1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

I burgosuri i "Sheremetjevos"

Ish punonjësi i shërbimit sekret të SHBA, Edward Snowden, ka mbetur në Moskë. Vazhdimi i udhëtimit të tij për në Amerikën e Jugut po vonohet. Ky rast po i rëndon më tej marrëdhëniet tashmë të ftohta mes Rusisë dhe SHBA.

Në filmin hollivudian "Terminal", një pasagjer nga Evropa Lindore, i luajtur nga aktori Tom Hanks, jeton disa muaj në aeroportin JFK të Nju Jorkut. Shkaku: pasaporta e tij është e pavlefshme. Të njëjtin problem ka tani Edward Snowden. SHBA anuloi pasaportën e ish punonjësit të shërbimit sekret, pasi ai zbuloi për publikun ekzistencën e një sistemi amerikan për përgjimin e internetit. Snowden bëri publike që shërbimi i fshehtë amerikan NSA, spiunon në masë të madhe qarkullimin digjital të të dhënave në të gjithë botën. Të hënën (24.6.2013) ai shkoi nga Hongkongu kinez në Moskë. Që atje ai do të fluturonte për në Kubë ose Ekuador, u tha në mediet ndërkombëtare.

Udhëtimi i mëtejshëm për në Amerikën e Jugut duket tani se po vonohet. Meqenëse Snowden nuk ka një pasaportë të vlefshme, nuk mund të blejë biletë, njoftoi të mërkurën (26.06.2013) agjencia ruse e lajmeve "Interfax", duke iu referuar një burimi anonim nga rrethi i Snowden. Një ditë më parë presidenti rus Vladimir Putin tha se Snowden gjendej ende në zonën e tranzitit të aeroportit "Sheremetjevo", në veriperëndim të Moskës. Konfirmim nga palë të pavarura nuk ka. Se ku ndodhet saktësisht ish punonjësi i shërbimit sekret amerikan, është e paqartë.

Mundësi e mirëpritur për shërbimet sekrete ruse

Gerhard Mangott

Gerhard Mangott

Gerhard Mangott ka dyshime për deklaratat e Putinit. "Dyshimi im është se Snowden nuk ndodhet në zonën e tranzitit të Sheremetjevos", thotë eksperti për Rusinë nga Universiteti i Insbrukut në Austri, në bisedë me Deutsche Welle-n. Ish punonjësi i shërbimit sekret amerikan, ka të ngjarë të jetë duke u marrë në pyetje në një vend të fshehtë, nga autoritetet ruse. "Këtë mundësi rusët nuk e lënë t'u iki nga duart", mendon Mangott. Putin i ka hedhur ndërkohë poshtë supozime të tilla.

Edhe Gerhard Simon, ekspert për Evropën Lindore në Universitetin e Kölnit është skeptik. "Nëse Snowden është vërtet në Sheremetjevo, nuk e dimë", thotë Simon në bisedë me DW. Snowden është de facto një i burgosur i Rusisë, pasi atij i nevojitet ndihma ruse për të vazhduar udhëtimin. Ish punonjësi i shërbimeve sekrete amerikane është "një peshk, që notoi papritur në rrjetën e shërbimeve sekrete ruse", thotë Mangott nga universiteti i Insbrukut.

Eksperti beson veç kësaj se presidenti Putin duhet të ndjejë me siguri një "kënaqësi personale". Vetëm pak vjet më parë në SHBA u zbulua një rrjet spiunazhi rus. Tani Moska ka mundësi të marrë hak, thotë Mangott.

Provë rezistence për raportin me SHBA-në

SHBA kërkojnë ekstradimin e Snowden dhe kërcënojnë me pasoja. Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të martën (25.6.) se ekstradimi nuk është i mundur. Nuk ka asnjë marrëveshje ekstradimi mes Moskës dhe Uashingtonit, dhe Snowden nuk ka shkelur asnjë ligj në Rusi, tha Putin. Gerhard Simon nga universiteti i Kölnit i konsideron këto argumente "hipokrizi". Sipas tij "urdhër-arrestet ndërkombëtare presupozojnë gjithnjë, që një vend tjetër e akzuzon një person për krime, të cilat duhen sqaruar".

Prof. Dr. Gerhard Simon

Prof. Dr. Gerhard Simon

Rasti Snowden po i rëndon më shumë marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-së, të cilat që prej rikthimit të Putinit në zyrën e presidentit, rreth një vit më parë, janë përkeqësuar dukshëm. Qoftë për shkak të këndvështrimeve të ndryshme në konfliktin në Siri, qoftë për shkak të konfliktit rreth planeve të NATO-s për një mbrojtje antiraketore në Evropë, mes Moskës dhe Uashingtonit po fryn një erë gjithnjë e më e akullt. Në fund të vitit 2012 puna arriti deri në një replikë në nivel ligjesh. SHBA miratuan të ashtuquajturin ligji Magnitski. Ai parashikon ndalim hyrje në territorin e SHBA-së për zyrtarët rusë, të cilët bëhen fajtorë për vdekjen gjatë burgimit hetimor katër vjet më parë, të avokatit rus kritik ndaj regjimit Sergei Leonidovic Magnitski. Rusia reagoi me ndalimin e adoptimeve të fëmijëve rusë nga familje amerikane.

Për Snowden duket se nuk do të ketë azil në Rusi

Tani SHBA mund të miratojnë ligje të mëtejshme, me "pasoja serioze për raportet bilateriale", paralajmëron Gerhard Mangott. Ai i referohet deklaratave të disa senatorëve amerikanë, të cilët kërkojnë ndërkohë përgjigje të ashpër për qendrimin e Rusisë në rastin Snowden. Për të shmangur këtë, Moska do të lejojë që ish punonjësi i shërbimeve sekrete amerikane, të lërë Rusinë, supozon Mangott.

As Gerhard Simon nuk beson se Snowden do të qendrojë në Rusi. Një rëndim afatgjatë i marrëdhënieve me SHBA-në nuk është në interes të Moskës, thotë eksperti. Ai rikujton në këtë kontekst raste të mëparshme spiunazhi mes SHBA-së dhe ish Bashkimit Sovjetik. "Një vështrim në të kaluarën na tregon se raste të tilla spiunazhi, në periudhë afatgjatë nuk janë shumë përcaktuese për marrëdhëniet mes dy vendeve."