1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Grexit jo sot, por më vonë"

Kersten Knipp15 Korrik 2015

Ekonomistët gjermanë të përmbajtur në vlerësimin e marrëveshjes ndërmjet Greqisë dhe eurogrupit. Ata e konsiderojnë Eurzonën të përçarë dhe nuk përjashtojnë, që Greqia të largohet më vonë prej saj.

https://p.dw.com/p/1FyTA
Griechenland EU Fahne vor dem Parlament in Athen
Fotografi: picture-alliance/R. Geiss

Marrëveshja me Greqinë është pritur ndryshe nga ekonomë të ndryshëm. Marrëveshja është një "shtyrje e insolvencës", i tha presidenti i Shoqatës së Bizneseve Familjare, Lutz Goebel, agjensisë së lajmeve Reuters. Greqia nuk do të mund t'i shlyejë kurrë borxhet e saj. "Vetëm se hidhen para të tjera në zjarr." Ai është i mendimit se bartësit kryesorë të kësaj marrëveshjeje janë taksapaguesit evropianë. "Ato u detyruan përsëri edhe një herë, që të blejnë pak kohë për shumë para", tha Goebel.

I kujdesshëm dhe në pritje është qëndrimi i Marcel Fratzscher, president i Institutit gjerman për Kërkime Ekonomike. Eshtë heret për ta parë marrëveshjen si sukses. Bëhet fjalë vetëm për një hap të parë, për të ndaluar spiralen e rënies së Greqisë. Të pazgjidhura mbeten pyetjet, se si do të arrijë shteti grek që të jetë në gjendje të paguajë, se si sistemi bankar do të ristrukturohet dhe si do të vijnë impulset e rritjes. Por në përgjithësi Fratzscher e vlerësoi pozitivisht rezultatin e arritur: "Marrëveshja është një rezultat i mirë për Europën dhe për Gjermaninë."

Kërkesa të rrepta

Tani nga Greqia kërkohet shumë. Deri të mërkurën e kësaj jave parlamenti duhet të unifikojë taksën e vlerës së shtuar dhe të rrisë bazën tatimore; duhet të kryejë kursimet e para në sistemin e pensioneve. Duhet të realizojë pavarësinë e entit të statistikave Elstat. Dhe duhet të instalojë "shkurtime gjysëm automatike të shpenzimeve", të cilat duhet të hyjnë në veprim, në rast se qeveria rrezikon të mos i përmbahet "objektivave ambicioze të kursimeve". Për vitin 2018 duhet të garantohet një tepricë primare prej 3,5 përqind.

Për të mërkurën e javës së ardhshme (22.07) parlamenti duhet të instalojë direktivën bankare europiane BRRD. Kjo paraqet specifikat për rikuperimin dhe mbylljen e instituteve kredidhënëse dhe firmave të letrave me vlerë."

Përveç kësaj Greqia duhet të liberalizojë më tej ekonominë. Dyqanet duhet të lejohen të jenë të hapura. Por sidomos dy kushte mund t'i dhëmbin shumë Greqisë. Së pari që Fondi Monetar Ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë pjesë e përbërëse e të ashtuquajturave "institucione". Dhe së dyti do të ngrihet një fond bamirësie. Në të do të kalojnë pasuritë shtetërore greke dhe në fund do të privatizohen. Të ardhurat do të përdoren për të paguar borxhin grek. Sipas të dhënave të deritanishme fondi duhet të ketë në fund një shumë prej 50 miliarë eurosh.

"E shtënë paralajmëruese për Evropën"

Kërkesat janë të rrepta. Por pikërisht për këtë arsye në të mirë të Eurozonës si një të tërë. Marrëveshja ështe një "e shtënë paralajmëruese për Evropën", thuhet në një deklaratë të Shoqatës së Bankave Gjermane. "Këtu nuk është fjala as për Gjermaninë dhe as për Greqinë, por që BE duhet të bëjë mirë të gjejë zgjidhje të përbashkëta", bëri të ditur Shoqata e Bankave Gjermane.

Por kusht për të ndërtuar besimin e shkatërruar të kreditorëve në qeverinë greke është që ato të zbatohen. Por kjo sipas mendimit të Jërg Kramer, kryeekonomist në Commerzbank, nuk është e sigurtë. "Në Athinë kemi të bëjmë me një qeveri, që nuk tregon asnjë mirëkuptim për domosdoshmërinë e reformave."

Çarje në Eurogrup

Në përfundimin e saj të paqartë kriza pasqyron diferencat e përgjithshme të Eurozonës. Ajo ka një ndarje të thellë, thotë Krämer. Gjermania dhe vendet e Evropës verilindore kërkojnë një bashkim monetar, siç e parashikon Traktati i Mastrihtit, që mbështetet në financat e shëndosha publike, në ekonominë e tregut dhe në një bankë qendrore të pavarur. Vendet jugore, të udhëhequra nga Franca, duan nga ana tjetër një bashkim monetar pa rregulla të qëndrueshme buxhetore dhe një bankë qendrore, që është e pavarur nga politika. Këto dallime do të kenë pasoja afatgjata, mendon Krämer: "Mungesa e një konsensusi për reformën, do ta detyrojë për fat të keq Bankën Qendrore Evropiane, që ta mbulojë problemin e pazgjidhur të bashkimit monetar me një politikë të lirshme monetare."

Edhe Jürgen Michels, kryeekonomist i Bayerische Landesbank, beson se konstrukti i Eurogrupit ka marrë çarje. Dhe se problemet e Greqisë janë zgjidhur vetëm përkohësisht. Sepse do të jetë shumë e vështirë për t'i zbatuar qoftë masat e menjëhershme ashtu edhe reformat themelore. "Kërkesa është: Grexit jo sot, por më vonë."

Mjedis dashamirës për reforma? Një fasadë shtëpie në Athinë.
Mjedis dashamirës për reforma? Një fasadë shtëpie në Athinë.Fotografi: picture-alliance/AP Photo/T. Stavrakis
Belgien Euro-Gipfel erzielt Einigung bei Griechenland Pressekonferenz
Presidenti i Komisionit Juncker, shefi i Eurogrupit Dijsselbloem, presidenti i Këshillit të BE, Tusk, bëjnë të ditur marrëveshjen.
Presidenti i Komisionit Juncker, shefi i Eurogrupit Dijsselbloem, presidenti i Këshillit të BE Tusk, bëjnë të ditur marrëveshjen.Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Hoslet