1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hrant Dink ishte akuzuar për fyerje të turqizmit

17 Janar 2012

Pesë vjet më parë u vra me armë zjarri në Stamboll gazetari turko-armen Hrant Dink. Ai ishte një njeri që pati guximin të fliste për një temë tabu në Turqi: Për masakrën e 1915-s ndaj armenëve.

https://p.dw.com/p/13l3u
Gazetari Hrant Dink, i vrarë pesë vjet më parë
Gazetari Hrant Dink, i vrarë pesë vjet më parëFotografi: AP

“Unë vij nga Turqia. Jam armen. Unë i përkas krejtësisht Anadollit. Unë nuk kam menduar asnjëherë të largohem nga vendi im, për të ngritur të ardhmen në Perëndim," shkruante dikur Hrant Dink në një nga shkrimet e tij. Ai ishte gazetar armen, që ëndërronte për një Turqi demokratike, të lirë, në të cilën të gjitha pakicat etnike dhe fetare të gëzojnë të drejta të barabarta, në të cilat të gjithë lejohet të thonë mendimin e tyre pa patur frikë. Kjo ëndërr i kushtoi jetën.

Pesë vjet më parë, më 19 janar 2007, trupi pa jetë i Hrat Dinkut u gjet në një rrugë të Stambollit, para ndërtesës së gazetës së tij, AGOS. Ditën e martë (17.1.) pritet të jepet dënimi për vrasësin e dyshuar.

Dink u vra në mes të rrugës në Stamboll në janar 2007
Dink u vra në mes të rrugës në Stamboll në janar 2007Fotografi: AP

I gjithë vendi u shokua ato ditë. Me ndjenja të përziera njerëzit pyesnin: "Pse? Kush? Përse?“ Por atentati ka zanafillën e vet, muajt e fundit të jetës së tij Hrant Dink kishte marrë disa herë kërcënime me vdekje.

Akuza për ofendimin e turqizmit

Në vitin 2005 kundër Dinkut u zhvillua një proces gjyqësor për shkak të disa shprehjeve që përdorte në artikujt e tij. Ai u akuzua se me këto shprehje kishte ofenduar turqizmin. Ai u dënua me gjashtë muaj me kusht. Në vitin 2006 akuzat kundër tij u shtuan, në procese të tjera gjyqësore. Në artikullin e tij të fundit, që u publikua në ditën e vdekjes, ai shkruante: "Me siguri që viti 2007 do të jetë një vit i vështirë për mua.“

Kërkesë për rishqyrtimin e historisë

Shprehjet e tij të mendimit ishin halë në sy për focat nacionaliste të djathta, prandaj ai edhe kërcënohej.

Dink ishte armen që përfaqësonte mendimin se në Turqi duhet folur hapur për ngjarjet e ndodhura në vitin 1915 dhe se Turqia duhet të përballet me historinë e vet dhe atë të popullit armen. Ai shkruante: "Unë e di çfarë i ka ndodhur paraardhësve të mi. Disa mund ta quajnë masakër, disa gjenocid, disa spastrim, disa katrastrofë… Të parët e mi e quanin si në Anadoll ‚kasaphanë'. Unë e quaj "shkatërrim". Dhe unë e di shumë mirë, nëse nuk do të kishte ndodhur një ngjarje e tillë, vendi im do të kishte sot më shumë vlera jete, do të ishte më i admirueshëm."

E shoqja dhe të bijat e Dinkut në varrimin e tij
E shoqja dhe të bijat e Dinkut në varrimin e tijFotografi: AP

„Ne të gjithë jemi armenë, ne të gjithë jemi Hrant Dink-ë“

Publiku turk reagoi i tronditur për vdekjen e Dinkut. Në ceremoninë e varrimit u mblodhën 100 mijë vetë. Të gjithë kishin tabela të zeza në duar në të cilat shkruhej: "Ne të gjithë jemi armenë, ne të gjithë jemi Hrant Dink-ë.“ Në ceremoninë e varrimit sundoi heshtja.

Autori u kap shpejt. Një 17 vjeçar nga Trabzoni, një qytet në veri të Turqisë. Në procesin gjyqësor ai e justifikoi aktin e tij me urrejtjen. "Unë kam lexuar artikujt e tij në internet, shprehjet e tij më shqetësonin, kështu që vendosa ta vrisja," tha ai. Vendim ishte i tij, ai i kishte bërë vetë të gjitha planet e vrasjes, kërkush nuk fshihej pas tij. Më vonë Ögun Samast i ndryshoi pohimet e tij dhe pranoi se ishte nxitur nga Yasin Hayal, një ekstremist i djathtë në Trabzon.

Mbi 100.000 vetë marshuan gjatë varrimit të Dinkut
Mbi 100.000 vetë marshuan gjatë varrimit të DinkutFotografi: dapd

Në vitin 2010 Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg bëri bashkë-përgjegjës shtetin turk për vrasjen e Hrant Dinkut. Shteti nuk i ka dhënë viktimës ndihmën e duhur, tha Gjykata Evropiane. Vitin e kaluar Ogün Samast u dënua me 22 vjet heqje lirie. Meqenëse dënimi është bërë sipas ligjeve për të mitur, atij do i duhet të kalojë në burgim një të tretën e dënimit. Tani pritet të jepet dënimi për bashkëpunëtorët e mundshëm. Mes tyre ndodhen edhe dy mbështetësit, Yasin Hayal, i cili duhet të ketë nxitur vrasjen si dhe Erhan Tuncel, një ish-informator i policisë së Trabzonit, i cili mendohet se ka organizuar gjithçka.

Kritikë ndaj procesit

Rober Koptaş, kryeredaktori i sotëm i AGOS, është i zhgënjyer me zhvillimin e procesit. "Publiku turk dhe ne të gjithë e dimë, se disa punonjës të shtetit kanë luajtur rol të rëndësishëm para dhe pas vrasjes.

Ka punonjës sigurie, në polici dhe ushtri, që ose kanë marrë pjesë aktive në planifikimin e vrasjes ose kanë pasur njohuri për planet e vrasjes por nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta penguar", pretendon Koptaş. Përveç kësaj, thotë Koptas, "burokratë dhe juristë janë përpjekur më pas që të mbulojnë të vërtetën. Për fat të keq të gjitha kërkesat për t'i intervistuar këta njerëz janë refuzuar. Prandaj ne nuk besojmë se do të ketë një gjykim të ndershëm. Procesi nuk ishte në kërkim të drejtësisë.“

Rober Koptaş mendon se në shoqërinë turke ekziston ndërkohë një vetëdije demokratike. Megjithatë mentaliteti i shtetit nuk ka ndryshuar aspak. Në Turqi sundojnë të njëjtat kushte që çuan pesë vjet më parë në vrasjen e Hrant Dinkut, mendon Koptaş.  

Autor: Başak Özay / Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj