1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia para zgjedhjeve

Sot (2.10.) bie sipari i fushatës elektorale në Greqi. Votimi i së dielës do të tregojë, nëse prej tyre do të dalë një qeveri njëpartiake, pasi ajo e koalicionit, sipas analistëve gati përjashtohet.

Në foto: Kryetari i Partisë Socialiste greke në opozitë, Papandreu dhe Kryeministri Karamanlis, kryetari i partisë së djathtë Demokracia e Re.

Papandreu apo Karamanlis -kush do të dalë fitimtar nga zgjedhjet e 4 tetorit?

Fushatës elektorale, që zyrtarisht mbyllet të premten (2.10.) në darkë me mitingun e së djathtës së Karamanlisit, në qendër të Athinës, është e vërtetë se i munguan ekseset, por jo edhe klima e acaruar politike.

Partitë e mëdha kërkojnë të mobilizojnë elektoratin

Java e fundit shënoi edhe kreshenton e saj, në radhë të parë nga dy lojtarët kryesorë: Demokracia e Re në pushtet dhe PASOK-un në opozitë. Të dy partitë e mëdha tradicionalisht në fund polarizojnë klimën, për të koracuar dhe shtuar elektoratin e tyre, në disfavor të partive të vogla.

Në foto: Postera elektoralë të Karamanlisit dhe Papandreut.

Partitë e mëdha luftojnë për çdo votë, për të marrë shumicën absolute.

“Asnjë votë e humbur. Asnjë votë e falur”, ishte motoja e vetë kreut të së djathtës, Karamanlis, që shtroi dilemën: “ose një qeveri të përgjegjshme” si e tij, “ose një qeveri të papërgjegjshme të Papandreut, që vetëm premton”.

“Kërkoj të më jepni votën që t'iu provoj të kundërtën... Do ta bëj me çdo kusht”, ishte apeli i fundit i kreut socialist Papandreu, i cili që në fillim të fushatës shtroi dilemën “ose ndryshojmë ose fundosemi”. Të gjitha anketimet, edhe ato të “fshehta” që zhvillohen me porosi të partive nga shoqëritë demoskopike – pasi me ligj është ndaluar publikimi i tyre 15 ditë para zgjedhjeve - tregojnë socialistët në opozitë si favoritë për fitoren. Por një siguri e tepruar, mund t’u kushtojë. Ndaj edhe Papandreu kërkoi nga elektorati edhe me apel të veçantë televiziv “fuqi zjarri mundësisht më të madhe” për reformat strukturore dhe zbatimin e “programit 100 ditësh” të partisë së tij.

Partitë e vogla kërkojnë dhënien fund sistemit dypartiak

Përballë një trysnie të tillë dhe në dritën e shembullit gjerman, partitë e vogla i kërkuan elektoratit që me votën e tij, t’i japë një goditje sistemit dypartiak grek, të gjithëpushtetshëm prej më shumë se 35 vjetësh. “Çështja nuk shtrohet që më 4 tetor të ndryshojë partia që na qeveris, por të ndryshojë politika” - deklaroi kryetari i së majtës, Aleksis Cipras, që prognozat thonë se me zi do të arrijë të hyjë në parlament. I njejti apel e madje shumë më dramatik erdhi edhe nga kreu i nacionalistëve, Jorgos Karaxhaferis, që akuzoi Karamanlisin se “po menaxhon thjesht disfatën e tij” dhe paralajmëroi Papandreun, për revanshizëm eventual ndaj nënpunësve shtetërorë.


PASOK-u dhe Demokracia e Re në flirt paradoksal

Por me gjithë replikat e ashpra ndërpartiake, e djathta e do të majtën në parlament, ashtu si socialistët duan kuota më të larta parlamentare për nacionalistët. Flirt paradoksal? “Është flirt aksidental. Pra sa më lart është e majta në aspektin e përqindjeve, aq më poshtë është PASOK-u, sipas analizës së Demokracisë së Re.

Nga ana tjetër, sa më e fuqishme është prania e Alarmit Ortodoks Popullor të Karaxhaferis, aq më e ngushtë do të jetë jehona e Demokracisë së Re sipas socialistëve”, i tha Deutsche Welle-s analisti i mirënjohur grek, Tasos Papas. Një llogari e tillë, sipas tij, vështirë se u del me elektoratin e Partisë Komuniste, që me sa duket jo vetëm do të ruajë por edhe do të shtojë numrin e votuesve të saj, si forca e tretë parlamentare në vend.


Analistët: nëse nuk ka shumicë absolute mund të shkohet sërish në zgjedhje

Por “flirti i fshehtë” , ka caqet e tij. Në kushtet kur edhe 62% e elektoratit shprehet kundër një qeverie koalicioni, të dy të mëdhenjtë nuk hezituan të shtrojnë dilemën: ose qeveri njëpartiake ose pasiguri dhe zgjedhje të njëpasnjëshme! Shprehja "ose shumicë absolute ose kaos", përbën ushtrim trysnie nga dy partitë e mëdha pushtetare. Po të mos kemi shumicë absolute, do të shkojmë prapë në zgjedhje. Varianti i qeverive të koalicionit me të dhënat e sotme është i pamundur, pasi partitë janë divorcuar me politikat e bashkëpunimit. Përjashtim bën këtu partia e Karaxhaferit që e ka kërkuar me insistim bashkëpunimin. E djatha e ka refuzuar propozimin e tij, thotë analisti grek, për të theksuar se gjithsesi në demokraci nuk ka situatë pa rrugëdalje.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 02.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JwD1
  • Data 02.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JwD1