Gruevski me kritika ndaj Brukseli
6 Nëntor 2008Edhe pse qytetarët maqedonas kanë pritur që viti 2008 të jetë historik për Maqedoninë sa u përket proceseve eurointegruese, një gjë e tillë nuk ndodhi pasi raporti i progresit i Komisionit Evropian për Maqedoninë është një fiasko për politikën vendimmarrëse të Shkupit.
Maqedonia ka dështuar në plotësimin e kritereve politike
Komisioni Evropian në mënyrë taksative ka nënvizuar dështimet e Maqedonisë në plotësimin e kritereve politike ku në mënyrë të veçantë theksohen zgjedhjet e parakohëshme paralamentare dhe mungesa e dialogut politik.
Kryeministri Nikolla Gruevski thotë se ende nuk e ka studiuar raportin: "Me siguri raporti është real, por unë nuk e kam lexuar deri në fund. Pasi ta analizojmë do të japim vlerësimin tonë përfundimtar.”
Nuk ka reagim nga Brukseli per kërcnimet e Athinës
Gruevski për herë të parë në praninë e ambasadorit të BE-së, Ervan Fuere, ka drejtuar kritika në adresë të Brukselit për faktin që BE-ja nuk ka reagim ndaj politikës greke për Maqedoninë.
“Ne na çinkurajon veçanërisht fakti se Greqia e kushtëzon anëtarësimin e vendit në BE me zgjidhjen e çështjes së emrit, ndërsa zyrtarët e BE-së nuk reagojnë për këtë kërcënim,” - vlerëson kryeministri Nikolla Gruevski.
Opozita maqedonase thotë se çështja e emrit është një alibi e kabinetit Greuevski për raportin negativ të Komisionit Evropian.
“Tre vjet me radhë qeveria Gruevski merr përgjigje negative nga Brukseli. Komisioni Evropian vlerëson se nuk janë realizuar obligimet. Qeveria e Shkupit me kokëfortësi thotë se ka përmbushur mbi 90% të obligimeve. Kush thotë të vërtetën?” - pyet Radmilla Sheqerinska nga opozita maqedonase.
Ekspertë vendas sygjerojnë që qeveria me seriozitet t'i pranojë vërejtjet e Brukselit dhe të mos humbasë kohë në gjetjen e fajtorit për vlerësimin negativ të Komisionit Evropian.