Hetime të vështira
4 Janar 2008Rrethanat e atentatit kundër Benazir Butos janë të diskutueshme, dimensioni politik i atentatit është shpërthyes.
Dalja e fundit e presidentit Pervez Musharaf para gazetarëve të huaj në Islamabad e theksoi këtë.
"Nëse ushtria dhe shërbimi sekret do të përdornin për vete ata njerëz, që ata i luftojnë, atëherë kjo do të ishte qesharake."
Që qeveria e tij të jetë e përfshirë në vrasjen e udhëheqëses së opozitës, Musharafi e përjashtoi kategorikisht. Pandërprerë ai bënte fajtorë për vrasjen ekstremistët islamikë, duke pohuar se Benazir Buto i kishte injoruar paralajmërimet e autoriteteve.
Por pakistanezët janë skeptikë. Ata shpresojnë tani te britanikët.
"Hetuesve të huaj u besojmë, tanëve jo." thotë ky burrë. Dhe vëzhguesi politik Tallat Massoud shton:
"Qeveria nuk ka kredibilitet. Askush nuk i beson më asaj."
Presidenti Musharaf e ka humbur mbështetjen e shumicës, sepse e ka përdorur luftën kundër ekstremistëve islamikë si pretekst për të luftuar kundërshtaret me prirje demokratike.
Qëndrimi i autoriteteve në rastin Buto shtoi mosbesimin në vend. Shpjegimet zyrtare të kryerjes së vrasjes binin në kundërshtim me rrëfimet e dëshmitarëve. Shpejt u krijua dyshimi, se autoritetet kishin diçka për të fshehur. Në një fjalim televiziv Musharafi mori turr përpara. Ai tha se zhvillimet e reja duhen trajtuar profesionalisht, prandaj ai ka sjellë në Pakistan hetuesit e Scotland Yardit.
Por ekipi britanik është i vogël, specialistët e antiterrorit vetëm do t´i mbështesin kolegët e tyre pakistanezë dhe nuk do të marrin në asnjë mënyrë drejtimin e hetimeve. Bashkëshorti i ve i Butos, Asif Zadari reagoi kështu:
"Tani u kujtuat për Scotland Yardin? Përse jo më parë?"
Zadari këmbëngul që OKB-ja të hetojë rrethanat e vrasjes së gruas së tij. Për atë është e qartë se Benaziri është vrarë. Bashkëshorti i saj mbështetet tek rrëfimet e dëshmitarëve dhe tek filmimet në vendin e ngjarjes. Autoritetet pakistaneze nga ana e tyre flasin për thyerje të kafkës nga forca e një sulmi kamikaz. Pa autopsi kjo nuk do të mund të sqarohet, por atë e refuzon Asif Zardari. Përkrahësit e Butos besojnë, se shërbimi i fshehtë pakistanez ISI e ka vrarë politikanen me popullaritet, sepse ajo donte të publikonte dëshmitë për falsifikimin e zgjedhjeve.