1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hollande: "Ishte atentat terrorist"

Ende në Bruksel, ku mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të BE, Presidenti i Francës Hollande u shpreh për atentatin me sfond islamik në afërsi të Lionit. Ai kërkoi të veprohet pa lëkundje.

Presidenti i Francës, François Hollande, e quajti sulmin ndaj fabrikës në afërsi të Lionit "atentat terrorist". Para gazetarëve në Bruksel ai tha se një sulmues është "arrestuar" dhe "identifikuar". Është e mundur që një doras i dytë e ka shoqëruar burrin në automjetin e atentatit, tha Hollande. Presidenti pasdite herët ndodhej ende në takimin e nivelit të lartë të BE, por kishte në plan të largohej sa më shpejt dhe të kthehej në Paris.

Kundër "grupeve dhe individëve" përgjegjës për sulmet duhet të veprohet pa u lëkundur, tha Hollande. Në Paris u caktua në Pallatin Elize një mbledhje e Këshillit Nacional të Mbrojtjes.

Lëvizja salafiste

Personi i dyshuar i arrestuar nga policia ishte i njohur për shërbimin e fshehtë të brendshëm francez, DGSI. I arrestuari ka pasur lidhje me "ambjentin salafist", tha Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, në vendin e atentatit.

Në vitin 2006 personi ishte vendosur në listën e autoriteteve të sigurisë, por në vitin 2008 ishte hequr nga lista. 35 vjeçari nuk ishtë dënuar më parë. Autoritetet po verifikojnë, nëse personi i dyshuar vepronte i vetëm, apo nëse ai ka bashkëpunëtorë. Prokuroria franceze e antiterrorit nisi hetimet.

Janë hedhur në erë shishe me gaz

Siç bëri të ditur policia, në bazë të të dhënave të para, një ose disa persona depërtuan me një automjet në fabrikën Saint-Quentin-Fallavier në juglindje të Lionit. Pastaj pasoi një shpërthim. Të paktën një sulmues u fut në territorin e fabrikës me një flamur islamist në dorë. Ai hodhi në erë në fabrikë disa shishe të mbushura me gaz.

Në gardhin e fabrikës u gjet koka e ndarë nga trupi e një viktime të terrorit - në bazë të të dhënave të hetuesve ai ishte mbuluar me gërma arabe. Dy njerëz të tjerë u plagosën lehtë.

Objekti i sulmit: sipërmarrja e SHBA

Objekt i sulmit ishte një fabrikë e sipërmarrjes së SHBA Air Products, e cila prodhon produkte gazi dhe kimie për industrinë. Zona Saint-Quentin-Fallavier në Departement Isere të Francës jugore klasifikohet nga autoritetet franceze si zonë me mallra të rrezikshme, megjithatë nuk është në shkallën më të lartë të rrezikimit. Air Products e quan veten si ofruesin kryesor në botë të hidrogjenit dhe të heliumit.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, urdhëroi që të përforcohen "menjëherë" në të gjithë rajonin e Francës lindore Rhône-Alpes masat e sigurisë për institucionet, që mund të jenë të rrezikuara.