1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hekurudhat në veri të Kosovës rivihen nën kontroll të UNMIK-ut

Bekim Shehu/Prishtinë5 Mars 2008

Krerët e Kosovës: institucionet e Kosovës kanë shtrirë autoritetin e tyre në tërë teritorin e vendit

https://p.dw.com/p/DIKT
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Krerët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë, thonë se situata e sigurisë në veri të Kosovës është e qetë dhe nën kontroll të plotë të organeve të rendit. Ky konstatim u bë pasi UNMIK-u mori nën kontroll hekurudhat veriore të Kosovës, të cilat për dy ditë u kontrolluan nga qeveria e Serbisë dhe serbët lokalë të veriut. Shefi i UNMIK-ut, Joahim Rycker, thotë se forcat paqerujatëse kanë kapacitete të përballen me çfarëdo situate. Ato do ta ndihmojnë administratën ndërkombëtare për të pasur kontroll në të gjithë teritorin e Kosovës.

„Administrata ndërkombëtare, nëse është e nevojshme edhe ndihma e forcave paqerujatëse, do ta mbrojë rolin e vet ekzekutiv në polici, dogana dhe në sistemin gjyqësor. Kjo u dëshmua të martën, kur ne ndaluam trenin e Serbisë që të futet në teritorin e Kosovës pa lejën tonë, ndërsa, vendosëm në qarkullim trenin nga Fushë-Kosova për në Zveçan", thotë shefi i UNMIK-ut, Joahim Rycker.

Për autoritetet e Prishtinës është qeveria e Beogradit ajo që po nxit probleme dhe po manipulon me disa serbë të Kosovës. Kryeministri, Hashim Thaçi, thotë se shumica e serbëve të Kosovës janë të gatshëm të integrohen në shoqërinë e këtushme.

Sidoqoftë, situata e sigurisë nëpër vendbanimet serbe, megjithë tensionet e larta vazhdon të jetë e qetë dhe nën kontroll, thonë organet e rendit. Policët serbë, të cilët bojkotuan bashkëpunimin me kolegët e tyre shqiptarë vazhdojnë të jenë jashtë stacioneve policore, mirëpo atyre nuk u është shkëputur marrëdhënia e punës. Kryesuesi i misionit të BE-së, në Kosovë, Piter Fait (Peter Faith), shpreson se policët serb shumë shpejtë do të kthehen në vendet e tyre të punës, ndërsa, qeveria e Kosovës i mirëpret ata.