1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hoxhaj: Jemi të gatshëm të fillojmë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Bekim Shehu17 Tetor 2012

Mnistri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, pohon se integriteti territorial, rregullimi jonë i brendshëm, ndarja e Kosovës, apo shkëmbimi i territoreve, janë çështje të mbyllura njëherë e përgjithmonë

https://p.dw.com/p/16RSr
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver HoxhajFotografi: DW

DW: Ministër Hoxhaj, Prishtina zyrtare tashmë ka pranuar së mund të zhvillojë dialog politik me Serbinë, mirëpo akoma nuk është qartësuar, se për çfarë në fakt mund të diskutojë Prishtina dhe Beogradi, pos deklaratës tashmë të ripërsëritur, përmirësim i marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ka diçka më shumë në këtë dialog?

Hoxhaj: Pas largimit të mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, me të cilën ngjarje Kosova e fitoi pavarësinë dhe sovranitetin e plotë dhe pas publikimit të studimit të fizibilitetit, që është fillimi i një rruge të gjatë të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ne jemi të gatshëm si qeveri dhe si institucione të një vendi të pavarur që të fillojmë në proces të normalizimit të relacioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe besojmë se në ditët në vijim edhe kuvendi i Kosovës do ta miratojë një rezolutë, e cila jo vetëm që e mandaton qeverinë e Kosovës, por në të njetën kohë i krijon edhe premisat e para se në çfarë baze duhet të ndodhë një proces i normalizimit të relacioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne mendojmë se janë disa çështje, që janë të hapura ndërmjet të dy vendeve sovrane dhe të pavarura dhe këto çështje duhet të zgjidhen me një proces paqësor, meqë Serbia edhe më tutje ka një qëndrim armiqësor karshi Republikës së Kosovës. Ne besojmë se me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së dhe me nje vendosmëri nga të dy qeveritë e vendeve tona, rezultati final i këtij dialogu do ta mbyllë njëherë e përgjithmonë një situatë të konfliktit, që ekziston edhe më tutje rreth Kosovës dhe do të krijonte premisa për një paqe afatgjate dhe në të njetën kohë do të krijojë mundësi, që të adresohen një varg problemesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nuk kanë mundur të adresohen deri tash.

DW: Minister Hoxhaj, ju flisni për përmirësim të raporteve me Serbinë, ndërsa Serbia flet për ndarje të Kosovës. Marr shkas këtu një deklaratë tashmë të shumëpërsëritur të kryeministrit serb Ivica Dacic, i cili thotë se zgjidhja më e mirë për Kosovën është ndarja e saj?

Hoxhaj: Me lejoni të jem i qartë, se ne si qeveri e themi se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe integriteti territorial, rregullimi jonë i brendshëm, ndarja e Kosovës, apo shkëmbimi i territoreve, janë çështje të mbyllura njëherë e përgjithmonë. Jo vetëm për faktin që Kosova është njohur nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, por edhe për faktin që të gjitha shtetet e mëdha relevante e pranojnë realitetin e një Kosove të pavarur. Po ashtu raporti i progresit për Serbinë në mënyrë të qartë e respekton integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe është mesazh mëse i qartë se askush nuk e mbështet ndarjen territoriale të Kosovës. Ndarja e Kosovës si ide është një ide, që i takon së kaluares është një ide, e cila do të prodhonte pasiguri, jostabilitet dhe do të krijonte efekte zinxhirore jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe për disa shtete të rajonit, prandaj edhe qëndrimi i të gjitha shteteve më ndikim është që ndarja është e papranueshme dhe kufijtë në Ballkan janë njëherë e përgjithmonë këta kufij, të cilët janë krijuar me pavarësinë e Kosovës, këta kufij, që janë krijuar në kuadër të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

DW: Nëse këtu nuk flitet për ndarje të Kosovës, atëherë cili është vendimi i vështirë, që duhet ta marrë qeveria në Prishtinë, vendim për të cilin flet shefja e diplomacisë evropiane, Kathrin Ashton?

Hoxhaj: Unë kam qenë pjesë e takimeve në delegacionin e udhëhequr nga kryeministri Thaçi, takime të zhvilluara në Bruksel dhe Uashington dhe deri më tash qoftë zyrtarisht brenda takimeve, apo publikisht, unë nuk kam dëgjuar për vendime të vështira dhe zgjidhje të vështira. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe do të jetë gjthmonë pjesë e pejsazhit të shteteve të pavarura, mirëpo ne jemi të gatshëm që me një fqinjë sikurse Serbia të fillojmë një proces, që për çështje të hapura të gjejmë zgjidhje konkrete dhe të dy vendet mund të lëvizin shumë shpejt drejt rrugës së integrimeve evropiane, nëse vërtetë fillon një proces i normalizimit të relacioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pothuajse tashmë është publike, që institucionet në Bruksel dhe shtetet më ndikim disa herë ia kanë bërë të qartë Serbisë se pa një normalizim, i cili jurikisht e obligon Serbinë, që pa një përmirësim të raporteve me Kosovën nuk mund të ndodhë një rrugëtim i shpejtë i Serbisë në Bashkimin Evropian.

