Helmut Kohl - ″Patriot gjerman por edhe patriot europian″ | Gjermania | DW | 01.07.2017
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Helmut Kohl - "Patriot gjerman por edhe patriot europian"

Në ceremoninë e përmortshme të zhvilluar në Strasburg, personalitete botërore vlerësuan lart figurën e kancelarit gjerman, Helmut Kohl, rolin e tij për Europën e bashkuar, marrëdhëniet transatlantike e ato me Rusinë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel vlerësoi lart figurën e Helmut Kohlit si kancelar i bashkimit të Gjermanisë, por ajo kujtoi edhe përvojën e saj personale në kohën e bashkimit të Gjermanisë, kur Kohl ishte kancelar dhe luajti rolin unik të tij. Pa Helmut Kohlin jetët e shumë njerëzve jetët e shumë njerëzve pas murit do të ishin ndryshe, përfshirë edhe jetën time, tha Merkel.

"I dashur kancelar federal Helmut Kohl, fakti që unë qëndroj këtu, ka të bëjë në masë të madhe edhe me Ju. Faleminderit për shanset që më keni ofruar....unë përkulem me nderim para Jush dhe kujtimit Tuaj - me mirënjohje dhe përulësi."

Kohl "dinte të afrohej me njerëzit, ai interesohej për ta", tha Merkel. Merkel e vlerësoi ish-kancelarin gjerman si ai që diti të ndërtonte marrëdhënie të mira jo vetëm me Francën, por edhe me Uashingtonin e Moskën.

Juncker: Mik i shtrenjtë

Kreu i Komisionit Europian, Jean Claude-Juncker i dha lamtumirën kancelarit gjerman duket përdorur një gjuhë personale dhe mjaft emocionale për t'u ndarë nga ish-kancelari gjerman, Helmut Kohl. Kohl e ka shoqëruar atë si "mik i shtrenjtë" për një kohë të gjatë, tha ai. "Me Helmut Kohl na lë nje gjigand i pasluftës", tha Juncker, që vlerësoi rolin e Kohlit si kancelar i bashkimit të Gjermanisë por dhe forcimit e bashkimit të Europës. "Helmut Kohl ishte një patriot gjerman, por edhe një patriot europian." Mes këtyre të dyjave nuk ka pasur ndonjë mospërputhje, tha Juncker.

Bill Clinton me deklaratë dashurie

Ndërsa ish-presidenti amerikan, Bill Clinton e filloi me një deklaratë dashurie në drejtim të ish-kancelarit gjerman. "Unë e kam dashur atë, e kam pëlqyer shumë", tha Bill Clinton, që u ndal me një humor melankolik tek oreksi i ish-kancelarit. Ish-presidenti amerikan i kushtoi vëmendje trashëgimisë politike të Kohlit. Ai u përball në kohën e tij me çështje të mëdha të politikës, dhe për shkak të përgjigjeve që ai dha, janë bashkë kaq shumë përfaqësues nga vende të ndryshme në këtë ceremoni të përmortshme, theksoi ish-presidenti amerikan. "Ai donte të krijonte një botë, në të cilën askush nuk dominon askënd." Në fund Clinton e përmbylli me fjalët: "E bëre ashtu si duhet në jetë, prandaj ne që mundemi të jemi tani këtu, të duam për këtë."

Në ceremoninë e përmortshme foli edhe ish-kryeministri  spanjoll, Felipe Gonzalez. "Ai fliste për një Gjermani europiane dhe nuk donte kurrë më një Europë gjermane", theksoi ai për kancelarin Kohl.

Medvedev: Rusia ishte pjesë e Europës për Kohl

Ndërsa në vlerësimin e kryeministrit rus, Dmitri Medvedev u evokuan marrëdhëniet e ngushta të Helmut Kohlit me vendin e tij, Rusinë. Për ish-kancelarin, Rusia ishte pjesë e një Europe të bashkuar, tha Medvedev në Strasburg. "Për të kjo ishte pjesë e një shtëpie të përbashkët, pa gardhe me gjemba." Për kryeministrin rus, Kohl ishte një "person i së ardhmes" dhe "arkitekti i botës së sotme".

Macron: "Aidonte të ndërtonte ura jo gardhe"

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron e nderoi Kohlin si mikun e madh të Francës. "Ai donte të ndërtonte ura jo gardhe". Presidenti francez kujtoi afrimin e dy vendeve në vitet 80-të dhe miqësinë e Kohlit me presidentin francez, François Mitterrrand. "Helmut Kohl na dha dorën", tha presidenti 39 vjeçar duke theksuar se "për gjeneratën time, Helmut Kohl është pjesë e historisë europiane". Macron përforcoi në Strasburg vullnetin për të bashkëpunuar me Gjermanisë dhe Angela Merkelin.

Në fund Emmanuel Macron që fjalimin e mbajti në frëngjisht iu drejtua sallës gjermanisht - "Nuk kemi asnjë arsye për t'u dorëzuar. Ne kemi shumë më tepër arsye për të pasur një optimizëm realist."