm koordinimi

Emërtimi zyrtar i postit të Kerchove-it është ai i koordinatorit. Kjo do të thotë, se në plan të parë është politika kombëtare e sigurisë, e cila duhet koordinuar. Nëpërmjet marrëveshjes së Lisbonës disa nga përgjegjësitë e tij do të kalojnë në kompetencë të komisionit, beson belgu, por edhe në të ardhmen ai do të ketë shumë për të koordinuar. «Kur u emërova unë, askush nuk foli për kohë të kufizuar. Pra, të shohim.» De Kerchove nuk beson aspak se së shpejti ai mund të mbetet pa punë.

Autor: Christoph Hasselbach / Anila Shuka

Redaktion: Vilma Filaj-Ballvora