1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia dhe memorandumi shtrëngues

Bahri Cani15 Shkurt 2012

Memorandumi i ri i troikës i siguron Greqisë kreditim të ri, por përmban masa shtrenguese që arrijnë ndërkohë caqet e sacrificës për shtresat e mesme dhe të varfëra. Analistët shohin në horizont “gërmadha” ekonomike.

https://p.dw.com/p/143oC
Protesta kundër mizerjes ekonomike në Athinë
Protesta kundër mizerjes ekonomike në AthinëFotografi: Reuters

Godina shumëkatëshe e kompleksit të zyrave, në krye të rrugës Harillau Trikupi, që natën e së dielës ishte përfshirë në flakët e zjarreve të të “revoltuarve” me maska dhe bandave plaçkitëse, nxirrte akoma tym në katet e sipërme. Përballë saj, në trotuarin përbri, njerëzit që sa venin e shtoheshin e bënin dhe më të spikatur heshtjen dhe psenë e vizatuar në fytyrat e tyre të ngrysura. Rreth 160 biznese u shkatërruan dhe 93 ndërtesa (9 neoklasike) u shkrumbuan, midis tyre një perlë e arkitektit gjerman Ernst Ziller, 10 banka dhe shumë dyqane private. “Ne nesër nuk e dimë se ku do të punojmë”, thotë një vajzë që punon te kafeja përbri, që u shkatërrua plotësisht, dhe katër punonjësit e saj mbeten pa punë.

Drojë e madhe dhe për “gërmadha” ekonomike dhe sociale

Gërmadhat, me të cilat e nesërmja e memorandumit të ri të troikës gjeti dhe mjaft qytete të tjera të vendit si Selaniku, Korfuzi, Patra dhe Vollosi, ku u bastisen edhe zyra deputetësh që votuan pro masave, janë vërtet një dëshmi didaktike për qorrsokakun e dhunës së verbër. Por më shumë se dhimbja për plagët e ndërtesave, që, siç ndodhi edhe me ato të dhjetorit të vitit 2008, brenda disa muajsh, me kosto sigurisht, do të mbyllen, në fytyrat e ngrysuara të njerëzve sikur lexon shqetësimin për “gërmadhat” e tjera, ato ekonomike dhe sociale që të gjithë druhen se do të lejë pas zbatimi i masave.

“Këto masa janë rrënimi i popullit grek” i thotë DW një i moshuar, Jorgos Polizos, i cili vuan “po ato pasoja që vuan gjithë populli grek” dhe bile më keq, si shumë bashkëmoshatarë të kategorisë së tij që nuk menduan për pleqerinë. “Muzikant jam dhe as pension marr, as siguracion kam. Unë flas për popullin, për ata që marrin 600 euro, për ushtrinë e të papunëve që nxjerrin përditë në rrugë dhe ka arritur 1 milion. Nuk flas për puthadorët e partive dhe pushtetarëve që marrin paga deri në 5.000 dhe pensione nga dy dhe tre mijë euro” thotë Polizos, tejet mosbesues ndaj klasës politike, por edhe vetë kryeministrit Papadhimos, që ende nuk ka treguar se “është njeri i popullit dhe jo i bankierëve”. “Simbolizmi i këtyre është se një ditë do të arrijmë nivelin e Bullgarisë. Asgjë tjetër. Kam një çantë me fatura që nuk mund t'i paguaj dot”, i thotë DW një burrë tjetër, pensionist, “anonimi” siç prezantohet dhe ikën me nxitim, si për të hequr nga sytë sa më parë gërmadhat e ndërtesave.

Jorgos Polizos, muzikant i papunë
Jorgos Polizos, muzikant i papunëFotografi: DW

“Jetojmë në një vend që nuk është strukturuar siç duhet”

“Unë flas për gërmadha njerëzish, për familje-gërmadha, jo thjesht për ato që gjithkush ka parë dhe nëpërmjet televizionit të hënën në mëngjes. Nuk e di se ç'rezultat mund të kenë për 15 apo 20 vjet këto masa financiare në stabilizimin e ekonomisë, por di shumë mirë, ashtu siç dinë të gjithë qytetarët, se nuk mund të ketë mbijetesë me 400 euro”, i thotë DW analisti ekonomik Jorgos Cakiris, për të shtuar se “sot Greqia dëbon fëmijët e saj jo si gastarbeiter-it e dikurshëm për të shitur krahun e tyre, por për të shitur trurin e tyre”.

