Ilir Meta zgjidhet President i Shqipërisë
28 Prill 2017Parlamenti i Shqipërisë zgjodhi si President të ri të Republikës së Shqipërisë Ilir Metën.
Për Ilir Metën e dhanë votën 87 deputetë, nga 89 deputetë të pranishëm në seancën parlamentare. 2 deputetë votuan kundër.
Kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u propozua mbrëmë nga mazhoranca socialiste dhe deputetët e Partisë së tij. Zgjedhjen e tij e mbështetën edhe disa deputetë të partive të tjera. Partia Demokratike e Shqipërisë, në protestë jashtëparlamentare prej disa javësh u deklarua kundër kandidaturës së Metës.
Kandidaturën e Metës e paraqitën me shkrim në seancën e pasdites sot (28.04.2017) në Parlamentin e Shqipërisë 23 deputetë. 48 vjeçari Meta u zgjodh President në përpjekjen e katërt radhazi të Parlamentit për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë. Ilir Meta ka qenë në 26 vitet e demokracisë kryetar Kuvendi, kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë.