1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapet rruga për ndryshime kushtetuese në Kosovë

22 Prill 2011

Parlamenti i Kosovës i dha dritën jeshile dy komisioneve parlamentare për nisjen e punës për amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës dhe ndryshimit të ligjit të zgjedhjeve.

https://p.dw.com/p/10ynn
Parlamenti në Pristinë
Parlamenti në PristinëFotografi: dapd

Komisionet u votuan me 76 vota për, 6 kundër dhe 4 abstenime. Këto dy komisione u formuan pas një marrëveshje politike ndërmjet tri partive, PDK-së LDK-së dhe AKR-së, e cila i dha fund krizës institucionale me zgjedhjen e presidentës koncensuale Atifete Jahjaga. Në bazë të kësaj marrëveshje dhe ndryshimet kushtetuese që pritet të ndodhin, parashihet që presidenti të zgjedhet drejpërdrejt nga qyterarët dhe kjo të ndodhë jo më larg se gjatë verës apo vjeshtës së vitit të ardhshëm. Poashtu, parashihen zgjedhjet e reja edhe për Kuvendin e Kosovës në vjeshtën e vitit 2013. Komisionet për ndryshimet kushtetuese do të kenë nga nëntë anëtare dhe ato duhet të përfundojnë punën brenda 12 muajve. Më parë kryesia e kuvendit të Kosovës është pajtuar të formojë dy komisione parlamentare. Kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se ndryshimet kushtetuese në Kosovë janë të nevojshme: “Tendencat për ta amandamentuar kushtetutën, nuk e dëmtojnë e as zhvleftësojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por vetëm e plotësojnë dhe e konkretizojnë dhe ndryshimet janë të nevojshme”, thotë Jakup Krasniqi.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete JahjagaFotografi: AP

Shumë analistë, njohës të zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se koha prej gjashtë deri në 12 muaj, sa është planifikuar të bëhen ndryshimet Kushtetuese, është një kohë e shkurtër. Partitë politike sipas tyre dëshirojnë që të bëjnë këto ndryshime kushtetuese për këtë periudhë, në mënyrë që t'u përshtaten interesave të tyre politike për kohën, kur ato kanë planifikuar të mbajnë zgjedhjet e përgjithshme. Mirëpo Ismet Beqiri nga LDK, parti kjo që e para kërkoi ndryshimet kushtetuese, thotë se askujt në Kosovë nuk i konvenon që ndryshimet kushtetuese të stërzgjaten: “Askujt nuk i konvenon që të humbë kohë në formimin e këtyre komisioneve dhe fillimin e punës së madhe, që na pret edhe si deputetë edhe si shoqëri dhe humbja e kohës do t'i konvenonte vetëm atyre, që nuk dëshirojnë të ketë ndryshime në kuptimin pozitiv. Këto ndryshime do t'i eliminonin ato të meta, që kanë qenë sidomos në ligjin për zgjedhjet e pse jo edhe në mënyrën e zgjedhjes së presidentit ”, thotë Ismet Beqiri.

Ndërkohë njëri nga hartuesit e kushtetutës aktuale të Kosovës, Arsim Bajrami, thotë për programin tonë se Kushtetuta e Kosovës ka nevojë në tërësi të rishikohet, por kjo sipas tij mund të bëhet vetëm pas përfundimit të pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës: “Ka ardhur koha që kushtetuta të amandamentohet në pjesët, për të cilat ekziston konsensus i brendshëm, kurse në një fazë të mëvonshme pas tërheqjes së pavarësisë së mbikqyrur të shikohet mundësia e tërheqjes së kufizimeve politike, që janë vendosur me pakon e Marti Ahtisarit”, thotë Arsim Bajrami.

Kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi
Kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup KrasniqiFotografi: DW

Në marrëveshjen politike ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, që flet për ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore thuhet: "Ne pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale, që do të hartojë amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe çfarëdo legjislacioni të ndërlidhur të nevojshëm për të amandamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Komisioni do të synojë të përfundojë punën e vet brenda 6 deri në 9 muaj nga data e themelimit të tij”.

“Ne pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili mes dispozitave tjera do të përkrahë krijimin e më shumë distrikteve zgjedhore në Kosovë dhe do të hartojë ndryshimet e nevojshme legjislative dhe kushtetuese për të arritur këtë qëllim. Komisioni do të synojë të përfundojë punën brenda 8 deri në 12 muaj nga data e themelimit të tij”.

Në bazë të marrëveshjes politike ndërmjet tri partive, PDK-LDK-AKR, që iniciuan ndryshimet kushtetuese, parashihet që presidenti të zgjidhet drejpërdrejt nga qyterarët dhe kjo të ndodhë jo më larg sesa gjatë verës, apo vjeshtës së vitit të ardhshëm. Po ashtu, parashihen zgjedhjet e reja edhe për Kuvendin e Kosovës në vjeshtën e vitit 2013.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica