Nahost EU
6 Janar 2009Kush flet në Lindjen e Mesme në emër të BE-së? Delegacioni i BE-së nën drejtimin e MPJ të Çekisë Shvarcenberg, (Karel Schwarzenberg) apo Franca, ish-kryetarja e radhës e BE-së dhe presidenti francez, Sarkozi (Nicolas Sarkozy), i cili është nisur për mision si një nga dy presidentët e Bashkimit të Vendeve Mesdhetare?
Formalisht grupi i BE-së luan një rol vendimtar dhe delegacioni i kryesuar nga Shvarcenbergu dhe presidenti Sarkozi sipas interpretimit të Brukselit nuk e pengojnë njëri tjetrin, përkundrazi e plotësojnë. Zëdhënësi i Komisionit, Amadeu Altafaj, sqaroi thatë se çdo kontribut është i mirëpritur për sa kohë ai u transmeton palëve në konflikt mesazhin e përbashkët të BE-së.
Por një mendim i tillë është tepër formalist. Në të vërtetë BE-ja lë një përshtypje të turpshme mospajtimi. Nga njëra anë kemi një presidencë të dobët çeke, e cila është e paralizuar prej grindjeve të brendshme për Evropën. Ajo është jo që duhet të drejtojë, por që nuk është në gjendje ose nuk do. Nga ana tjetër kemi një president francez, i cili është aq i bindur për vetveten dhe aq ambicioz sa që me qejf do të kishte vazhduar ta mbante postin e presidentit të radhës së BE-së. Ai do dhe di të drejtojë, por nuk i lejohet.
Mospërputhje në qëndrimet e shprehura nga BE
Veçanërisht pikante është pozita e MPJ francez, Kushner (Bernard Kouchner). Në këtë rast ai nuk bën pjesë në skuadrën e Sarkozisë, por është pjesë e trojkës së BE-së nën drejtimin e Shvarcenbergut. Çështja bëhet edhe më brizante, sepse Kushner dhe Shvarcenbergu shprehen shumë ndryshe në lidhje me ato që ndodhin në Lindjen e Mesme. Shvarcenbergu i sheh gjërat si e drejtë e Izraelit për t'u mbrojtur, kurse Kushneri e quan goditjen ushtarake të Izraelit disproporcionale.
Gjermanët dërgojnë në këtë mes një të ngarkuar të posaçëm për të ndërmjetësuar edhe një herë më vete në emër të qeverisë gjermane.Sado të kuptueshme të jetë çdo përpjekje e veçantë, në rast se BE-ja prezantohet në një mënyrë të tillë pa unitet, ajo nuk duhet të çuditet, që nuk mund të arrijë gjë me rrugë diplomatike. Kjo duket në sjelljen e qeverisë izraelite, për të cilën të gjitha përpjeket evropiane për ndërmjetësim duket se janë relativisht irrelevante.
Evropa ka shanse për influencë në Lindjen e Mesme
Kjo kur shanset për një rol konstruktiv të evropianëve në fakt janë të favorshme. SHBA-të nën drejtimin e Xhorxh Bushit (George W. Bush) kanë dështuar në Lindjen e Mesme dhe presidentit të ri, Obama (Barack Obama) do t'i duhet një herë të orientohet në politikën e jashtme.
Sarkozia donte dhe do ta bëjë BE-në në politikën e jashtme një aktor, që është të gjendje të matet me SHBA-në edhe në Lindjen e Mesme. Por edhe prej qëndrimit të tij të pakavishëm një shans i tillë po humbet sërish.