1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ibrahimi: Rritja e bashkëpunimit rajonal rrit vëmendjen e biznesit gjerman për rajonin

29 Shtator 2011

Intervistë me ambasadorin e Shqipërisë në Gjermani, Valter Ibrahimi, në konferencën „Mundësitë e investimit dhe të bashkëpunimit në dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor“

https://p.dw.com/p/12jJd
Ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Valter Ibrahimi
Ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Valter IbrahimiFotografi: Shuka


DW: Zoti ambasador, konferenca e ambasadorëve të Ballkanit Perëndimor bëri promovimin e mundësive, që ofrojnë këto vende për investuesit nga Gjermania. Si i shikoni shanset për shtimin e investimeve në Shqipëri?

Ibrahimi: Kjo konferencë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë e për të gjitha vendet e rajonit. Ajo është e dyta e këtij lloji, që organizohet nga ambasada e Austrisë në Berlin në bashkëpunim me kompani të ndryshme, ose agjenci të ndryshme gjermane, në rastin konkret me Bridge House Law, që është një agjenci biznesi në landin e Renanisë Veriore Vestfalisë (NRW) dhe ambasada e Austrisë. Ka një rëndësi shumë të madhe, sepse për herë të parë në këtë land të gjithë vendet e rajonit përfaqësohen në nivel ambasadori, përveç Serbisë për arsye politike, siç u tha edhe këtu, që nuk mori pjesë, por në konferenca të mëparshme ka qenë. Të gjitha vendet e rajonit demonstrojnë, që rajoni ka lëvizur në drejtimin e duhur dhe është i gatshëm për të pritur investime gjermane dhe investime nga një nga landet më të fuqishme ekonomike dhe industriale të Gjermanisë, siç është (NRW). Kështu që mendoj se pas konferencës, që patëm në landin e Bavarisë, kjo është konferenca e dytë në landin tjetër shumë të fuqishëm (NRW), duke sensibilizuar biznesin gjerman për të ardhur në Shqipëri dhe rajonin tonë. Sigurisht nuk është e lehtë, por ata janë shumë të vemendshëm ndaj zhvillimeve ekonomike, përmirësimit të kuadrit ligjor, zbatimit të ligjit në vendet tona, njëkohësisht edhe të zhvillimeve të ndryshme politike në rajon. Normalisht që investimet e tyre i lidhin me këto zhvillime. Siç e patë, unë si ambasador i Shqipërisë, por edhe ambasadorët e vendeve të tjera vunë theksin në një farë mënyre tek përmirësimi i klimës ekonomike, investuese, që i përshtatet tashmë edhe kërkesave, edhe nivelit gjerman të biznesit, por njëkohësisht edhe bashkëpunimit rajonal.

DW: Çfarë rezonance pati tek investuesit gjermanë prezantimi juaj i parë në bllok në konferencën e parë të këtij lloji, e cila u mbajt para kësaj të Këlnit në Mynih.

Ibrahimi: Absolutisht ka një rritje të vazhdueshme të vëmendjes, si nga biznesi, ashtu edhe nga politika, është një ndërthurje shumë interesante. Në dy vitet e fundit vëmendja e Gjermanisë është bërë shumë më e dukshme publikisht në mbështetje të vendeve të rajonit tonë. Kjo shoqërohet edhe me një vëmendje gjithnjë e më në rritje edhe të biznesit gjerman. Ne sot kemi një interesim gjithnjë e më të madh të kompanive gjermane, jo vetëm në fushën e energjetikës, që është një nga fushat lider sot në Shqipëri, ose të infrastrukturës, por edhe në fusha të tjera, turizmin, pastrimin e ambjentit, heqjen e mbeturinave e të tjera me rradhë. Ose në biznesin e mesëm për Shqipërinë, siç janë supermarketet.

DW: Nga Gjermania, nga politika, apo nga biznesi gjerman rajoni shihet shpesh si i tërë, mirëpo ai përbëhet nga vende të vogla, që janë edhe konkurrentë me njëri-tjetrin. Si reflektohet kjo në vetëdijen e biznesit shqiptar për ta parë veten si pjesë të një rajoni?

Ibrahimi: Nga të gjithë ne në panel u theksua kjo. Rritja e bashkëpunimit rajonal ka sjellë edhe rritjen e vëmendjes së biznesit dhe kompanive gjermane ndaj rajonit. Ne e dimë fare mirë, se duke qenë një rajon i tërë bashkëpunues në fusha të ndryshme do bëhemi më tërheqës, më atraktivë për Gjermaninë dhe biznesin e saj. Përndryshe në qoftë se ne do të kemi një konkurrencë shumë të egër mes njëri-tjetrit, dhe kjo dihet të gjitha vendet e rajonit e kanë shprehur tashmë, që të gjtiha vendet e rajonit nuk janë për një konkurrencë të egër me njëri-tjetrin, por janë për një kompetitivitet, harmoni, në mënyrë që të kemi edhe aktivitete të përbashkëta rajonale. Nuk është e lehtë të krijohet kjo, por megjithatë klima e sotme e bashkëpunimit rajonal dhe ajo politike e bën të mundur që në një të ardhme të afërt të kemi projekte rajonale. Projektet e infrastrukturës mund të quhen në një fare mënyre projekte rajonale dhe ndihmojnë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, por edhe të rajonit me vende të tjera të BE.

DW: Përse koordinimi bëhet edhe në Gjermani pikërisht nga Austria?

Ibrahimi: Ideja për promovimin e vendeve të rajonit tonë ka qenë e ambasadorit të Austrisë në Berlin. Ai është përfaqësues i një vendi, që ka ekspertizën e duhur për rajonin tonë. Ka shumë kompani austriake, shumë agjenci austriake, një vemendje shumë e madhe austriake në rajonin tonë, jo vetëm në Shqipëri, e cila është shumë e vlershme për t'u përcjellë edhe në vende të mëdha, siç janë Gjermania dhe kjo ka qenë një nga nxitjet, që e bënë amasadorin e Austrinë, Dr. Ralph Scheide, që në bashkëpunim me kompani të ndryshme gjermane po bën një punë të jashtëzakonshme për promovimin e rajonit tonë. Ne kemi pengesat tona, që të bëjmë një promovim të karakterit rajonal. Secili prej nesh ka qenë deri tani i aftë të bëjë promovimin e vendit të tij, por në mënyrë rajonale për ne ka qenë ende e vështirë, për shumë arsye kuptohet. Për arsye objektive disi për arsye të paragjykimeve, ose të trashëgimisë, që kemi kaluar. Dhe kjo bëhet në mënyrë shumë shembullore, shumë mirë, nga ambasadori i Austrisë në Gjermani. Atë që ne nuk arrijmë dot ende ta bëjmë së bashku, pra të promovojmë rajonin të gjithë së bashku vetë, po e bën një vend mik siç është Austria për gjithë rajonin.

Intervistoi: Angjelina Verbica

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora