1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia nis përpjekjet pas marrëveshjes BE-Turqi

Greqia ka nisur të zhvendosë migrantë nga ishujt për në brendësi të Greqisë, por nuk do të jetë në gjendje që t'i kthejë refugjatët në Turqi menjëherë. Këtë e parashikon marrëveshja e arritur mes BE dhe Turqisë.

Marrëveshja e BE me Greqinë, e cila ka ngjallur shumë debate, hyri në fuqi mesnatën e së dielës. Por kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras tha se vendi i tij ka nevojër për më shumë kohë që të nisë kthimin e migrantëve në Turqi

Sipas planit për të cilin u ra dakord në Bruksel të premten (18.03), migrantët që arrijnë në ishujt grekë që tani e tutje do të regjistrohen përpara se të kthehen pas në Turqi, ku më shumë se dy milionë sirianë qëndrojnë pasi i kanë shpëtuar luftës. Por Tsipras thotë se marrëveshja ka nevojë edhe për 36 orë të tjera për t'u vënë në jetë.

E paqartë është se si do të kthehen refugjatët. Autoritetet greke më parë kishin propozuar që Agjencia Evropiane e Mbrojtjes së Kufirit Frontex t'i shoqërojë mjetet private të prenotuara të transportit për në portet e Turqisë. Por ndërkohë tani ka edhe mungesë personeli. Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras foli në takimin e nivelit të lartë të BE me Turqinë për nevojën e 2300 ekspertëve. Këta duhet të vijnë në ditët në vazhdim në Greqi, për të ndihmuar që kërkesat për azil të përpunohen shpejt. Të shtunën Tsipras mblodhi kabinetin e tij, për të hartuar një plan për vënien në jetë të Marrëveshjes. Por ky plan "nuk mund të zbatohet brenda 24 orësh", i tha koordinatori grek për politikën e migrimit, Giorgios Kyritsis agjencisë së lajmeve AFP.

Nevojitet mbështetja e 4000 ekspertëve

Sipas të dhënave të Tsiprasit, shtetet e tjera të BE kanë premtuar që të dërgojnë mbështetje me personel - midis tyre ekspertë për çështjet e azilit, përkthyes dhe policë. Komisioni i BE beson se nevojiten gjithsej 4000 ekspertë - dhe nevojiten shpejt.

Gjermania dhe Franca kanë ofruar që të dërgojnë secila deri 300 nëpunës në Greqi. Kjo rezulton sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA nga një shkresë që ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere dhe homologu i tij francez, Bernard Cazeneuve i kanë dërguar Komisionit Evropian.

Korrespondentët e DW raportojnë se Greqia ka nisur boshatisjen e kampeve të refugjatëve në ishujt e Egjeut. Nga ishujt Lesbos dhe Chios janë dërguar me sa duket qindra refugjatë në Pire. 640 persona që kërkojnë mbrojtje mbërritën të shtunën në mbrëmje në qytetin port, bëri të ditur radioja shtetërore. 2000 vetë të tjerë sipas planit do të zhvendoseshin brenda së dielës për në pjesën kontinentale të Greqisë.

Të gjitha kampet e refugjatëve në ishullin Lesbos sipas planeve duhet të boshatisen brenda 48 orësh. Me autobusë njerëzit i dërgojnë në traget. Synimi: qendrat hot-spot të regjistrimit në veri të vendit. Refugjatët janë të çorientuar, raporton korrespondenti i DW, Jafaar Abdul Karim. Shumë refugjatë nuk i kanë informuar se çdo të bëhet më tej me ta. Por autoritetet e vazhdojnë punën e tyre.

Refugjatë të rinj vijnë nga Turqia

Natën duke gdhirë e diela 875 refugjatë të rinj erdhën kryesisht në ishullin Lesbos që nga Turqia, bëri të ditur shtabi grek për krizën e refugjatëve. Një ditë më parë, nga Turqia në Greqi erdhën 1498 refugjatë, të premten ishin 670 vetë, të enjten 239 vetë. Autoritetet greke bënë të ditur se aktualisht në Greqi ndodhen 47.500 refugjatë.