1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FIFA

2 Qershor 2011

Megjithë akuzat e fundit për korrupsion në FIFA Joseph Blatter është rizgjedhur si kryetar i shoqatës botërore të futbollit. Në fakt një absurditet, mendon Stefan Nestler

https://p.dw.com/p/11SRR
Presidenti Joseph BlatterFotografi: dapd

Imagjinoni: Një ndërmarrje ekonomike tronditet prej vitesh nga një skandal korrupsioni, por shefi i kryesisë mbetet në postin e tij. E paimagjinueshme. Por tek FIFA nuk është kështu. Shoqata botërore e futbollit FIFA nuk është asgjë tjetër veçse një makineri të hollash, që merr sasi të mëdha parash, për t'i shpërndarë bujarisht në shoqatat kombëtare dhe mban një pjesë të mirë për vete. Nga viti 2007 deri në vitin 2010 FIFA, sidomos falë Kampionatit Botëror në Afrikën e Jugut, regjistroi një vëllim rekord biznesi prej tre milionë eurosh.

Blatter nuk e kontrollon dot organizatën

Në krye të kësaj sipërmarrrjeje të biznesit të futbollit ndodhet që prej vitit 1998 zvicerani Joseph Blatter. Kush drejton prej 13 vjetësh një shoqatë, mund të pohojë ndoshta, se nuk ka ditur asgjë për korrupsionin në radhët e veta. Por përgjegjësinë për abuzimet nuk mund t'ia hedhë askujt tjetër. Eshtë shefi ai, që mban përgjegjësinë. Po të duash të jesh i mëshirshëm me Blatter-in mund të thuash se skandalet e korrupsionit të viteve të fundit, dëshmojnë se ai nuk i ka patur gjërat nën kontroll . Në të njëjtën kohë mund të spekulohet se ai ka qenë në dijeni për abuzimet. Sido që të jetë 75-vjeçari në krye të shoqatës botërore të futbollit nuk është më i pranueshëm.

Të tjerët qëndrojnë të fshehur

Pa Blatter FIFA do të mbetej pa udhëheqje dhe e paaftë për të vepruar, tha presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Theo Zwanziger. Kjo thënie duhet ta bëjë të mendohet, anëtarin e ri të ekzekutivit të FIFA-s dhe kolegët e tij në forumin më të lartë të organizatës. Nuk mund të ndodhë, që një organizatë botërore është kaq e varur nga kryetari i saj, saqë ajo të shpërbëhet, në qoftë se ky person duhet të japë dorëheqjen. Ku janë gjithë zyrtarët e pastër të futbollit, që mund të merrnin në dorë trashëgiminë? Të lind përshtypja, se të tjerët qëndrojnë të fshehur, sepse të gjithë në të kaluarën kanë përfituar nga sistemi Blatterit.

Ndërrimi i kryesisë do të ishte i nevojshëm

FIFA të lë përshtypjen se është e organizuar në mënyrë demokratike. De facto ajo për momentin të kujton më shumë një oligarki. Duket se paraja vendos se kush mban në dorë frenat dhe vendos se kush do të organizojë kampionatet botërore të futbollit. Ekonomikisht FIFA mund të jetë shumë e fortë. Moralisht shoqata botërore e futbollit është shumë e sëmurë. Drejtues të tjerë janë të domosdoshëm. Një udhëheqës i ndershëm, që nuk e ka emrin Blatter.

Autor: Stefan Nestler
Redaktoi: Verbica/Arapi