Çështja Asanaj dhe FBI-ja
22 Qershor 2012Qeveria e SHBA-së është dakord që të garantojë mbështetjen e nevojshme, ndërkohë që Zyra Federale e Hetimeve është në kontakt me policinë e Kosovës për të koordinuar hapat e mëtejshëm, mësohet nga komunikata për shtyp e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. Qeveria e Kosovës i kërkoi mbështetje SHBA-së në hetimin e rastit të vdekjes së Dino Asanajt, ish-drejtor i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe nënshtetas i SHBA-së. Asanaj javën e kaluar ndërrroi jetë në spital, pasi u gjet në shtëpinë e tij me plagë të marra nga disa goditje me thikë.
Në njoftimet e para u tha, se ai ishte goditur nga persona të panjohur. Si rrjedhojë reaguan menjëherë qeveria dhe zyrtarët ndërkombëtarë duke e dënuar ashpër aktin dhe duke bërë thirrje që dorasit të përgjigjen para drejtësisë. Por më pas ekspertët vendas dhe të misionit të BE-së EULEX pas autopsisë së përbashkët u shprehën, se vdekja është shkaktuar nga vetëvrasja.
Javët e fundit Asanaj ishte akuzuar për korrupsion nga një blerës i mundshëm i hotelit Grand, më i madhi në Prishtinë, i cili e akuzonte atë se i kish kërkuar disa milionë euro për hapjen e procesit të privatizimit. Pas rivlerësimit të autopsisë, autoritetet thanë, se nuk do të nxitojnë për të dalë me konkluzione rreth arsyeve të vdekjes së Asanajt, por do të presin rezultatin e hetimeve të policisë. Asanaj me nënshtetësi të dyfishtë pati shërbyer në SHBA si një përfaqësues i UÇK-së në kohën e luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.