280409 bayern münchen trainer
28 Prill 2009Jup Hajnkes (Jupp Heynckes) traineri i përkohshëm i Bajernit të Mynihut deri në përfundim të sezonit, tha se objektivi i tij është kualifikimi direkt i ekipit në Ligën e Kampionëve.
"Unë mendoj se duhet të përpiqemi dhe duhet të kemi si objektiv kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve. Një klub si Bajerni i Mynihut duhet të luajë vitin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve",
tha 63 vjeçari sot në konferencën e tij të parë për shtyp, si pasues në post i trainerit të larguar Jyrgen Klinsman. Përsa i takon shanseve të ekipit për titullin kampion, Hajnkes tha se
"aktualisht pesë ekipe e kanë këtë mundësi, por Volfsburgu ka shanset më të mira".
Hajnkes tha se ai do të jepte gjithë "forcën dhe energjinë e tij" në pesë ndeshjet e Bundesligës. Sot pasdite Hajnkes për herë të parë do të trainojë profesionistët e Bajernit. I pyetur për arsyet e pranimit të kësaj detyre në mes të sezonit, trajneri i ri i Bajernit u përgjigj:
"Unë mendoj se në 1987-n ishte shumë e rëndësishme për mua të trainoja një klub si Bajerni i Mynihut. Kjo ishte e rëndësishme edhe për karrierën time të mëvonshme ndërkombëtare si trajner. Dhe jam i mendimit se kjo është edhe një lloj përgjegjësie, edhe pse për mua personalisht është e pazakontë ta marr detyrën gjatë sezonit."