1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gyl: Të respektohet shteti i së drejtës

dpa, afp/Angjelina Verbica2 Janar 2014

Në mes të skandalit të korrupsionit, që ka përfshirë qeverinë e Erdoganit, presidenti turk Gyl ka bërë thirrje për respektimin e parimeve kushtetuese.

https://p.dw.com/p/1AkHT
Fotografi: AFP/Getty Images

"Ne duhet të qëndrojmë larg nga të gjitha qëndrimet e sjelljet, që mund ta dëmtojë shtetin tonë demokratik kushtetues", paralajmëroi presidenti turk Abdullah Gul në mesazhin e tij e Vitit të Ri dhe vazhdoi: "Është detyra jonë për të shmangur çdo gjë, që mund të dëmtojë pavarësinë dhe paanshmërinë e drejtësisë."

Pleduaje për ndarjen e pushteteve

Ndërsa udhëheqja politike mund të ndryshohet vetëm përmes zgjedhjeve demokratike, gjyqësori është përgjegjës për të gjitha kontestet juridike. Asnjë institucion s'mund të pretendojë të dalë mbi rregullat e Kushtetutës, tha presidenti turk. Gyl është aleati politik i Rexhep Taip Erdoganit, por me qëndrime më liberale sesa kryeministri konservator islamik. Në fjalën e tij Gyl nuk u shpreh drejtpërdrejtë lidhur me skandalin e korrupsionit.

Qeveria e Erdoganit është tronditur që nga mesi i dhjetorit nga një skandal korrupsioni, i cili çoi në dorëheqjen e tre ministrave. Hetimet e prokurorisë janë fokusuar në dhënien e rryshfeteve të paligjshme për leje ndërtimi dhe në shkeljen e sanksioneve tregtare ndërkombëtare kundër Iranit. Kritikët e akuzojnë Erdoganin për pengim të hetimeve të drejtësisë mbi skandalin.

Daljet e para nga partia

Në javët e fundit, sipas informacioneve të medias, në polici janë shkarkuar qindra funksionarë drejtues. Që nga zbulimi i skandalit të korrupsionit prej "Partisë për Drejtësi dhe Liri" në pushtet (AKP) janë larguar gjashtë deputetë. Ata e argumentuan këtë hap me presionin, që Erdogani ushtron ndaj policisë dhe gjyqësorit në lidhje me aferën. Megjithatë AKP vazhdon të ketë në parlament një shumicë të qartë.

Kryetari i qeverisë i sheh hetimet dhe arrestimet si fushatë, me të cilën shpifet kundër tij personalisht, kundër qeverisë së tij dhe Turqisë. Përkrahësit e Erdoganit dyshojnë kryesisht se prapa hetimeve të korrupsionit qëndron lëvizja e predikuesit islamik Fethullah Gylen, që jeton në SHBA. Gylen duket se ka shumë përkrahës pikërisht në polici dhe gjyqësor. Ka kohë që kryeministri përpiqet të kufizojë ndikimin e kësaj lëvizjeje.