1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

I paharruar: 9/11

Ka të dhëna "të besueshme", por "ende jo të konfirmuara" për një atentat të planifikuar terrorist kundër Uashingtonit ose Nju Jorkut, paralajmëroi të enjten qeveria e SHBA. Kjo do të thotë: masat e sigurisë u shtuan.

Robert Peraza, që humbi të birin Robert David Peraza më 11 shtator 2001 ndalet para emrit të tij para fillimit të ceremonisë përkujtimore

Robert Peraza, që humbi të birin Robert David Peraza më 11 shtator 2001 ndalet para emrit të tij para fillimit të ceremonisë përkujtimore

Megjithë këtë, të shtunën rreth Ground Zero-s, ku po zhvillohen ndërtime ka gjallëri. Njerëzit shkojnë për të blerë ose ulen në banka para Millenium Hilton, prej ku mund të hedhësh vështrimin drejtpërdrejt mbi kantierin e ndërtimit, ku mund të konstatosh në ç'masë kanë avancuar ndërtimet e "One World Trade Center". Një qoshe rruge më tej ka trëndafila prej druri, në ngjyrat kombëtare e kuqe-e bardhë-blu; fitimi nga shitja u shkon të afërmve të zjarrfikësve të vrarë. "Biznesi ecën mirë", thotë shitësja Stacy.

 Gëzim dhe hidhërim pranë njëri-tjetrit

Dy vajza të reja të bukura, me pantallona të shkurtra e fotografojnë njëra-tjetrën duke qeshur para një pllake me emrat e gati 3000 viktimave. Dy metra pranë tyre, një i ri, si shumë vetë të tjerë, shkruan një emër në pllakë. "Ti u shpëtove jetën kaq vetëve", vazhdon ai më tej dhe fshin lotët  nga sytë. Këtu sheh shumë burra në moshë, t-shirt-et e të cilëve tregojnë se ata janë policë ose zjarrfikës, me sy të skuqur nga lotët.

Ish-presidenti i SHBA, Xhorxh W Bush dhe presidenti i SHBA, Barack Obama ecin në memorialin e viktimave të 11 shtatorit

Ish-presidenti i SHBA, Xhorxh W Bush dhe presidenti i SHBA, Barack Obama ecin në memorialin e viktimave të 11 shtatorit

Në Kishën e Trinitetit, një qoshe rruge më tej, pasdite do të bëhet leximi i disa poezive, në përkujtim të viktimave të atentatit. Ndërsa në oborrin e një kishe të vogël, të ndërtuar në vitin 1766 dhe që mbeti pa u dëmtuar nga shembja e kullave binjake, shumë nga ata që dhanë ndihmën e parë takohen për të pjekur mish në skarë e për të pirë. Ata këmbejnë me njëri-tjetrin kujtimet e atëhershme, si u kthye kisha në një oaz shlodhjeje. Këtu ata mund të grumbullonin forcë, të pinin një kafe, të dëgjonin fjalë miqësore mbështetjeje, përpara se të niseshin sërish drejt "ferrit", sic tregon Charles Kaczorowski. Për 10 muaj punoi ai në gërmadhat e kullave dhe tani ai dëshiron të falenderojë ata që ndihmuan në kishë.

Besim tek policia

Charlie K. , sic e njohin këtu punon edhe sot si atëherë si menaxher në Ministrinë e Dizajnit dhe Ndërtimit, për qytetin e Nju Jorkut. "Ja si e shoh unë këtë punë: unë mbeta gjallë nga lufta e Vietnamit, nga atentati i parë ndaj World Trade Center", numëron ai, "9/11, Ground Zero- unë jam i përgatitur për të gjitha, por i besoj plotësisht policisë së Nju Jorkut, që këtu ajo bën një punë të shkëlqyer dhe ndihem i sigurtë". Shqetësimi i tij i vetëm është "se mos ndonjë pëllumb i bën glasën mbi kokë".

Gjashtë minuta heshtjeje do të ketë në ceremoninë qendrore përkujtimore në Ground Zero- dy për goditjet e avionëve në godinat, dy për rrëzimin e kullave dhe nga një minutë për atentatin kundër Pentagonit dhe rrëzimin e avionit të fluturimit 93 në Shanksville. Presidenti i SHBA, Barak Obama do të jetë i pranishëm në ceremoni, njësoj si ish-presidenti i atëhershëm George W. Bush.

Autor: Christina Bergmann/ Auron Dodi

Redaktoi: Pandeli Pani