DW: Mediat në Kosovë, por edhe jashtë saj shkruajnë se Brukseli është duke përgatitur një plan për biseda, ku palës kosovare do t'i kërkohet që veriu i Kosovës i banuar më shumicë serbe të ketë më shumë, sesa ka afruar pakoja e Marti Ahtisarit. Jeni në dijeni ju për këtë plan evropian?

Hoxhaj: Për mua zgjidhje, të cilat janë përfolur në opinionin publik në Kosovë apo jashtë saj, që do t'i jepet kësaj pjese të Kosovës ndonjë autonomi territoriale janë të papranueshme, po ashtu ndarja është e papranueshme, po ashtu shkëmbimi i territoreve është i papranueshëm. Ne jemi të gatshëm, që ta kemi një proces dialogu të brendshëm me qytetarët serb në veri dhe ne besojmë që përmes pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës këto tri komuna veriore mund të riintegrohen në institucionet e Kosovës. Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës janë e vetmja kornizë politike dhe juridike, për të cilën angazhohet qeveria e Kosovës, që qytetarët serbë në veri të Kosovës t'i kenë të drejtat e njëjta, sikurse i ka pakica serbe në pjesë tjera të Kosovës. Nuk mund të këtë një pakicë brenda përbrenda një shteti të pavarur, ku pjesa më e madhe e tij është integruar dhe një pakicë e këtij minoriteti të ketë një pozitë më të avancuar sesa shumica e këtij minoriteti, që jeton në veri.

DW: Ministër Hoxhaj, si mund të zhvillohet dialogu me serbët e veriut, ku të vetmet struktura në veri, që përfaqësojnë komunitetin serb në atë pjesë janë ato paralele serbe, që Prishtina zyrtare i quan struktura kriminale?

Hoxhaj: Ne në veri duhet ta kemi qasjen e njëjtë, sikurse kemi vepruar në pjesët tjera të Kosovës. Ne e dimë që deri në vitin 2007-2008 struktura ilegale paralele ka pasur edhe brenda rajoneve tjera të Kosovës. Mirëpo përmes themelimit të komunave të reja serbe, përmes zgjedhjeve, përmes integrimit politik dhe institucional, social dhe ekonomik, ne kemi arritur ta integrojmë komunitetin serb. Pra ne mendojmë se qasja e njejtë duhet të ndiqet edhe në veri. Vetëm nëpërmjet themelimit të komunës në veri të Mitrovicës dhe organizimit të zgjedhjeve në tri komunat tjera veriore të Kosovës ne jemi në gjendje, që ta integrojmë këtë pjesë në Kosovën e tërë.

DW: Minister Hoxhaj, është e nevojshme përfshirja e çështjes së shqiptarëve të luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë?

Hoxhaj: Unë nuk jam në gjendje në këtë fazë të flas për platformën e qeverisë për biseda me Serbinë. Ne e shohim procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që tejkalon peshën dhe përgjegjësinë e qeverisë së Republikës së Kosovës. Personalisht e përshëndës nismën e dhënë në kryesinë e kuvendit, ku të gjitha partitë politike relevante parlamentare e kanë mbështetur dhe miratuar një rezolutë, që të hyjë në rend dite në kuvendin e Kosovës dhe i takon të gjitha institucioneve, që të marrin vendim, se cilat çështje duhet të ngriten në procesin e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Si ministër i punëve të Jashtme e kam ngritur disa herë pozitën shumë diskriminuese, qasjen shumë agresive të kryeministrit aktual serb Ivica Dacic ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë. Kam kërkuar në të gjitha forumet ndërkombëtare, që të ndalohet diskriminimi, represioni dhe politika e frikës, që vetë kryeministri Dacic ka praktikuar ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Pra platforma e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, është përtej një ministri të punëve të jashtme. Ajo duhet të vendoset konform interesit shtetërorë të Republikës së Kosovës.

DW: Mund ta kemi një datë, se kur do të nisë dialogu politik Kosovë-Serbi.

Hoxhaj: Tash për tash nuk mund të themë ndonjë datë.