1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Himni i Kosovës - 30 deri 60 sekonda

Bekim Shehu / Prishtinë11 Mars 2008

Kuvendi i Kosovës vendosi të shpallë konkursin për himnin. Përzgjedhja e himnit do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në planin e Marti Ahtisarit dhe ai duhet të pasqyrojë karakterin shumëetnik të Kosovës.

https://p.dw.com/p/DMhu
Kosovarët festojnë pavarësinë, Prishtinë 18 Shkurt 2008
Kosovarët festojnë pavarësinë, Prishtinë 18 Shkurt 2008Fotografi: AP

Republika e Kosovës krahas flamurit dhe stemës së shpejti do të ketë edhe himnin e saj. Me kërkesë të presidentit, kryesia e kuvendit të Kosovës shpalli të hapur konkursin për himnin, sepse ketë e parsheh edhe plani i Marti Ahtisarit, mbi bazën e të cilit Kosova shpalli pavarësinë. Jakup Krasniqi është kryetar i kuvendit të Kosovës: "Kriteret do të jenë që himni të mos jetë më i shkurtër se sa 30 sekonda dhe më i gjatë se sa 60 sekonda. Mund të jetë vetëm muzikë, por mund të jetë edhe tekst edhe muzikë, nuk duhet të jetë tekst i ndonjë himni tjetër ose imitim, duhet të jetë tekst i ri dhe t'u përmbahet kritereve të përcaktuara edhe në pakon e Marti Ahtisarit," thotë Jakup Krasniqi.

Marti Ahtisari, në planin e tij parasheh që Kosova të ketë himnin e saj, por ai nuk duhet të pasqyrojë karakter njëetnik por shumëetnik. Mbi këtë bazë është përzgjedhur edhe flamuri i Kosovës dhe stema e saj, tash edhe himni. Që nga shpallja e pavarësisë në ceremoni të ndryshme Kosova ka përdorur himnin e BE-së, një simbolikë kjo edhe për shkak të misionit të BE-së i cili tashmë gjendet në Kosovë.

Zbatimi i planit të Marti Ahtisarit, tashmë ka filluar të bëhët realitet në Kosovë. Shumica e ligjeve bazë të parapara në plan, janë miratuar në kuvendin e Kosovës, ndërsa, me procedurë të përshpejtuar do të miratohen edhe 10 ligje të tjera. Shumica nga këto
ligje në radhë të parë kanë të bëjnë më të drejtat e pakicave në mënyrë të veçantë të asaj serbe.