1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupe ekspertësh të pavarur duhet të gjejnë shkaqet e krizës

14 Nëntor 2008

Shtypi gjerman i ditës i ka kushtuar vëmendje takimit ekonomik të nivelit të lartë që po mbahet në Uashington.

https://p.dw.com/p/FvCX
Fotografi: picture-alliance/ dpa

E përditshmja "Berliner Zeitung" shkruan për takimin e Uashingtonit:

"Kriza aktuale financiare ka zgjuar tek fuqitë botërore financiare nevojën për aksione të përbashkëta. Por në kuadër të takimit të krizës shihet edhe se konkurenca mes tyre nuk ka rënë. Shtetet evropiane luftojnë kundër njëra tjetrës me propozime të reja reformash, për të marrë rolin udhëheqës në Evropë dhe për të luftuar së bashku kundër sundimit amerikan. SHBA-të nga ana e tyre, duan të mbajnë rolin kryesues dhe tregojnë pak vullnet për reforma. Së bashku, SHBA-të dhe Evropa duan të shfrytëzojnë vendet në zhvillim për stabilizimin e sistemit financiar, pa u dhënë atyre pozicione më të pushtetshme. Vendet si Kina kanë shprehur dëshirën për të marrë më shumë pushtet, por duke bërë të qartë se nuk kanë ndër mend të mbeten mjeshtrat e pagesave".

"Frankfurter Rundschau" shkruan:

"Le të shohim pak me kujdes. Jo vetëm drejt Uashtingtonit, ku pak a shumë është duke u folur për çështjen nëse duhet lënë të na sundojë kapitalizmi spekullativ apo jo. Le të shohim edhe këtu në vend, politikanët që papritur nuk duan më të dinë për mesazhet e tregut të lirë. Le të shohim më me kujdes, nëse programi koniukturor i qeverisë federale vazhdon të ndjekë idenë se ekonomia e tregut, nuk mund të vazhdojë të ekzistojë me rishpërndarjen nga lartë dhe konsolidimet e njëhershme të buxhetit. (...) Le të mos presim sa të vijë kriza tjetër, deri sa të ushtrojmë presion ndaj politikanëve që të vënë rregullat e duhura në ekonominë e tregut. Sepse politika sheh në të legjitimimin e vetvetes, duke mos pushuar së vëni përballë egoizmit natyror të aktiviteteve ekonomike, mirëqënien e përbashkët."

Edhe gazeta Shtutgarter Cajtung (Stuttgarter Zeitung) merret me takimin e nivelit të lartë ekonomik në Uashington:

"Takimi i Uashingtonit ka vlera simbolike. Vendet e industrializuara dhe vendet në zhvillim demostrojnë gatishmërinë e tyre, për t`i vënë kufizime tregjeve financiare. Ky është sinjal i rëndësishëm. Por kush shpreson që kryetarët e shteteve të bien dakord për masat konkrete që duhen marrë, ai do të zhgënjehet. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se vendet e industrializuara dhe vendet në zhvillim kanë pak përvojra konferencash me njëri tjetrin. Në fund të takimit nuk mund të jepet më shumë se sa sinjali i vendosmërisë. Sukses do të arrihej nëse kryetarët e mbledhur do të binin dakord të ngarkonin grupe ekspertësh të pavarur me gjetjen e shkaqeve të krizës. Më shumë se kaq nuk mund të pritet nga një vizitë e shpejtë në kryeqytetin amerikan."