Guttenberg viziton Kosovën
28 Mars 2010Guttenbergu do të takohet me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi
Ministri gjerman i Mbrojtjes Karl Theodor zu Guttenberg do të vizitojë të hënën dhe të martën e ardhshme (29.3. dhe 30.3.) zonat ku ushtria gjermane ndodhet me mision në Ballkan, Kosovë dhe Bosnjë - Hercegovinë. Krahas vizitës tek trupat gjermane të KFOR-it dhe EUFOR Althea (Bosnjë - Hercegovinë) ministri gjerman do të zhvillojë edhe bisedime politike.
Në Kosovë ministri do të qëndrojë nga data 29 deri 30 mars. Në datë 29 ai pritet të takohet në Prishtinë me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi dhe në përfundim do të vizitojë trupat gjermane të KFOR-it në kampin Film City. Në mbrëmje zu Guttenberg do të fluturojë për në Prizren ku do të vizitojë trupat gjermane atje. Më 30 mars ai do të takohet me zv/shefin e EULEX-it Roy Reeves, me shefin e sektorit të policisë të EULEX-it Udo Möller si dhe me shefin e zyrës civile Pieter Feith.
Komandanti i KFOR-it: Detyra ushtarake është përmbushur thuajse plotësisht
Më 8 shtator 2009, gjeneral gjerman Markus Bentler mori komandën e trupave të NATO-s në Kosovë. Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë dhe objektivat e misionit të NATO-s, gjenerali Bentler u shpreh së fundi për gazetën gjermane "Neue Osnabrücker Zeitung" se detyra ushtarake e KFOR-it është përmbushur thuajse plotësisht. "Nuk ka më asnjë kërcënim nga jashtë. Të gjitha sfidat me të cilat përballemi aktualisht në Kosovë nuk kanë më natyrë ushtarake. Bëhet fjalë për çështje sociale, politike dhe ekonomike", tha gjenerali. Por ai pranoi se stabiliteti i Kosovës është ende sipërfaqësor. Sipas gjeneralit Bentler ennde ka tensione mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Por detyrat e KFOR-it në këtë situatë mund të zgjidhen edhe me më pak trupa dhe kampe ushtarake.
2200 ushtarë gjermanë ende në Kosovë
Kontigjenti i ushtrisë gjermane (Bundeswehr) është i pranishëm në Kosovë që prej 12 qershorit 1991. Aktualisht atje ndodhen në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR, rreth 2.200 ushtarë dhe ushtarë gjermanë. Baza ligjore e misionit është rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në qershor 2008 NATO përcaktoi detyra të reja për misionin e KFOR-it. Ajo mbikqyr zhvillimin e strukturave të sigurisë profesionale, demokratike dhe multietnike.
Autor: Eliana Xhani
Redaktoi: Esat Ahmeti