Jorgoja nuk është nga ata që nuk pranojnë –nuk janë të paktë- se duhen shëndoshur financat, se duhet shkurtuar sektori publik, se merrnim paga në disa raste dhe më të larta se kolegët tanë evropianë, bile pranon se “jetojmë në një vend, që nuk është strukturuar siç duhet”. “Sigurisht që shteti duhet të bëhet funksional dhe i vogël, sigurisht që duhet të investohen para tek bizneset dhe produktet tona të bëhen kompetitive. Por pyetja është a bëhen me memorandumin dhe shkurtimet, apo bëhen me investime dhe tjetër logjikë?” thotë Cakiris, që nuk pajtohet me uljen e pagave dhe veçanërisht të asaj minimale.

Një spirale katodike që prek gjithë piramidën e punonjësve

Me uljen 22% të pagës minimale, që nga 751 euro bëhet 559, nuk është e vërtetë se preken vetëm të rinjtë e integruar për herë të parë në tregun e punës, siç pretendoi vetë kryeministri Papadhimos në fjalën e tij në parlament pak para votimit të së dielës. “Është një rreth vizioz, një spirale katodike, që nuk do ta paguajë vetëm i riu që hyn për herë të parë në punë dhe do të marrë 417 euro neto, me 16 % kontribucion social dhe 10% tatim, por gjithë punonjësit që marrin kompesime apo benefice të ndryshme, si ai me shumë fëmijë, që janë analoge të pagës minimale” i thotë DW analisti tjetër ekonomik Kristos Megas. Një nëpunës p.sh. që merr 1.100 euro, tre muaj pas skadimit të kontratës së degës së tij në qoftë se nuk bihet në ujdi me punëdhënësin do të bëhet me kontratë të re personale. Ajo do të përmbajë pagën minimale të kontratës kolektive, plus 3-4 kompensime dhe do të jetë 287 euro më e ulët.

Jorgos Cakiris, analist
Jorgos Cakiris, analistFotografi: DW

Rreth 9-10 miliardë do të merren nga punonjësit, do t'i privohen tregut dhe do të rrisin më tepër recesionin, që për vitin 2011 u mbyll në -6.8%. Kundër një mase të tillë, që përfshihet në nenin 1 të memorandumit, janë shprehur akoma edhe punëdhënësit, që në fakt duhet të fërkonin duart. “S'është nevoja të cfilitin njerëzit që të arrihet kompetiviteti i ekonomisë, i cili tek e fundit me shkurtime pagash nuk mund të arrihet,” thotë kryetari i Dhomës Profesionale të Athinës, Janis Reklitis.

Në “shtratin e Prokrustit” edhe asistenca e papunësisë

Në “shtratin e Prokrustit” vihet edhe asistenca e papunësisë, e cila ulet nga 461 në 359 euro, shumë poshtë cakut të nivelit të varfërisë. “Neve na takojnë të drejta elementare, siç është e drejta për të jetuar. Synimi i tyre nuk është që ta shkurtojnë asistencën, por ta presin fare. Njerëzit duhet të reagojnë,” thotë Kostas, që i mbaroi asistenca dhe tani mbahet me pensionin e prindërve. Imigrantët, shohin të përgjysmuar të vetmen të ardhur të tyre të sigurt të përkohshme.

“Thembra e Akilit” e programit është mosbesimi në suksesin e tij

Suksesi i programit është me pikëpyetje. Më shumë se te arsyet ekonomike ndoshta “thembra e Akilit” duhet parë te mosbesimi në suksesin e tij, si me memorandumin e parë. “Sot nuk është e vërtetë, dhe i drejtohem vërtet qytetarit gjerman, bashkëmoshatarit tim 50-vjeçar, nuk është e lehtë t'i thuash se pas 20 vjetësh do të fillosh rimëkëmbjen. Unë do të jem shtatëdhjetë dhe fëmija ime do të jetë larguar jashtë shtetit, për ç'zhvillim flasim?” thotë Cakiris, i cili nuk ka asnjë kundërshtim, sikurse thotë, të “jetojmë me ato çka prodhojmë” por kjo, që nuk bëhet as nga vetë gjermanët, do të thotë falimentim. Qeveritë, sipas tij, duhet të kuptojnë se “falimentimi dhe memorandumi janë e njëjta gjë. Nëse nuk mund të paguaj borxhet e mia, apo nëse shteti nuk mund të më paguajë, falimentimi është e njëjta gjë” përfundon Cakiris, kur është bërë opinion se tashmë dilema nuk është recesion apo zhvillim, por cfilitje apo falimentim.

Autor: Niko Anagnosti/ Athinë

Redaktoi: Auron Dodi