Hidhet shorti i Kampionatit Evropian 2008
2 Dhjetor 2007Kombëtarja gjermane pati sërish fat në shortin për grupet e raundit të eliminatoreve të Kampionatit Evropian të Futbollit 2008 në Austri dhe në Zvicër. Ekipi nën drejtimin e trainerit Joahim Lëv (Joachim Löw) në grupin B do të ndeshet me Austrinë, Kroacinë dhe Poloninë. Ky ishte rezultati i shortit të hedhur të dielën (02.12) në qendrën e kulturës dhe të kongreseve në Lucernë. Shumë më të vështirë se Gjermania do ta ketë këtë kampionat Italia, e cila do të ndeshet në grupin C me ish-kampionen e Evropës, Holandën, me Francën si dhe me Rumaninë.
Mund të kish dalë edhe më keq për ekipin gjerman në shortin e hedhur në Lucernë. Polonia, Kroacia dhe Austria do të jenë kundërshtaret në raundin e eliminatoreve për Kampionatin Evropian vitin e ardhshëm në Austri dhe në Zvicër. Edhe menaxheri i ekipit Oliver Bierhof (Bierhoff) pak pas shortit shprehu lehtësim: "Mendoj, se ne duhet të jemi të kënaqur. Natyrisht të gjithë janë pjesëmarrës në finale dhe kanë ekipe të forta që kanë fituar. Gjithashtu nuk është e thjeshtë që të luash kundër palës organizatore , e cila luan në fushën e vet. Por nga ana tjetër, nëse shohim grupet e tjera, ne jemi të kënaqur."
Hapja e Kampionatit Evropian më 7 qershor
Ndeshjen e parë më 8 qershor në Klagenfurt ekipi gjerman do të përballet me Poloninë dhe katër ditë më vonë po në të njëjtin stadium me Austrinë. Për këtë ndeshje bashkëtraineri i ekipit të Austrisë, Anderas Herzog, pavarësisht nga roli anësor që luan ekipi i tij vlerëson, se ka shanse të mira: "Gjermania është favorite në grupin tonë, këtë ne e kemi të qartë. Por megjithatë ne llogarisim shanse të mira edhe kundër Kroacisë dhe Polonisë. Natyrisht, që në Kampionatet Evropiane ne duam ta mundim përsëri Gjermaninë edhe pas 30 a 40 vjetësh. Kjo është e qartë, por jo aq e kollajshme. Megjithatë, ndeshja do të zhvillohet në Vjenë dhe ne parashikojmë mundësi të mira."
Sigurisht mundësi shumë më të mira nga sa ka grupi C me Italianë, Holandën, Francën dhe Rumaninë, që luajnë qysh në raundin eliminator kundër njëra-tjetrës. Ky është një konstelacion, që mund ta përfytyrosh edhe në gjysmë-finale.
Më pak i vështirë është grupi A: Zvicra luan ndeshjen e hapjes më 7 qershor kundër Çekisë, pason ndeshja me Portugalinë dhe me Turqinë, ndërkohë që Greqia si kampione e Evropës në grupin D do të ndeshet me Suedinë, Spanjën dhe Rusinë.
Finalja zhvillohet më 29 qershor në Vjenë
Shitja e biletave për ndeshjet eliminatore nis në Gjermani më 15 janar. Federata gjermane e futbollit do të hapë për këtë një portal biletash në internet me adresën www.dfb.de. Porositë për bileta do të pranohen vetëm online. Duke pritur një kërkesë të lartë, federata gjermane e futbollit do të organizojë sërish një short, për çdo person do të jepen maksimumi katër bileta dhe për dorëzimin përfundimtar të biletës duhet të paraqiten të dhënat personale. Federata gjermane e futbollit do të marrë bileta vetëm për ndeshjet, ku luan Gjermania. Ndërsa qarkullimi i biletave në përgjithësi për ndeshjet e tjera organizohet prej EURO 2008 në adresën www.uefa.com