1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Huruglica: Kontrabanda me mallra në veri po shënon rënie

Bekim Shehu21 Dhjetor 2012

Drejtori i doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë në intervistë për DW, se pala serbe po e interpreton gabimisht marrëveshjen për IBM. Mallrat që hyjnë nga Serbia në veri të Kosovës, nuk lirohen nga taksat.

https://p.dw.com/p/177k1
Fotografi: Refki Alija

DW: Zoti Huruglica, si po shkon zbatimi i marrëveshjes per menaxhimin e integruar te kufirit IBM, me Serbinë në veri të Kosovës, përkatësisht, shkëmbimet tregtare, pas detajizimit të marrëveshjes me palën serbe në fillim të kësaj jave në Bruksel?

Huruglica: realisht nuk ka ndonjë marrëveshje tjetër prej asaj që është arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel për menaxhim, nga e cila ka dalë edhe protokolli teknik. Na çfarë jemi duke bërë tash është implementimi i asaj marrëveshjeje, qënjeh dy palë në dialog, palën kosovare dhe atë serbe dhe Bashkimin Evropian, i cili përmes misionit EULEX, po e luan rolin e palës ndërmjetësuese, monitoruese të zbatimit të marrëveshjes. Ndërsa në pikën kufitare me Serbinë në Merdare, gjithçka është duke shkuar mirë, në veri të Kosovës kemi pasur pak probleme, sepse pala serbe akoma nuk ka arritur ta kompletojë vendkalimin kufitar ashtu siç ka qenë marrëveshja, që do të thotë akoma nuk është arritur të ndërtohet një objekt ashtu siç jemi marrë vesh.

DW: Si do të zhdoganohet mallrat që hyjnë na Serbia me destinacion veriun e Kosovës, apo nuk po zhdoganohen fare?

Hurglica: Të gjitha mallrat që janë komerciale, ne i regjistrojmë në pikën kufitare në Jarinje dhe i udhëzojmë subjektet që të vijnë në terminalin doganor në pjesën jugore të Mitrovicës. Arsyeja është se ne nuk kemi terminal në pjesën veriore ku mund ta kryejmë këtë zhdoganim. Faktikisht një pjesë e madhe e këtyre mallrave vijnë për zhdoganim në terminalin në Mitrovicë, por një pjesë e tyre nuk janë duke ardhur, dhe këtu kemi të bëmjë me produkte kryesisht ushqimore. Por ekziston një dallim shumë i madh prej asaj që po interpretohet nga marrëveshja. Nuk ka ndonjë marrëveshje për lirim nga zhdoganimi, sepse nuk e lejon legjislacioni i brendshëm, por ka një marrëveshje për të pasur leje për t'u futur në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që deri tani nuk ka ekzistuar për mallrat nga Serbia.

DW: Zoti Huruglica, pala serbe thotë se ka një marrëveshje që mallrat që hyjnë nga Serbia me destinacion veriun e Kosovës nuk do të paguajnë taksa doganore?

Huruglica: Nuk është e vërtetë, pala serbe e intepreton gabimisht. Ekziston një dallim thelbësor në interpretimin e legjislacionit. Sipas kodit doganor, që ne e aplikojmë për momentin kur bëhet regjistrimi i një malli në territorin e Kosovës, automatikisht ajo palë ka krijuar një borxh doganor ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ligji doganor na jep ne të drejtë që deri në një afat prej tre vjetësh ta kërkojmë atë borxh. Unë e thash edhe më parë, se kemi disa raste që nuk po lajmërohen në terminalin doganor në Mitrovicë, por këto raste kanë të bëjnë kryesisht me bukë, qumësht, ose ushqime të tjera për pjesën veriore, por kjo nuk do të thotë në asnjë rast se ato i kanë shpëtuar pagesës. Dogana e ruan të drejtën që t'u kërkojë taksa. Arsyeja pse nuk po arrijmë tash t'i mbledhim këto taksa është infrastruktura jo adekuate, sepse nuk kemi ndonjë bankë aty afër, apo agjentë doganor që punojnë dhe që mund të na ndihmonte në procesin e mbledhjes së taksave. Në çdo terminal tjetër doganor, zhdoganimi po bëhet përmes shpedicioneve.

DW: Fillimi i zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë, a po arrin ta ndalë kontrabandën në veri?

Huruglica: Po, ka filluar të ndalet në masë të madhe. Që nga 25 korriku i vitit 2011 nuk ka pasur pothuaj hyrje fare përmes vendkalimeve zyrtare, por të gjitha mallrat kanë hyrë ilegalisht përmes vijës së gjelbër kufitare. Ne tash kemi një numër të mirë të mauneve që hyjnë në Kosovë nga Serbia, vijnë në terminalin doganor në Mitrovicë dhe po paguajnë taksat. Po ashtu, kemi informacione që mallrat që po hyjnë ilegalisht përmes vijës së gjelbër janë në rënie, sepse efekti më i mirë i marrëveshjes së IBM-së, është se kontrabanduesit pasi ta kalojnë një pikë kufitare nga pala serbe, nuk munden pastaj të futen përmes malit. Kjo është e pamundur, sepse tani ne jemi bashkë në një pikë kufitare dhe nuk ekziston mundësia që ajo dërgesë t'i shmanget deklarimit në anën kosovare.

DW: A mund të cilësohet përdorimi i një sistemi unik doganor, për faktin që në veri të Kosovës po praktikohet standard - apo praktikë tjetër në dallim nga pikat e tjera kufitare?

Huruglica: Shikoni, ne kemi edhe raste të tjera të ngjashme, shembull në pikën kufitare Kulla me Malin e Zi. Një mall që futet në këtë vendkalim ne e regjistrojmë dhe e lejojmë kompaninë që të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës dhe pastaj ajo kompani zhdoganimin e mallit e bën në terminalin doganor në qytetin e Pejës, por mundet edhe në ndonjë terminal tjetër. Pra, është e njëjta procedurë edhe në vendkalimin kufitar në Jarinje në veri të Kosovës. Pra ne po lejojmë që të hyjë malli në territorin e Kosovës, por jo të lirohet. Kjo është ajo, nuk ka lirim nga taksat, ka vetëm lejim që të hyjë në Kosovë. Me ligjin doganor dallon ajo çka quhet blerje individuale, nga ajo komerciale.