1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Impiantet iraniane

Elert Ajazaj15 Shkurt 2012

Impiante bërthamore iraniane, si dhe raketat mbajtëse janë në qendër të dyshimit se Irani synon armët bërthamore. Ato u shërbejnë qëllimeve të panjohura.

https://p.dw.com/p/143k2
Centrali atomik i Bushehrit
Centrali atomik i BushehritFotografi: AP

Programi bërthamor iranian përbëhet nga impiante bërthamore të ndryshme, me funksione të ndryshme dhe në stade të ndryshme përsa i takon ndërtimit dhe vënies në punë.

Centrali bërthamor deri tani i vetëm në afërsi të Busherit në Gjirin Persik prodhon rrymë për rrjetin elektrik iranian. Ai konsiston në dy reaktorë me ujë të presuar, me një kapacitet të instaluar prej 1.000 megavat. Projekti i nisur në vitet shtatëdhjetë prej Siemensit u përfundua prej Rusisë. Në vjeshtë 2010 Irani njoftoi vënien në shfrytëzim të centralit bërthamor, IAEA-ja konfirmoi në fund të 2011-s, që centrali punon. Rusia livron shufrat e karburantit bërthamor dhe të konsumuarat i merr mbrapsht. Kësisoj Busheri nuk gjendet në qendër të dyshimit se Irani punon për një program armësh bërthamore.

Ky dyshim ka të bëjë para së gjithash me pasurimin e uraniumit, që kryen Irani në impiantin e Natansit. Atje, përftohet në 3.000 cetrifuga (stadi: 2007) prej uraniumit natyror në trajtë të gazët uraniumi 235, i domosdoshëm si karburant bërthamor. Për shfrytëzimin në central bërthamor mjafton një pasurim nga tre deri në pesë për qind, për një bombë bërthamore është i nevojshëm një pasurim prej 85 për qind.

Në 2010-n Irani filloi në Natans pasurimin 20 për qind të uranit. Më parë kishin dështuar negociatat për t'i livruar Iranit nga jashtë karburant uraniumi.

Uraniumi nga Argjentina po shteron

Sipas të dhënave zyrtare, uraniumi më i vlefshëm nga Natansi nevojitet për reaktorin kërkimor në Teheran. Për funksionimin e këtij të fundit përdoret deri tani karburant uraniumi nga Argjentina, mirëpo këto rezerva së shpejti do të shterojnë. Reaktori kërkimor prodhion radioizotope për përdorim në mjekësi dhe bujqësi.

Pasurimi në 20 për qind konsiderohet si vlerë kritike. Arsyeja është që hapi i dytë nga 20 në 85 për qind konsiderohet teknikisht si krahasimisht i lehtë.

Impianti kërkimor RASI në Iran
Impianti kërkimor RASI në IranFotografi: MEHR

Sipas planeve të Teheranit, pasurimi 20 për qind i uranit do të zhvendoset nga Natansi në impiantin e dytë të njohur të pasurimit në Fordo, në afërsi të qytetit të shenjtë Qom. Ky impiant nëntokësor dhe i bunkerizuar gjendet rreth 140 kilometër në jug të Teheranit. Irani e pati informuar opinionin botëror për ekzistencën e këtij impianti vetëm në shtator 2009. Në janar 2012 IAEA-ja konfirmoi pasurimin e uraniumit në Fordo në 20 për qind.

Reaktori i Arakut - vetëm 40 megavat 

Rreth 200 kilometra në perëndim të Fordos gjendet reaktori me ujë të rëndë i Arakut. Për shkak të kapacitetit të tij prej vetëm 40 megavat, ai cilësohet edhe si "reaktor kërkimor". Në fund të 2002-it SHBA-ja publikoi fotografime satelitore të impiantit, i cili u vizitua në 2010-n prej inspektorëve të IAEA-së dhe gjendej ende në ndërtim e sipër. Reaktorët me ujë të rëndë janë shumë të përshtatshëm për prodhimin e plutoniumit të destinuar për armë.

Në qendrën kërkimore bërthamore iraniane të Isfahanit po ndërtohet një impiant për përhapjen e mineraluranit. Me të nuk synohet vetëm shndërrimi i të ashtuquajturit "yellowcake" në gjendje të gaztë, po edhe në metal urani. Ky i fundit nuk mund të shfrytëzohet në reaktorët e Iranit, mirëpo në bomba bërthamore ai shfrytërohet.

Autor: Hans Spross/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi