Incidente të vogla gjatë festimeve të pavarësisë
18 Shkurt 2008Gjatë festimeve për shpalljen e pavarësisë në Kosovë ka humbur jetën të paktën një person dhe janë lënduar pesë të tjerë. Që të gjithë janë shqiptarë të Kosovës. Zyrtarë të policisë thanë se rastet kanë ndodhur si pasojë e shkrepjes së armëve të zjarrit gjatë festimeve dhe zënkave të ndryshme ndërmjet të rinjve. Gjendja shëndetësore e të lënduarve njoftohet së është e qëndrueshme. Policia njofton po ashtu se në pjesën veriore të Kosovës, të banuar nga shumica serbe, gjatë natës ka pasur disa shpërthime ku cak sulmi kanë qenë objektet dhe veturat e administratës ndërkombëtare. Dëme në njerëz nuk ka pasur.
Zëdhënësi i policisë Veton Elshani, thotë se në përgjithësi policia konsideron se gjendja e sigurisë në Kosovë paraqitet e qetë dhe rastet e sipërpërmendura i cilëson si raste të izoluara. Organet e rendit edhe gjatë ditës së sotme janë të anagazhuara gjithandej Kosovës duke qenë më të përqendruara përreth vendbanimeve serbe. Kjo për faktin që pothuajse në të gjitha emklavat serbe gjatë ditës zhvillohen protesta kundër pavarësisë së Kosovës.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës edhe sot u kanë bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensione. Ndërsa serbët e Kosovës i kanë porositur që mos të frikësohen nga pavarësia, sepse të drejtat e tyre në Kosovë do të mbrohen me ligj.