1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hahn dhe Lunaçek: Në Kosovë nuk duhet humbur kohë në krijimin e qeverisë së re.

Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, PAN mori 34.2%, Vetëvendosja 27%, LAA 25.7% dhe Lista Serbe 5%. Sipas analistëve asnjë nga këto subjekte nuk do të mund vet ta formojnë qeverinë. Nevojiten koalicione.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, pret që Kosova të mos vonohet, por të formojë institucionet e reja. Këtë deklaratë Johanes Hahn e bëri në Bruksel pas publikimit të mbi 90% të rezultateve nga KQZ, ku koalicioni PAN, doli i pari në zgjedhje, i pasuar nga lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LAA si e treta. "Shpresoj që të mos marrë kohë me muaj krijimi i institucioneve sikurse herën e kaluar, sepse ka nevojë për reforma. Institucionet e reja duhet të vazhdojnë me reforma sa i përket agjendës evropiane dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, sikundër edhe përmbushjen e kushteve për liberalizim të vizave", u shpreh Johanes Hahn, në një konferencë për medie në Bruksel, duke thënë se "tani është përgjegjësi e liderëve politik të bëjnë qeverinë e re". Vëzhguesit e BE-së që monitoruan zgjedhjet e 11 qershorit, ditën e martë do të dalin me raportin për zgjedhjet të cilin raport do t'ia dorëzojnë komisionerit Hahn.

Në të njejtën linjë në një komunikatë për medie u shpreh edhe Ulrike Lunaçek, nënkryetare e Parlamentit Evropian, e cila inkurajon liderët politik kosovar që sa me shpejt ta formojnë qeverinë e re. "U bëj thirrje partive politike kosovare që shpejt ta formojnë qeverinë e re dhe të vazhdojnë rrugën drejt integrimeve evropiane. Qeveria e re duhet të fokusohet në krijimin më të mirë të kushteve ekonomike dhe sociale dhe të punojë në edukim dhe shëndetësi. Kjo është ajo çfarë kërkojnë qytetarët e Kosovës. Kjo është ajo çfarë kërkojnë miqtë evropian të Kosovës", shprehet Ulrike Lunaçk.

Edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, zgjedhjet në Kosovë i cilësoi një hap të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë, duke përgëzuar qytetarët për zgjedhje të mira. "Pavarësisht rezultateve përfundimtare, pa marrë parasysh numrin përfundimtar të votave, sfidat dhe mundësitë mbeten. Qëllimi i përbashkët dhe jo politika duhet të jetë qëllimi për Kosovën", tha ambasadori Delwie.

Sidoqoftë, rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit akoma nuk janë finalizuar nga Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve (KQZ) dhe përqindja e prezantuar deri tash nga rezultatet preliminare të mbi 95% të votave të numëruara është e tillë që asnjë nga koalicionet dhe partitë që morën pjesë në zgjedhje nuk do të mund vet ta formojë qeverinë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryeministër në detyrë, në reagimin e parë pas publikimit të rezultateve preliminare, tha se qytetarët dhanë vendimin në këto zgjedhje ku sipas tij, mbizotëroi zëri i kundërshtimit. "LDK në ditët në vijim do të analizojë dhe vlerësojë rezultatet e zgjedhjeve dhe do të reflektojmë në interes të anëtarësisë dhe të qytetarëve. Vendimin do ta marrim edhe me deputetët pas certifikimit të rezultateve si dhe me partnerët e koalicionit", shkroi ne facebook Isa Mustafa.

Renditja e lëvizjes Vetëvendosje si subjekti i dytë politik në këto zgjedhje për anbalistët politik përfundimisht e ka ndryshuar skenën politike kosovare. Blerim Burjani analist, thotë se kriza politike në Kosovë është e pashmangshme.

"PDK-AA-Nisma (PAN) nuk e ka shumicën për ta bërë qeverinë, LDK-AKR-Alternativa (LAA) nuk hyn në koalicion me PAN e as vetëvendosjen. Këtë e kam paralajmëruar ditën kur ka rënë qeveria, se këto zgjedhje do të prodhojnë ngërcin por jo zgjidhjen e problemeve. Në këtë situatë ose duhet të kemi qeveri teknike ose zgjedhje të reja, nëse askush nuk do që të shkojë në koalicion me PAN. Kjo do të thotë zgjedhje të reja serish", thotë Blerim Burjani.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit lista serbe që e ka mbështetjen e qeverisë në Beograd, mori më shumë se pesë për qind të votave dhe nëse përkthehet në deputet kjo listë mund të ketë 10 ose 11 deputet. Pas këtij rezultati, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha, se "Serbia dëshiron dialog serioz me shqiptarët, por ata duhet ta dinë se ne duam t'i ruajmë edhe interesat e serbëve dhe të Serbisë në Kosovë.  "Koalicioni i partive të luftës ose të veteranëve, ka fituar shumicën në zgjedhjet e Kosovës. Ky është grupimi që më së hapuri i është kërcënuar serbëve dhe kjo do të krijojë shumë probleme. Mirëpo, ky koalicion ka përballë bllokun unik politik të përfaqësuesve të serbëve që do të mbrojë interesat e serbëve e të Serbisë, citon media B92 Vuçiçin".

Sidoqoftë, që nga përfundimi i luftës asnjë qeveri në Kosovë nuk ka arritur ta çojë deri në fund mandatin katër vjeçar. Edhe qeveria e ardhshme sipas analistëve, kushdo që do ta formojë, pritet ta ketë të njëjtin fat për faktin që qeveria e ardhshme do të përballet me tri çështje të rëndësishme dhe që është dëshmuar se janë 'problematike'. Është ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, që ishte shkaktari i rrëzimit të qeverisë Mustafa, është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që me ngulm kërkohet themelimi nga lista Serbe, por kundërshtohet nga partitë shqiptare dhe është fillimi i punës së Gjykatës Speciale për Krime Lufte e cila mund të godasë figura të larta politike në Kosovë.

Zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit ishin zgjedhjet e treta në radhë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.